Komisioni Evropian i ka bërë thirrje kompanisë SpaceX që të rikthejë urgjentisht shërbimet e plota të Starlink në Ukrainë, duke i cilësuar raportimet për kufizimin e shërbimeve si “thellësisht shqetësuese”.
“Raportimet e fundit se Starlink ka ngadalësuar shërbimet e tij në Ukrainë janë thellësisht shqetësuese dhe në kundërshtim me mënyrën se si kompania i ka ofruar më parë këto shërbime”, tha zëdhënësi Thomas Regnier gjatë konferencës për media të mesditës.
“SpaceX duhet të rikthejë urgjentisht shërbimet e plota për Ukrainën, sepse vendi ka nevojë për këtë informacion jetik për të mbajtur ushtarët të lidhur, për të mbrojtur qytetarët e tij, por edhe për të drejtuar dronët e nevojshëm për mbrojtjen e territorit”, shtoi ai.
Regnier tha se lufta në Ukrainë ka dëshmuar rëndësinë e kapaciteteve hapësinore për sigurinë e Evropës, duke theksuar se blloku duhet t’i forcojë kapacitetet e veta.
Raportimet e disa mediave tregojnë se SpaceX ka vendosur kufizime në disa shërbime të Starlink-ut në Ukrainë më 14 tetor, duke ndërprerë operacionet e dronëve ushtarakë dhe komunikimet.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se kufizimet kanë ndikuar në misionet me dronë, ndërsa lidhja raportohet se ndërpritej kur terminalet tejkalonin shpejtësinë prej 160 kilometrash në orë.











