“Gjuha e përdorur nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabic, është një tjetër dëshmi e urrejtjes patologjike të regjimit aktual të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës”, deklaron Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ky koment vjen një ditë pasi Bërnabic, në prani të ambasadorit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi, tha se shqiptarët janë “njerëz që kanë dalë prej malit”. Ajo po ashtu tha, se disa prej shqiptarëve “janë edhe terroristë që nuk janë dënuar” dhe që “kanë qenë të akuzuar në Tribunalin e Hagës”
Thaçi kërkoi nga Bashkimi Evropian që ta dënojë dhe të distancohet nga kjo “gjuhë raciste” e zyrtarëve të Serbisë, e cila sipas tij, nxit urrejtje dhe i minon përpjekjet për pajtim dhe normalizim.
“Ky veprim nuk paraqet asgjë të re dhe të jashtëzakonshme për ne, sepse ne e dimë shumë mirë karakterin gjenocidial të Serbisë së djeshme dhe asaj të sotme. Por, i jashtëzakonshëm dhe zhgënjyes për ne është vetëm fakti i hidhur që BE-ja nuk e dënon këtë sjellje raciste dhe antievropiane të Serbisë. Përkundrazi, BE-ja vazhdon t’i mbajë dyert e hapura për një shtet që ka kryer gjenocid dhe që nuk beson në vlerat evropiane as sot”, tha Thaçi.
Ndërkaq, Bashkimi Evropian nuk ka dalë ende me asnjë reagim.