• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, December 5, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Editorial

Tërheqja amerikane nga punët e brendshme të Shqipërisë (dhe të botës)

by Skënder Minxhozi
21/07/2025 12:59
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Skënder Minxhozi/

Në vazhdën e zgjedhjeve relativisht të qeta të 11 majit, sipas standartit shqiptar të zgjedhjeve, një temë e mbajti ndoshta më shumë se të tjerat të tendosur debatin postelektoral për shumë ditë. Ishte “heshtja që fliste” e ambasadës amerikane në Tiranë në lidhje me rezultatin, fitimtarët dhe humbësit. Më saktë, heshtja e autoriteteve amerikane që nuk po dërdonin ende mesazhet e rastit për rezultatin e votimeve dhe mënyrën sesi u zhvilluan ato. Një mesazh i tillë i prerë dhe i paapelueshëm ka qenë tradicionalisht këto 34 vite gongu i mbarimit të garës zgjedhore në vendin tonë.

Gjerësisht qëndrimi amerikan është pranuar si standarti i vlerësimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Aq sa pala humbëse e ka pasur përherë të vështirë ta hedhë poshtë ose ta anashkalojë atë, ashtu si edhe pala fituese është kujdesur me fjalët dhe reagimet kur deklarata nga Uashingtoni kishte vërejtje apo tërheqje veshi.

Ky vit do të jetë i ndryshëm. Ashtu si shumë e shumë gjëra kanë qenë të ndryshme pas 20 janarit për të gjithë globin, kur në Zyrën Ovale hyri për herë të dytë Donald Trump. Nuk mërzitet vetëm Berisha me heshtjen amerikane, mërziten edhe evropianët me aleatin e madh që vendos tarifa, mërziten të dyja hemisferat dhe mbi 170 shtete që jetojnë në to për modifikimet e politikës së jashtme amerikane. SHBA ka premtuar të ndryshojë politikën e saj të jashtme, duke ribërë piketat historike të diplomacisë së saj që e shtynin të ishte kudo dhe të fliste, e disa herë të vendoste, për gjithçka.

Pa i hyrë thellë këtij procesi që pritet të jetë i gjatë dhe tejet kompleks, media amerikane njoftoi së fundi se administrata Trump ka marrë vendimin për të hequr dorë nga linja ndërhyrëse në proceset elektorale në botë, duke marrë një pozicion asnjanës dhe protokollar. “Departamenti i Shtetit do të ndërhyjë në zgjedhjet e huaja vetëm kur të ketë një interes të qartë dhe të fuqishëm për SHBA-në, duke u fokusuar në rëndësinë strategjike dhe jo në përhapjen e vlerave demokratike”, shkruan networku i madh Fox News.

Dhe një provë të vogël të këtij e patëm edhe ne shqiptarët që në 11 maj, në këtë cep të Evropës. Ndërsa administrata Biden ishte e kudondodhur para, gjatë dhe pas zgjedhjeve me deklarata e qëndrime disa herë edhe urgjente e kritike, ambasada e SHBA në Tiranë qëndroi gjatë në heshtje teksa rezultati i zgjedhjeve merrte formë. Aq sa, duke e vënë përballë këtë qëndrim të pazakontë me shifrat e zhurmshme të socialistëve, opozita nuk vonoi të krijonte një re tymi sa i përket asaj që e quajti “pakënaqësi amerikane në lidhje me zgjedhjet shqiptare”. “E shihni që s’i kanë uruar, prisni kur t’i heqin vizën. Është çeshtje orësh” – sa e sa orë televizive, shkrime dhe komente e analiza janë derdhur në eterin shqiptar si variacion i këtij kumti pas 11 majit, çka ishte de facto e fundit komardare shpëtimi që i mbeti Sali Berishës përballë 83 mandateve të Edi Ramës.

Prognoza e opozitës për pakënaqësinë amerikane rezulton e pavërtetë, teksa lexon shkrimin e Fox News. SHBA kërkon të ndryshojë kursin e diplomacisë së saj misionare, duke u fokusuar tek një pozicion pragmatist dhe në përputhje të ngushtë me interesat  e saj strategjike. Jo më përhapje e demokracisë në çdo cep të globit si në kohën e republikanëve të G.W.Bush, as edhe një predikim i përbotshëm vlerash apo lista porosish ndaj një morie shtetesh, si çka ndodhur me administratat e Obamës apo Biden. Kjo linjë duket se ka marrë fund, në këmbim të një pozicionimi më të ftohtë e më pak paternalist në këto tema.

Tërheqje apo një riformatim i protagonizmit të shtuar të dekadave të fundit, kjo është diçka që do të marrë formë në muajt dhe vitet e ardhshme. Një gjë ama është e sigurt qysh në krye të herës: Donald Trump ka alergji nga leksionet demokratike kur vjen puna tek zgjedhjet. Shumëkush kujton sesi kontestimi që ai i bëri humbjes përballë Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020, degjeneroi në sulmin ndaj Capitol Hill në 6 janar 2021 ku pati të vrarë dhe të lënduar. Tema e zgjedhjeve është për Trump një nerv i zbuluar dhe me shumë gjasë pozicioni i ri i Departamentit të Shtetit e reflekton edhe në kursin e vet diplomatik këtë rrethanë konkrete që lidhet me Amerikën e pas vitit 2021.

