Kërkesa për korrigjimin e kufinjëve, legjitime. SHBA dhe BE po inkurajojnë bisedimet paqësore.
Intervistoi Mero Baze
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është i vendosur të vazhdojë të kërkojë publikisht një marrëveshje paqësore me Serbinë, për të korrigjuar kufirin lindor të Kosovës me Luginën e Preshvës, dhe në shtator ka ndërmend ta shtrojë këtë dhe si temë në tryezën e bisedimeve dypalëshe. Ai thotë se SHBA dhe BE, po inkurajojnë dialogun me mjete paqësore dhe se ai ka mandatin që i jep Kushtetuta, ta përfaqësoj Kosovën në këtë proces.
Presidenti Thaçi injoron kritikat në adresë të tij dhe thotë se nuk ka arsye që propozimi i tij të ketë efekt domino për vende të tjera, derisa procesi bazohet tek bisedimet paqësore.
Ai thotë se është konsultuar për këtë gjë me liderët politikë të Luginës së Preshevës, dhe se ata e kanë shprehur vullnetin për bashkim me Kosovën në referendumin e vitit 1992.
Presidenti Thaçi nuk e konsideron tabu, as hapjen e debatit për bashkim mes Kosovës dhe Shqipërisë, gjithnjë duke I qëndruar proceseve paqësore. Ai thotë se ka një Plan B për të dal nga ky debat pa dëmtuar Kosovën në rast se bisedimet dështojnë.
Intervista e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për gazetën “TemA” është e para që ai jep në shtyp pas nisjes së këtij debati.
Mero Baze: Zoti president! Në kulmin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, ju keni shkaktuar një debat kombëtar për shkak të perceptimit se ju po flisni për shkëmbim territoresh dhe ndryshim kufijsh, edhe pse ju formalisht flisni për korrigjim kufijsh. A jeni i vetëdijshëm se po hapni “Kutinë e Pandorës” në Ballkan?
Hashim Thaçi: Jetojmë në shekullin e XXI dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, i kanë kuptuar gabimet që kanë bërë në shekullin e kaluar. Problemet e hapura në shekullin XXI, zgjidhen me mjete paqësore. Unë po kërkoj që të bëhet korrigjimi i kufinjëve në mënyrë paqësore për t’i mundësuar Presheves, Bujanocit dhe Medvegjes të bashkohen me Kosovën. Askush nuk mund ta kundërshtoj një marrëveshje që arrihet në mënyrë paqësore. Rastet e tilla te korrigjimit të kufinjëve në mënyrë paqësore kemi anekënd botes. Vetem dy vite me parë, Belgjika dhe Holanda pa shkrepur asnjë plumb, korrigjuan kufirin e tyre në mënyrë paqësore. Pra “Kutia e Pandorës” në asnjë rrethanë nuk mund të hapet në Ballkan, në rast se marrëveshja ndermjet Kosovës dhe Serbisë, arrihet në mënyrë paqësore.
Mero Baze: Ju po thoni tani se jeni duke kërkuar vetëm korrigjim të kufirit me Luginën e Preshevës. A duket pak si joserioze t’i kërkosh Serbisë në tavolinë ndryshim kufiri në favor të Kosovës, ndërkohë që ajo ende nuk të njeh si shtet?
Hashim Thaçi:E keni gabim. Në dialogun e ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të dy shtetet negociojnë në mënyrë të pavarur, të barabartë dhe si shtete sovrane. Pra Serbia në negociatat në Bruksel, ulet përballë Kosovës dhe e konsideron atë si shtet të pavarur dhe sovran.
Mero Baze:Ju keni kërkuar sot referendum nga qytetarët e Kosovës për këtë çështje. Në fakt ata që duhet të pyeten dhe të vendosin, janë qytetarët e Luginës së Preshevës. A mendoni se Serbia është e gatshme të njohë një referendum të tyre?
Hashim Thaçi: Qytetarët e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjes e kanë shprehur vullnetin e tyre në mënyrë demokratike nëpërmjet referendumit te organizuar ne vitin 1992. Vullneti i tyre politik është i qarte: ata duan t’i bashkangjiten Kosovës.
Mero Baze: Njësoj si ju, edhe presidenti Vuçiç, mund ta konsiderojë si korrigjim kufiri kërkesën për marrjen e Veriut të Kosovës. Cila do jetë përgjigjia juaj?
Hashim Thaçi: Unë luftoj dhe mbroj interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë nuk ja qaj hallin Serbisë, në asnjë rrethanë. Mirëpo në një skenar të tillë hipotetik përgjigjia ime do të jetë “Jo”!
Mero Baze: Opozita në Kosovë ka dyshime se ju po zhvilloni bisedime okulte me Serbinë, dhe nuk keni mandatin e gjithë partive shqiptare për to. A keni një përgjigje?
Hashim Thaçi: Mandati i im buron nga vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës, Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe zgjedhja ime si president me votat e 2/3 të deputetëve të Republikës së Kosovës. Rregullat demokratike dhe institucionale të Republikës së Kosovës nuk i japin askujt një mandat më të fuqishëm dhe më legjitim se sa kaq.
