1857 mësues në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të Tiranës do t’i nënshtrohen një testimi në datat 10-11 nëntor, shkruan BalkanWeb. Testimi do të pasqyrojë nevojat që ata kanë për t’u kualifikuar. Në total në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Tiranës janë 3300 mësues, por përjashtohen 1443 arsimtarë sepse kanë mbi 20 vite eksperiencë pune dhe kanë marrë kategorinë e I, “Mësues Mjeshtër”. Kjo gjë është përcaktuar edhe në shkresën që ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, i ka nisur në fillim të kësaj jave DAR Tiranë, ku veç përjashtimit të mësuesve me 20 vite eksperiencë pune, janë caktuar dhe datat e testimit, apo instrumenti siç e quajnë ndryshe.
Mësuesit testimin do ta bëjnë në grupe të vogla me maksimumi 20 mësues, pasi ai do të zhvillohet online, në 6 qendra vlerësimi dhe në total do të ketë 30 pyetje me alternativa. Qendra e vlerësimit janë shkollat pilot të klasave inteligjente me tableta si gjimnazi “Partizani”, “Ismail Qemali”, “Petro Nini”, “Sami Frashëri”, “A.Z.Çajupi”, “Sinan Tafaj”.
Në udhëzimin nr.42 për “Vlerësimin e nevojave për kualifikim të mësuesve” në nenin 14 të tij përcaktohet struktura e provimit, i cili përmbledh disa fusha, të cilat kanë të bëjnë me formimin e përgjithshëm të mësuesit. Këto katër fusha do të orientojnë hartimin dhe strukturën e instrumentit dhe janë Planifikimi, Mësimdhënia dhe të nxënit, Etika dhe komunikimi, Zhvillimi profesional. Secila prej këtyre fushave ka disa çështje, të cilat kanë lidhje me formimin e mësuesit. Dhe në bazë të testit të instrumentit do të shikohen nevojat për kualifikim për secilin prej mësuesve. Instrumenti përmban 30 kërkesa me alternative.
BW