Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, në një dalje tjetër për median, pas deputetes Hajdarmata, ka vazhduar denoncimin e aferës korruptuese të kryeministrit me “ndërtuesin e sarajeve të tij”. “Korrupsioni me tenderat për ndërtim godinash, ku fituesi është i paracaktuar dhe është Carapuli i tij, po shfaqen gjithandej. Ndërtuesi i sarajeve të Edi Ramës paraqet ofertën më të lartë, mundësisht aq sa është fondi limit, dhe shpallet sërish fitues. Edhe më skandaloze është çështja, kur fondi i vënë në dispozicion për ndërtuesin e Ramës zmadhohet e fryhet, në mënyrë që fitimi i tij të jetë i majmë”, tha Boçi.
Përmes një dokumenti, Boçi ka treguar sesi shpallet fitues firma “Eurocol” e Carapulit, duke u skualifikuar të gjithë ofruesit e tjerë me shuma shumë më të vogla. Sipas dokumentit, ndërtuesi i Ramës ka ofruar 99,2 për qind të fondit limit, 5 miliardë lekë, ndërkohë që garuesit e tjerë kanë pasur oferta më të ulëta, nga 4 deri në 4,8 miliardë.
“Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të hetojë këto raste skandaloze të shkeljes së ligjit dhe procedurave në tendera, këto raste të pastra të korrupsionit, kur paratë publike shkojnë gjithnjë te miku i Edi Ramës, i njohur botërisht si ndërtuesi i sarajeve të tij në Surrel”.









