Protestuesit e Unazës së Re, kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar takim me kryebashkiakun Erion Veliaj.
Ata kanë shtyrë me forcë punonjësit e policisë, teksa kanë tentuar që të hapin derën hyrëse.
Por ata janë penguar nga policia, duke vijuar me thirrjet e tyre. Sakaq në mbështetje të policisë kanë shkuar forca shtesë.
Banorët që preken nga projekti i Unazës së Madhe kanë dalë sërish sot në protestë, qysh prej orës 10.00 para Bashkisë së Tiranës.
Ata kërkojnë që të gjendet zgjidhje për ta, duke thënë se nuk do largohen nga banesat, pa u bërë kompensimi sipas vlerës së tregut.
Gjithashtu ata vijojnë të kërkojnë takim me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, teksa kanë bllokuar edhe rrugën që kalon në anë të Bashkisë,
“Kryeministër ku je fshehur”, “Shtëpitë do ti mbrojmë me trupat tanë”, “Dy duar për një kokë” etj., ishin disa nga pankartat që banorët protestues mbanin në duar.
“Po na dënojnë me vdekje? Le të vijnë të na bëjnë varrin atje, por shtëpitë nuk i lirojmë. Do i mbrojmë me gjak”, thanë protestuesit.
Objektet që prishen nga projekti janë ato të ngritura nga zona e “Pallatit me shigjeta” e deri te sheshi “Shqiponja”, në të dy anët e rrugës.
Nga vlerësimi i bërë në terren janë 317 objekte që preken, të cilat janë 163 janë në proces legalizimi.