Kryeministri Edi Rama tha se Kancelarja Merkel ka vënë në lëvizje mekanizmin e ndihmës së emergjencës.
Në një postimin në Twitter, Rama shkruan se kanë ofruar gjithashtu ndihmë për situatën emergjente të krijuar edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministri i Bullgarisë, Borisov.
“Kancelarja Merkel ka vënë në lëvizje mekanizmin e ndihmës në emergjencë. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zaev, dhe Kryeministri i Bullgarisë, Borisov, shprehën gatishmërinë për të aktivizuar mekanizmat e tyre të ndihmës”, shkruan Rama.
Më herët Rama bëri thirrje për kurajo, durim dhe solidaritet, ndërsa lajmëroi se nga Italia, Greqia, Turqia dhe Franca po ndihmohet Shqipëria.
“Të gjithë miqtë e Shqipërisë po aktivizohen me shpejtësi🙏 Kryeministri Conte e kryeministri Mitzotakis nisën avionët me skuadrat speciale🙏 Presidenti Macron e Presidenti Erdogan më shprehën gatishmërinë për çdo nevojë🙏 Ambasadat e BE/SHBA kanë njoftuar qysh herët gatishmërinë🙏
Kontaktet vazhdojnē intensivisht. Qysh herët më ka telefonuar edhe Presidenti Thaçi, i cili ka aktivizuar skuadrat speciale të FSK drejt zonave të krizës emergjente për nxjerrjen e njerëzve ende nën rrënoja🙏.
Vazhdojnë kontaktet, ndërkohë që në terren po bëhet gjithçka e mundur, në çdo pikë ku ka rrënoja, si edhe për të asistuar të gjithë të dëmtuarit që kanë nevojë për ndihmën shëndetësore”, shkruan Rama.











