Dy persona janë vënë në pranga nga Policia e Pogradecit, pasi tentuan të merrnin me forcë në automjet një 17-vjeçar, ndaj të cilit ushtruan edhe dhunë fizike, duke e plagosur me thikë.
Në pranga ranë M. Xh. dhe A. H., të cilët u larguan nga vendngjarja, me automjet, por që më pas u kapën nga policia e Pogradecit.
“Nga hetimet dyshohet se këta dy shtetas kanë tentuar të marrin me forcë në automjetin e tyre, një 17-vjeçar me të cilin ishin konfliktuar për motive të dobëta, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij dhe e kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë), në dorë.
17-vjeçari mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Në përfundim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetasit M. Xh., 33 vjeç dhe A. H., 32 vjeç, banues në Pogradec, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.











