Nga Prof. Dr. Elvin Meka*
Revolucioni i Katërt Industrial, i njohur si 4.0, nisi në Gjermani, në vitin 2011, për të përshkruar automatizimin inteligjent të prodhimit, përmes teknologjive dixhitale. Sot ai ka shndërruar çdo hallkë të ekonomisë globale, duke vendosur komunikimet elektronike dhe rrjetet mobile, në zemër të këtij ndryshimi. Në suazën e këtij revolucioni digjital, sipërmarrjet e telekomunikacionit, veçanërisht ato të telefonisë së lëvizshme, po kalojnë një transformim të thellë në çdo aspekt, por veçanërisht në modelin e biznesit, i cili ka lëvizur me shpejtësi nga ai tradicional, si ofrues klasik i shërbimeve të komunikimit, në atë të shoqërive tipike teknologjike. Në këtë kapacitet, ato janë shndërruar tashmë jo vetëm në sipërmarrje strategjike, por edhe lojtarë kyç të përparimit dhe inovacionit teknologjik global.
Një industri me investime të larta dhe kthim të maturuar
Telekomunikacioni është një industri kapitale me cikël investimesh të kushtueshme dhe amortizim të shpejtë. Çdo gjeneratë e re teknologjie kërkon përditësim të menjëherëshem dhe investime të reja. Për më tepër, sektori është ndër më të rregulluarit në ekonomi – shpesh i mbirregulluar – për shkak të rolit që luan në sigurinë kombëtare, mbrojtjen e të dhënave dhe funksionimim e shërbimeve publike. Në një treg të vogël si Shqipëria, ku mungon ekonomia e shkallës dhe fuqia blerëse mbetet nën mesataren e BE-së, operatorët përballen me një ekuacion të ndërlikuar; duhet të mbajnë cilësi europiane të shërbimit, por në kushte të brendshme ekonomike, që nuk e mbështesin plotësisht këtë standart. Megjithatë, Vodafone Albania ka arrituar të ruajë këtë balancë, për më shumë se dy dekada, duke ofruar lidhje dhe shpejtësi të krahasueshme me vendet e BE-së, dhe me një kosto shumë më të ulët për qytetarin.
Çmimet dhe perceptimi publik
Në perceptimin publik, telekomunikacioni shpesh shihet si “i shtrenjtë”. Por të dhënat tregojnë të kundërtën; përdoruesit shqiptarë paguajnë mesatarisht 6-7 euro në muaj, ndërsa në Greqi apo Rumani shuma është 12-15 euro. Çmimet e internetit fiks janë 30-40% më të ulëta se mesatarja e BE-së, ndërkohë që cilësia është e krahasueshme, dhe në shumë raste më e mirë se dhe vendet e BE-së. Në realitet çdo euro e paguar nga konsumatori rikthehet në formën e investimeve për rrjetin, energjinë, teknologjinë e re, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e mjedisit. Fitimi neto para tatimit, më pak se 10% e të ardhurave totale, tregon një industri që operon me marzhe të kufizuara, duke mbajtur funskionale një infrastrukturë që kërkon mirëmbajtje 24 orë në ditë.
Telekomunikacioni si shumëzues ekonomik
Çdo euro e investuar në rrjetet e telekomunikacionit, gjeneron deri në pesë euro në rritje të PBB-së, përmes produktivitetit, inovacionit dhe dixhitalizimit. Në Shqipëri, ky efekt është më i ndjeshëm; lidhjet e sigurta ndihmojne ndërrmarjet e vogla të hyjnë në tregje të reja, mbështesin shërbime publike dhe krijojnë kushte të qendrueshme për investitorët e huaj. Me fjalë të tjera, çdo faturë mujore e qytetarëve është një kontibut i drejtpërdrejtë në modernizimin e vendit.
Një aktor kryesor në infrastrukturën kombëtare
Që prej vitit 2001, Vodafone Albania ka investuar mbi 1.3 miliardë euro në rrjetet e komunikimit dhe teknologjinë digjitale të vendit, ka paguar mbi 792 milionë euro në taksa e tarifa dhe mbi 200 milionë euro për licensat e spektrit për rrjetet 2G, 3G, 4G dhe 5G. Vetëm në vitin 2024, kompania ka investuar 43 milionë euro në rrjet dhe afro 30 milionë euro në furnitorë vendas. Me 195 milionë euro të ardhura nga shërbimet dhe 15 milionë euro fitim para tatimit, Vodafone Albania mbetet një nga kontribuesit më të rëndësishëm në ekonominë shqiptare. Por ndikimi i saj shkon shumë më përtej se shifrat. Telekomunikacioni është sot një infrastrukturë publike po aq e rëndësishme sa energjia apo transporti. Çdo transaksion elektronik, çdo mësim i bërë “online”, shërbim publik apo qoftë dhe aplikimet në industri të ndryshme si në bujqësi, funksionon mbi rrjetet që kompani si Vodafone ndërtojnë dhe mirëmbajnë. Me një mbulim prej 99.7% të popullsisë me 4G dhe gati 40% me 5G, Shqipëria renditet e dyta në Ballkan për shpejtësinë e internetit celular dhe ndër më të lartat në Europë, për internetin fiks ose WiFi siç njihet rendom.
Një industri që kërkon kuptim dhe besim
Telekomunikacioni duhet parë jo si luks, por si themel i zhvillimit modern. Për të garantuar internet të mirë, që na mundëson lidhjen në kohërat moderne, internet konkurues dhe gati për dekadën e ardhshme digjitale, është e domosdoshme një qasje më racionale ndaj debatit publik për çmimet. Pyetja nuk duhet të jetë “pse nuk janë më të ulta çmimet”, por “ si është e mundur që me këto çmime Shqipëria arrin cilësi europiane?”. Përgjigja është e qartë: falë investimeve të vazhdueshme, standardeve ndërkombëtare dhe përkushtimtit për të ndërtuar një të ardhme digjitale, të qendrueshme.
*Zv. Rektor & Dekan, Fakulteti i Biznesit dhe Drejtësisë TIRANA BUSINESS UNIVERSITY College











