Një 31-vjeçar, shtetas turk, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje në Maqedoninë e Veriut, është arrestuar në pikën kufitare të Morinës, në tentativë për të hyrë në Shqipëri. Policia Kufitare e Morinës, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, ka bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e shtetasit me inicialet B. K., banues në Turqi.
Gjatë verifikimeve rezultoi se 31-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, për veprën penale të vrasjes. Ndaj tij ishte lëshuar një vendim më 27 tetor 2026 nga Zyra e Prokurorisë Publike në Shkup.
Pas konfirmimit të të dhënave, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës kryen procedurat për arrestimin e tij, me qëllim ekstradimin drejt Maqedonisë së Veriut.
Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët maqedonas, po vijon procedurat për ekstradimin e 31-vjeçarit, i cili do t’u dorëzohet autoriteteve të vendit ku kërkohet për t’u përballur me drejtësinë.











