• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, January 16, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Tetë aspekte që të çudisin nga lista “Basha”

by A R
27/05/2017 09:38
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Altin Ketro

Të nesërmen e datës 28.04.2017, sekretari i PD-së, Oerd Bylykbashi thirri mediet se kishte për të dhënë një deklaratë të rëndësishme. Në atë deklaratë ai dha sihariqin e madh se regjistrimi i partive në KQZ ishte i paligjshëm pasi afati kishte skaduar më datë 28 prill. Në fakt, partitë që u regjistruan për zgjedhjet e datës 18 qershor respektuan datën e vendosur nga KQZ-ja, dhe ato nuk kishin asnjë përgjegjësi. Partia Socialiste, si partia më e madhe e mazhorancës, e nisi procesin e përzgjedhjes së kandidaturave duke nisur nga ora 19:00 e datës 29.04.2017 dhe brenda pak minutash të deleguarit e qarqeve dilnin dhe bënin transparent përpara opinionit publik listën për deputet të kësaj partie duke e shoqëruar edhe me informacion për aktivitetin e secilit prej tyre. Brenda orës 23:00 listat ishin depozituar në KQZ. Pas kësaj lideri i PD-së, Lulzim Basha do deklaronte nga çadra se: “18 qershori është asgjësuar. Fakt është që afati ka skaduar nga mbrëmë dhe kjo tregon se ata s’duan t’ia dinë as për ligj as për kodin zgjedhor”.

E bërë këtë hyrje për të nxjerr në pah hipokrizinë e pashoqe që e karakterizon Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën. Pasi iu la një javë kohë të hartonte listat e veta, pas arritjes së marrëveshjes me kryeministrin Rama për shtyrjen e zgjedhjeve më datë 25 qershor, Partia Demokratike shkeli me ndërgjegje të plotë afatin ligjor që ishte ora 24:00 e datës 26 maj, duke i depozituar listat me afro 1 orë vonesë, në të gdhirë të datës 27 maj. Një shkelje flagrante dhe arrogante e ligjit për të cilën, normalisht, duhet të penalizohej me mos regjistrim. Duke bërë një paralelizëm midis dy situatave, asaj të PS që respektoi datën e KQZ-së dhe atë të PD-së që e shpërfilli datën e caktuar, ky është aspekti i parë që tregon edhe në këtë rast se Lulzim Basha vijon me teorinë “Bëni si them unë, mos bëni s’i bëj unë”. Lulzim Basha përfiton se Partia Socialiste i toleron këto gjëra kur në të njëjtën situatë, jam i bindur, se Partia Demokratike do t’ia kish refuzuar regjistrim Partisë Socialiste.

Ajo që më bëri sërish përshtypje ishte se përfaqësuesi i PD-së dorëzoi në KQZ vetëm listën me emrat e kandidatëve për deputetë, të pa shoqëruar me dosjen e cila duhet të përmbante formularët e dekriminalizimit të plotësuar nga secili prej 140 kandidatëve. Këto formularë depozitohen njëherësh me listën e emrave, gjë që e kanë bërë të gjitha partitë. Si duket Lulzim Basha e ka patur shumë të vështirë përzgjedhjen e emrave, ku i është dashur ta ndryshojë shpeshherë listën dhe si rrjedhojë do ketë qenë i pamundur plotësimi në kohë i të gjithë formularëve. Ky është aspekti i dytë që do e konsideroja shkelje.

Aspekti i tretë që më tërhoqi vëmendjen ishte kandidimi nën siglën PD i një ish deputeti të qarkut Vlorë i cili në legjislaturën e kaluar e humbi mandatin në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Nëse do të sillja një shembull nga mazhoranca, po i kujtoj Bashës që kryeministri Rama nuk e vendosi në listën për deputet zotin Gaçi pasi prokuroria dyshonte se kishte problem me drejtësinë italiane. Në krye të dy ditëve pas dorëzimit të listave, për zotin Gaçi erdhi përgjigja se nuk kishte problem me shtetin italian. Pra, nëse Rama do bënte arrogantin fare mirë mund ta fuste në lista, por ai u dogj, për mua politikisht nga prokuroria, e megjithatë Rama nuk deshi të rriskonte. Në të kundërt të saj, Basha e rifuti në lista deputetin në fjalë si për të na kujtuar se ligjet që i kthen në kauz nuk i ka për veten e vet, por vetëm për kundërshtarin politik.

