Italia duket se do të shkojë drejt zgjedhje të parakohshme. Orët e fundit ka pasur tensione dhe shkëmbime akuzash mes aleatëve të qeverisë. Pasditen e së enjtes ka patur një takim mes Kryeministrit Giuseppe Conte dhe zv/Kryeministrit Matteo Salvini, i cili është gjithashtu edhe ministër i Brendshëm.
“Të provojmë në Parlament nëse kemi shumicën qeverisëse dhe më pas fjalën e kanë votuesit”, mësohet të ketë thënë Salvini, raporton “Ansa”.
“Italianëve u duhet më shumë siguri. Nuk duam më shumë kolltuqe apo ministra, nuk duam riorganizime apo qeveri teknike. Pas kësaj qeverie, e cila ka bërë gjëra shumë të mira, ekzistojnë vetëm zgjedhjet”, ka shkruar Salvini në një shënim për mediat.
Zv/Kryeministri tjetër i qeverisë, Luigi Di Maio, i cili ka qenë gjithashtu i pranishëm në takim, tha për gazetarët: “Unë jam i qetë, ne po punojmë për vendin. Po bëhen bisedime, por unë po paguhem për të punuar për italianët”.
Në mediat italiane është aluduar më herët se ministri i Brendshëm Matteo Salvini kishte kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit ose do të tërhiqte nga qeveria ministrat e partisë së tij. Por zyrtarë të mazhorancës qeverisëse i kanë hedhur poshtë këto hipoteza.