Ministria e Arsimit, del me deklaratë lidhur me shqetësimet e maturantëve, sa i takon testit të Gjuhës dhe letërsisë.
Bëhet me dije se ditën e djeshme, në Qendrën e Shërbimeve Arsimore , u zhvillua një takim, ku ishin të ftuar të gjithë të interesuarit, për të diskutuar mbi pretendimet e ngritura nga maturantët, lidhur me testin e Maturës Shtetërore të Gjuhës shqipe dhe letërsisë.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të MASR, QSHA, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Komiteti i Maturës Shtetërore, si edhe 20 mësues të Gjuhës shqipe dhe letërsisë nga shkolla të ndryshme të Tiranës, Fierit, Vlorës, Elbasanit etj.
Deklarohet se gjatë takimit u theksua dhe u mbështet nga të gjithë të pranishmit se testi i Gjuhës shqipe dhe letërsisë nuk ka dalë jashtë programit orientues (pra është në pajtueshmëri të plotë me të) dhe nuk ka gabime shkencore.
Lidhur me pretendimin se në test ka gabime drejtshkrimore, QSHA sqaron se ka vërtetë një tekst me gabime, por ky tekst është ndërtuar në mënyrë të qëllimshme i tillë, për të vlerësuar kompetencat gjuhësore të nxënësve dhe se kjo u është bërë e ditur maturantëve, përmes një fjalie sqaruese, që në fillim të tekstit.
“Nga ana tjetër, duhet theksuar se përdorimi i teksteve të tilla është një praktikë e përdorur nga hartuesit e testit edhe më parë në testet e Maturës Shtetërore. Madje, edhe në modelin e prezantuar nga QSHA para disa ditësh, është përfshirë një tekst i tillë. Ndër të tjera, në takimin e djeshëm u pranua se testi në fjalë ka qenë i përshtatshëm për vlerësimin e kompetencave, duke u bazuar plotësisht në programin orientues dhe në përpjesëtim të drejtë, gjithashtu, edhe me programin e shkollave profesionale”, thuhet në tej.
Në lidhje me përfshirjen në test të poezisë së Lasgush Poradecit, u qartësua se ky autor është i lexuar dhe i studiuar gjatë procesit mësimor në shkollë. Përfshirja e tij në provimin e maturës, thuhet se u është bërë e qartë nxënësve, edhe përmes paraqitjes së tij në testin model, i cili është shpërndarë paraprakisht tek ata. Kjo u ka dhënë mundësi maturantëve dhe mësuesve që të bëjnë përsëritjet e nevojshme mbi veprat e këtij autori, për një përgatitje sa më të mirë të nxënësve në provimet e maturës.
Gjithashtu, u nënvizua se modeli i testit të shpërndarë tek nxënësit paraprakisht, ka qenë shumë i ngjashëm me provimin e “Gjuhës shqipe dhe letërsisë”, si nga teknika e organizimit të pyetjeve, ashtu edhe nga përmbajtja e tyre.
“Ky fakt do të thotë se nxënësit kanë qenë plotësisht të informuar mbi natyrën e provimit me të cilin janë ballafaquar javën e kaluar. Përkundër gjithë këtij diskutimi të zhvilluar, QSHA vendosi se do të vlerësojë shpërndarjen e pikëve në bazë të rezultateve të nxënësve, si dhe do të konsiderojë heqjen nga vlerësimi përfundimtar i ndonjë pyetjeje specifike që rezulton të ketë pasur nivel më të lartë vështirësie se sa niveli i njohurive të nxënësve”, deklarohet në mbyllje.
/a.r
Duhet pranuar se tani pak a shume jane ne treg pune ata mesues qe kane studiuar gjate periudhes postkomuniste. Kur filluam te thonim ka degraduar arsimi. Tani kemi keta mesues, prodhim i atyre viteve dhe arrijme te kemi keto provime pacavure. Te besh qellimisht me gabime nje provim te tere per te vene ne prove nxenesit, kjo do te thote qe kane shteruar pyetjet normale. Fare mire mund te behej nje tekst i vecante me gabime dhe te behej pyetja “gjeni gabimet”. Por jo kjo menyre si e bete ju. Tani me kete deklarate duket sikur Po justifikoni veten qe gjoja e keni bere qellimisht. TURP! Ketu nuk dua te anashkaloj dhe nxenesit te cilet per hir te se vertetes nuk eshte se jane ne nivelet qe duhet te jene qofte ne dije qofte ne edukim. Sepse shkolla eshte dije por edhe edukim. Prandaj dhe ne shtete te tjera sistemi arsimor quhet education, educazione etj.. Por per kete kane pergjegjesi tre hallka te nje shteti. Prandaj dikur ishte ai trinomi SHKOLLE, FAMILJE DHE SHOQERI. Te treja keto hallka kane ne dore te ardhmen e nje shteti dhe pergatitjen e brezit pasardhes.