Aspekti i katërt që më bëri përshtypje qe se Lulzim Basha eleminoi nga lista, përpos të tjerëve, edhe ato emra që ishin në listën e takimit të të dërguarit amerikan, zotin Yee, gjatë krizës së çadrës. Të tillë ishin Bregu, Topalli, Patozi e Selami. Nuk më pëlqen të bëj diversion në këtë rast, megjithatë do të më duhet t’ia vë në dukje se bashkëbiseduesen kryesore të PD-së me BE-në, zonjën Bregu, duhet të mos e kishte sakrifikuar. Nuk më është dukur aq tradhtare sa për të mos u marrë fare në konsideratë, ndërkohë që ka futur në listë ish kryetarë të diskredituar komunash që betonizuan kodrat e Saukut në kurorat e gjelbërta përreth Tiranës.

Aspekti i pestë që dua të vë në dukje ishte diferencimi mes aleatëve ku disa parti inekzistente i futin kryetarët e tyre në vende gati të sigurta, ndërkohë që ia punoi paq kryetarit të AK-së, zotit Spahiu. Le ta themi, nuk më lidh asgjë me këtë njeri, bile kam antipati sepse kalon në deklarata ekstremiste edhe kur nuk është vendi. Por ama, për shkak të qëndresës që bëri për tri muaj në çadër, nuk kish pse e mbante peng deri 2 orë para skadimit të afatit të regjistrimit. Fare mirë mund t’i kish thënë qysh para një jave: zotëri i dashur, unë s’kam ndërmend të të fus në listat e partisë sime. Për shkak të angazhimit tënd unë të ofroj bashkëpunim pas zgjedhor në qeverisje. Në rast s’e nuk je dakord, je i lirë të mbledhësh firmat e nevojshme e garo vetë në zgjedhje. Ky do të ishte me pak fjalë një qëndrim dinjitoz. Por Basha e trajtoi në mënyrën më të keqe aleatin e vet, duke e mbajtur me shpresa deri në minutën e fundit dhe pastaj i bëri dalje. Njëkohësisht e vuri në pozitë tmerrësisht të vështirë zotin Spahiu përballë partisë së vetë pasi e gjithë lufta 4 vjeçare në opozitë nuk iu shpërblye as me mundësinë për të matur forcat se sa peshë ka ajo në elektorat.

Aspekti i gjashtë, është mos kandidimi i një sërë figurash të vjetra dhe me peshë në PD. Është i vetmi rast ku duhet ta përgëzoj që hoqi qafe disa figura të diskredituara të qeverisë Berisha. Veçanërisht duhet përgëzuar për heqjen e Kaçit të Zi, i cili u kthye në simbol se si mund të çohej dëm vota e demokratëve. Jo se në listat që ai paraqiti nuk ka sivëllezër të të ziut Kaç, por të paktën ata nuk vijnë nga gijotina e thyerjes së kafkave të demokratëve. I vetmi rast që më bëri çudi ishte mos kandidimi i kryetarit të formonit rinor. Është guxim i madh që rinisë demokrate t’i mohosh kryetarin e vet si përfaqësues në Kuvend.

Aspekti i shtatë ishte se kishte futur në lista 7 kryetarë partish duke filluar nga PR, PAA, PDK, LZHK, PLL, PBK, dhe të gjelbrit. Më habiti pranimi nga zoti Duka të renditej i pesti në Durrës kur në po të njëjtin vend refuzoi Ramën kur e kandidoi në vitin 2013 në Berat, ndonëse do të ishte fitues. Futja e këtyre partive nën siglën e PD-së, vërtetë do të maksimalizojë votën e kësaj të fundit, por do u heqë atyre identitetin. Ta orientosh elektoratin të votojë PD-në vetëm për t’u bërë kryetari deputet, do të thotë t’i heqësh mundësinë partisë të testohet se sa vlen në elektorat. Mos matja e mbështetjes në elektorat sjell pastaj që këto parti të mos merren seriozisht e as të imponojnë fuqinë që pretendojnë se kanë patur deri tani.