Mero Baze: Në kushtet që ju keni një farë monopoli për temën e bisedimeve me Serbinë, u lihet rrugë shumë teorive konspirative për objektivin e tyre. A e keni shtruar ju në bsiedimet me presidentin Vuçiç, temën e kufirit me Luginën e Preshevës?
Hashim Thaçi: Jo, ende nuk e kam bërë një gjë të tillë në kuadër të dialogut në Bruksel, mirëpo do ta bëj në takimin e parë te radhës që pritet të ndodhë në htator.
Mero Baze: A ka qenë ndonjë herë temë bisedimesh dypalëshe ose nga ndërmjetësit e bisedimeve, ndarja e Kosovës dhe ridefinimi i kufinjëve?
Hashim Thaçi: Jo, sepse unë kurrë nuk do të lejoj që ndarja e Kosovës të shtrohet si temë diskutimi në kuadër të dialogut në Bruksel.
Mero Baze: SHBA dhe BE duken më pak të alarmuara nga deklaratat tuaja. A ka lidhje kjo me faktin, se janë të informuar për çfarë bisedohet, dhe e kanë situatën nën kontroll, apo e konsiderojnë deklaratën marketing politik?
Hashim Thaçi: E vetmja e vërtetë qëndron në faktin se BE dhe SHBA janë të interesuara dhe inkurajojnë palët që të arrijnë marrëveshje paqësore të pranueshme për të dyja palët.
Mero Baze: Kritikët tuaj mendojnë se ju jeni në pozitë të vështirë për shkak të izolimit që BE i ka bërë Kosovës dhe problemeve me Gjykatën Speciale dhe po radikalizoni situatën për të qenë faktor kryesor bisedimesh me Perëndimin. Keni ndonjë përgjigje?
Hashim Thaçi: Këto janë argumenta plotësisht të pavërteta dhe të paqëndrueshme. Kosova nuk eshte e izoluar dhe është në prag të liberalizimit të vizave. Prespektiva e saj për antarësim në BE është rikonfirmuar nga Strategjia e Fundit e Komisionit Evropian dhe është ripërsëritur në Samitin e fundit të BE në Sofie. Ndërsa Gjykata Speciale është shqetësimi me i vogël që do të mund të ndërlidhej në çfardo forme me ecurinë e dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosoves dhe Serbise.
Mero Baze: Më kë jeni konsultuar për këtë qëndrim nga faktori shqiptar në Kosovë, në Luginën e Preshevës apo me Tiranën zyrtare?
Hashim Thaçi: Jam konsultuar vetëm me përfaqësuesit politik dhe legjitim të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Mirepo e di qartazi që vullneti i qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjes për t’ju bashkuar Kosovës është krejt legjitim dhe i njëjti respektohet plotësisht nga qytetarët e Republikes së Kosovës.
Mero Baze: Reagimet ndaj propozimit tuaj në Tiranë, janë përqëndruar tek shtypi dhe reagimet emocionale të Berishës. Por ndërsa shtypi është i shqetësuar për pasojat politike për Kosovën, Berisha është përfshirë në debate personale. Keni një përgjigje për të qartësuar palët e përfshira në konflikt?
Hashim Thaçi: Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe institucionet e saj i marrin vendimet e veta, në mënyrë të pamvarur dhe në përputhje me interesat tona shtetërore.
Mero Baze: Përse u përfshitë në debat me Berishën, duke ju referuar të shkuarës së tij të keqe me Kosovën? A nuk duket se ju keni hapur një debat shumë më të madh, që eklipson historinë e Berishës?
Hashim Thaçi: Une nuk futem ne debate personale me askënd. Sepse nuk jam duke folur për çeshtje personale, por për çështje kombëtare dhe të interesit shtetëror të Republikës së Kosovës.
Mero Baze: Nëse keni kaq guxim për të folur për kufijtë me Luginën, pse është tabu për ju të flisni dhe për bashkimim me Shqipërinë, këtu së paku referendumi është gati?
Hashim Thaçi: Për mua asnjë temë dhe asnjë çeshtje nuk është dhe nuk duhet të jetë tabu.
Mero Baze: E keni llogaritur që mund të mos votëbesoheni në parlament të Kosovës për këtë debat?
Hashim Thaçi: Unë respektoj Kuvendin e Republikës së Kosoves dhe jam i sigurt që të gjitha grupet parlamentare e përkrahin propozimin tim që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja t’i bashkangjiten Kosovës. Se paku kështu kanë deklaruar deri më tani.
Mero Baze: A e parashikoni efektin domino të këtij propozimi në vendet e tjera në rajon në raportet Shqipëri, Maqedoni, Mal i Zi, Greqi, Bosnjë, Kroaci etj.
Hashim Thaçi: Marrëveshja paqësore eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në skenarin e korrigjimit të kufinjëve, e ritheksoj nuk mund të ketë efekt domino.
Mero Baze:A keni një plan B për të dalë nga kjo situatë, që mund të dështojë edhe bisedimet me Serbinë dhe nismën tuaj si president?
Hashim Thaçi: Sigurisht që Po!