Një tjetër temë irrituese për Presidentin Trump është ajo e drejtësisë. Edhe në këtë aspekt qëndrimi amerikan në lidhje me drejtësinë shqiptare ka reflektuar gradualisht  dhe indirekt humorin e prishur të presidentit Trump me gjykatat e prokurorët e SHBA, të cilët hodhën mbi të një mal prej mbi 90 akuzash para zgjedhjeve të fundit presidenciale.

Heshtja e amerikanëve gjatë muajve të fundit ndaj SPAK dhe përgjithësisht ndaj reformës në drejtësi, ka “folur” në mënyrë mjaft elokuente pa e hapur gojën. Jo më deklarime në mbështetje të drejtësisë së re shqiptare, jo më takime e foto protokollare me përfaqësues të saj, por thjesht një pajtim në heshtje me qëndrimet evropiane në lidhje me këtë temë. Ka rënë në sy muajt e fundit fjala vjen, që takimet e diplomatëve amerikanë me krerë të drejtësisë së re janë kryer në ambasadat britanike ose evropiane, por jo në ambasadën amerikane siç ndodhte rëndom.

Është logjike të mendohet se kjo ftohje e Uashingtonit ndaj këtij projekti të financuar me para amerikane dhe të mbështetur fort qysh në ditët e para pas vitit 2015, ka të bëjë me një qëndrim të ndryshuar të administratës Trump ndaj sistemit të drejtësisë në përgjithësi. Të cilin vetë Donald Trump e ka akuzuar si një repart inkuizitor që godet në mënyrë selektive dhe tendencioze kundërshtarët politikë.

Këto modifikime të politikës amerikane ndaj Shqipërisë shënojnë një kthesë që do të prodhojë efektet e saj në skenën shqiptare. Për mirë ose për keq kjo mbetet të shihet. Ne duhet të fillojmë ta mësojmë veten se nuk do të kemi më mbi krye arbitrin e përjetshëm amerikan, që na thotë çfarë është e drejtë dhe çfarë jo. Kjo është një mundësi për të krijuar pjekurinë dhe pavarësinë tonë, ashtu siç mund të jetë edhe një rrethanë që do ta përkeqësojë, të paktën në hapat e parë, situatën në lidhje me zbatimin e ligjit, standartet demokratike dhe soliditetin e shtetit. Megjithatë për amerikanët kjo tashmë ka pak rëndësi. Ata kanë përqafuar platformën “America First” (Amerika më e para) dhe kjo nënkupton heqjen dorë nga shumë prej spaletave që kanë mbajtur në skenën botërore. Kemi hyrë në një botë të re bashkë me shumë të tjerë rrotull nesh, apo edhe në cepat më të largëta të globit. Duhet të mësojmë të notojmë vetë!

Next Post
Horoskopi ditor, e enjte 28 mars 2024

Horoskopi ditor për nesër, e Martë 22 Korrik 2025

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

A mund Salianji ta përsërisë historinë në PD siç bëri Rama në PS!

Forcë të re politike? Përgjigjet Salianji: S’kam marrë asgjë qyl në PD…

December 4, 2025
Karikimi i mjeteve elektrike, kryeministri Rama sqaron si do të jetë çmimi

Makinat elektrike, ERE rrëzon kërkesën e taksistëve, çmimi i karikimit mbetet 22 lekë/kWh

December 4, 2025
Erion Braçe: Po vjen tetori, komisionet duhet të nisin punën! Jemi shumë vonë me…

‘Revoltohet’ Braçe: Pensionet, një turp! Qeveria s’mund ta zëvendësojë reformën me shpërblime

December 4, 2025
“Nuk bërtas për spektakël”, Braçe për Veliajn: Më ka dhembur ajo histori, kisha të drejtë kur thashë se…

“Nuk bërtas për spektakël”, Braçe për Veliajn: Më ka dhembur ajo histori, kisha të drejtë kur thashë se…

December 4, 2025
Rama ndan punët për zgjedhjet në Tiranë, Braçe i pakënaqur: Më hoqën nga fushata në Njësinë 5 pa arsye, akt i padrejtë por..

Braçe kundër ministrit Malaj për “paqen fiskale”: Përfitojnë borxhlinjtë e mëdhenj…

December 4, 2025
“Harrove që më luteshe të të gjeja punë”/ Sherr mes Nokës dhe Bidos : Sa të bën kostumi, un aq kam pasurinë

“Harrove që më luteshe të të gjeja punë”/ Sherr mes Nokës dhe Bidos : Sa të bën kostumi, un aq kam pasurinë

December 4, 2025
“Kryetari i komanduar i PD bën biznes me Vangjush Dakon!”, Salianji: Berisha më ka thënë se…

“Kryetari i komanduar i PD bën biznes me Vangjush Dakon!”, Salianji: Berisha më ka thënë se…

December 4, 2025
“Synojmë vota nga elektorati gri”, Salianji: Kandidatët e pavarur janë të opozitës pa diskutim!

“Dua të mund Ramën, jo të qajmë prap!” Salianji zbulon ku e ka pakënaqësinë me Berishën

December 4, 2025
“Ju doni të rregulloni një parti që ka vdekur!”/ Alimehmeti: PD-në e ka doktori…

“Ju doni të rregulloni një parti që ka vdekur!”/ Alimehmeti: PD-në e ka doktori…

December 4, 2025
Salianji ironizon protestat e Berishës: Nuk rrëzohet Rama duke vënë muzikë para Kryeministrisë

Salianji ironizon protestat e Berishës: Nuk rrëzohet Rama duke vënë muzikë para Kryeministrisë

December 4, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In