Përmes një daljeje publike për mediat, ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka publikuar prova të reja rreth dosjes “Babale”.
Ditën e sotme, Salianji zbuloi disa audiopërgjime mes Fredi Alizotit dhe ish-drejtorit të Policisë së Fierit, Albert Nushit.
“Ne sot po ju paraqesim disa prej përgjimeve ku paguhet dëshmitari Alizoti prej drejtorit dhe nëndrejtorit të policisë së Fierit të asaj kohe dhe shumë përgjime të tjera që nuk janë transkriptuar në shkelje të ligjit nga ana e Prokurorisë.
Sajimi i dëshmitarit të rremë zbulohet dhe me përgjimet zyrtare të prokurorisë. Fredi Alizoti pranon se po merr para dhe nuk e ka problem të bëjë burg”, tha Salianji.
Ai u shpreh se përgjimet në fjalë nuk janë marrë parasysh qëllimisht nga prokuroria gjatë hetimeve të saj, çka nënkupton sipas ish-deputetin ndërveprimin e qeverisë me krimin.
“Përgjimet faktojnë vënien e qeverisë në shërbim të krimit. Sajimi i dëshmitarit të rremë zbulohet dhe me përgjimet zyrtare të prokurorisë“, tha Salianji.
Gjithashtu Salianji paralajmëroi se nesër në orën 10 do të publikojë fakte të reja.
“Nesër në orën 10 do të kemi fakte dhe prova të reja shkencore të cilat janë në fashikkullin e Prokurorisë dhe janë marrë me vendim gjykate që faktojnë në mënyrë më të plotë dhe ta padiskutueshme të gjithë atë që ne kemi thënë”, tha ai.
g.kosovari