Aspekti i tetë dhe i fundit ka të bëjë me Lulzim Bashën dhe kandidimin e tij në Tiranë. Në ndryshim nga rivali Rama, i cili e vendosi emrin të gjashtin në Vlorë, Basha nuk rriskoi shumë, duke e vënë të parin emrin e vet. Kur vjen puna tek interesi personal, Basha ka treguar se nuk bën aventura. Ai kthehet në Tiranë pas disfatës dërrmuese që pësoi në vitit 2015, ndonëse kusuret e tij i mbajti mbi supe doktor Kosova. Duke qenë në listën e Tiranës, do ketë mundësinë të udhëheqë edhe fushatën, e si rrjedhim do shohë me sytë e vet transformimin që po pëson kryeqyteti pas gjumit letargjik që e kish kapur bashkë me ish kryetarin. Një shans i mirë për të mësuar se si punohet.

Si përfundim duhet thënë se Lulzim Basha, me listat që paraqiti, ka vënë një bast të fortë me të ardhmen e vet politike. Me aq sa kuptova duket se ndikimi i Berishës nuk ka qenë vendimtar përderisa në listë mungojnë shumë prej boshtit kryesor të tij. Ky mund të jetë faktor edhe pozitiv, por duhet parë se sa do të përqafohet nga elektorati përgjithësisht konservator i PD-së i cili është mësuar me emra potentë. Kandidatët e rinj (jo nga mosha) të PD-së do u duhet punë e madhe që të ngjisin fort në elektorat. Koha është shumë e shkurtër, prandaj duke llogaritur edhe ndonjë sabotim të mundshëm të qejfmbeturve, them se Basha rrezikon të mos marrë as mandatet e 2013-ës. Kjo do sillte fundin e karrierës së tij politike dhe çeljen e një dritareje për Presidentin në ikje. Të jetë ky edhe qëllimi i Berishës. Të shohim

Next Post
“Ishte një nga kundërshtarët e rrallë që dëgjoja kur fliste”, Blushi keqardhje për përjashtimin e Patozit

"Ishte një nga kundërshtarët e rrallë që dëgjoja kur fliste", Blushi keqardhje për përjashtimin e Patozit

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Shqipëria shihet pozitivisht edhe në Shtëpinë e Bardhë të Trump”

Pse krimi shqiptar është problem për SHBA-të? Hoxha: Si ia pa DEA potencialin në Ekuador…

January 15, 2026
Shtëpia e Bardhë: Po bëhen përgatitjet për takimin Putin-Zelensky

“Shqipëria shihet pozitivisht edhe në Shtëpinë e Bardhë të Trump”

January 15, 2026
Cili ishte gabimi i Ramës dhe çfarë pritet prej tij në Himarë!

Shembja e Iranit dhe pasojat për Shqipërinë

January 15, 2026
Dëshmia e kameramanit që filmoi masakrën e Reçakut: Sa hyra në fshat pashë një trup pa kokë…

Dëshmia e kameramanit që filmoi masakrën e Reçakut: Sa hyra në fshat pashë një trup pa kokë…

January 15, 2026
Qeveria miraton planin e punësimit për 2026, kush janë kategoritë që do të kontraktohen

Qeveria miraton planin e punësimit për 2026, kush janë kategoritë që do të kontraktohen

January 15, 2026
Zyrtari i Trump: Ka potencial për një konflikt Kosovë-Serbi, Presidenti ta mbajë një sy në rajon

Zyrtari i Trump: Ka potencial për një konflikt Kosovë-Serbi, Presidenti ta mbajë një sy në rajon

January 15, 2026
“Nuk mund të merren të dhënat e telefonave, pa vendim gjykate”/ GJK frenon SPAK-un, avokati shpjegon vendimin

“Nuk mund të merren të dhënat e telefonave, pa vendim gjykate”/ GJK frenon SPAK-un, avokati shpjegon vendimin

January 15, 2026
Tre fëmijë, një nënë e masakruar publikisht dhe institucione që u zgjuan me vonesë. Kush dështoi në Durrës?

Tre fëmijë, një nënë e masakruar publikisht dhe institucione që u zgjuan me vonesë. Kush dështoi në Durrës?

January 15, 2026
Zelensky: Sulmet e Rusisë me raketa kërkojnë një përgjigje të fortë

Zelensky: Vizita e ministres shqiptare në Ukrainë është një sinjal i fortë mbështetjeje

January 15, 2026
Shtëpitë mbi truall shtetëror, ja si të bëheni pronarë me 0 lekë! Llogaritja e vlerës së tokës dhe kush përfiton 20% ulje

Shtëpitë mbi truall shtetëror, ja si të bëheni pronarë me 0 lekë! Llogaritja e vlerës së tokës dhe kush përfiton 20% ulje

January 15, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In