Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, në fjalën e mbajtur në Kuvend akuzoi opozitën për paqartësi dhe qëndrime kontradiktore lidhur me bojkotin e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.
Balla deklaroi se opozita ka ndryshuar qëndrim brenda 24 orëve, duke theksuar se nuk ka një vendim të qartë për pjesëmarrjen në mbledhjet e komisionit.
Sipas tij, mazhoranca është e gatshme të vijojë punën e komisionit pa ndryshuar përbërjen, nëse opozita angazhohet të marrë pjesë rregullisht në mbledhje.
“Doli dje ky zotëria dhe tha që jeni tërhequr nga bojkoti i komisionit të posaçëm të reformës territoriale. Sot shoh që jeni tërhequr nga ajo që keni vendosur dje. Këta nuk janë tërhequr nga bojkoti. Jeni aq kakofonikë sa për një çështje çoheni dy veta”, deklaroi Balla.
Ai shtoi se mbledhja e komisionit nuk mund të zhvillohet pa kuorumin e nevojshëm dhe i kërkoi opozitës një përgjigje përfundimtare.
“Ju angazhoheni që të merrni pjesë rregullisht në mbledhjet e komisionit të posaçëm? Nëse na thoni që do vini në mbledhje, nuk ka nevojë të ndryshojmë asgjë. Na e thoni këtë deri në darkë. Do presim deri në darkë dhe pastaj do vendosim”, tha ai.
Nga ana e tij, deputeti demokrat, njëherësh bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi hodhi poshtë pretendimet e Ballës, duke theksuar se nuk ka pasur mbledhje të vlefshme të komisionit, pasi ato nuk janë thirrur sipas rregullores së Kuvendit.
“Nuk ka pasur mbledhje të vlefshme që të përcaktoni prezencën ose mungesën tonë. Mbledhja e komisionit thirret në konsultim me kryesinë e komisionit dhe një konsultim i tillë nuk ka pasur.”
Boçi akuzoi mazhorancën se po përpiqet ta përdorë reformën territoriale për interesa politike dhe jo në shërbim të qytetarëve. “Ju doni ta bëni çoroditjen e gjithë Shqipërisë, ashtu siç e keni bërë ndarjen sipas votave politike dhe jo sipas interesave të shqiptarëve. Mos bëni ultimatume as në Konferencën e Kryetarëve dhe as në seancë. Ne jemi parti autonome dhe vendimet i marrim vetë”, deklaroi Boçi.
Në përfundim, deputeti demokrat theksoi se, pavarësisht debateve politike, të gjitha palët kanë detyrimin të respektojnë rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën.











