Një mbledhje plot tension, nga ato që PD nuk është mësuar të shohë shpesh. Eduard Selami ka pasur kritika të forta pë kryetarin Basha, duke u perkrahur edhe nga Topalli e Imami. Kjo situatë ka shtyrë Bashën të largohet para kohe nga mbledhja, megjithëse është marrë në mbrojtje nga Berisha.
Debati është zbardhur i plotë nga Panorama.
Sali Berisha: Të nderuar deputetë, për të qenë sa më transparentë me secilin prej jush, do të doja që të bëja të qarta të gjitha diskutimet që kemi bërë me aleatët tanë për çështjen e Byrosë së Hetimit. Bashkë me kryetarin e partisë, zotin Basha, kemi qenë në takime intensive këto ditë me eurodeputetët Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, por njëkohësisht edhe me dy ambasadorët e nderuar, zotin Donald Lu dhe ambasadoren e BE-së, zonjën Romana Vlahutin. Në këto takime kemi marrë mbështetjen absolute, dua ta theksoj absolute, nga të gjithë se jemi në rrugën e drejtë me qëndrimet mbajtura si opozitë edhe për çështjen e Byrosë së Hetimit, edhe për Reformën në Drejtësi. Me ambasadorët Lu dhe Vlahutin kemi pasur edhe një drekë pak kohë më parë, në të cilën kemi qenë konsistentë me qëndrimet tona për këto çështje. Unë personalisht i kam shprehur ambasadorit Donald Lu rezervat e mia në lidhje me formën e propozuar nga maxhoranca për funksionimin e Byrosë së Hetimit. Ne nuk e pranojmë dhe nuk do ta pranojmë një Byro që është nën drejtimin politik të Edi Ramës. Këtë qëndrim do ta shprehim edhe ditën e nesërme në Parlament. Ne do t’u qëndrojmë strikt rekomandimeve që do të bëjë Komisioni i Venecias. Pasi të kenë ardhur vërejtjet, do të kemi shumë më pak diskutime në lidhje me këtë çështje. Edhe në bisedat që kemi pasur me ambasadorin amerikan na është dhënë mbështetja se organi i Byrosë së Hetimit mund të funksionojë në mënyrë të pavarur vetëm nëse do të jenë në varësi të Prokurorit të Përgjithshëm.
Eduard Selami: Zoti Basha, nëse mundem.
Lulzim Basha: Po, patjetër.
Eduard Selami: Fillimisht, dua t’ju kërkoj diçka që është parimore dhe nuk është aspak etike. Ne deputetët e grupit parlamentar njoftohemi nga sekretaritë përkatëse për një orar dhe të gjithë lëmë çdo impenjim për të qenë pjesë e mbledhjes. Nuk e shoh aspak normale që të rrimë 30 minuta, ndoshta edhe 1 orë në pritje të ardhjes suaj. Do të ishte më korrekte të shtynit mbledhjen në një orar tjetër, sesa i gjithë grupi parlamentar të jetë në pritje të vazhdueshme. Ndërkohë që, në radhë të dytë, dhe çfarë është më e rëndësishmja, kam një vërejtje sa i takon funksionimit të raportit që ju si kryetar keni me grupin parlamentar. E dëgjova me vëmendja gjithçka që tha zoti Berisha dhe më duket anormale që unë, por edhe kolegët e mi të informohemi vetëm sot. Ju shpesh dilni, bëni deklarata publike ku për vendime personale deklaroni se janë qëndrime të Partisë Demokratike. Kjo është e padrejtë. Reforma në Drejtësi dhe Byroja e Hetimit janë çështje që pa diskutim kërkojnë një vendimmarrje të përbashkët me grupin parlamentar. Ju e dini shumë mirë se si gabuam, duke funksionuar në të njëjtën formë me Reformën Territoriale, e cila nuk u konsultua me të gjithë dhe i pamë pasojat që kishte në zgjedhjet lokale.
Edmond Spaho: Nuk i shoh si të nevojshme këto komente, zoti Selami, tjetër gjë jemi duke diskutuar.
Eduard Selami: Duke na mbajtur të informuar, kemi më shumë mundësi të jemi në veprim dhe të lobojnë të gjithë si deputetë me aktorët vendas, por edhe të huaj për të çuar drejt një zgjidhjeje që përfshin edhe opozitën. Deklaratat e PD-së i kam parë të paqarta dhe të lëkundura ditët e fundit dhe kjo vjen për shkak se vendimet nuk konsultohen, por thjesht bëhen publike.
Arben Imami: Është e vërtetë, edhe forumet duhej të ishin përfshirë më tepër.
Lulzim Basha: Zoti Selami, e vlerësoj vërejtjen tuaj, por duhet të kuptojmë se vonesat jo gjithmonë janë në dorën time. Unë si kryetar, ulem në tryezën e mbledhjes në një kohë që kanë ardhur të gjithë deputetët e Grupit Parlamentar, sepse nuk ka sens të fillojmë dhe të hyjmë më pas njëri pas tjetrit. Humb rrjedha e bisedës, humb vijueshmëria e diskutimit. Impenjimi i disa kolegëve në komisionet parlamentare është bërë shkak jo në pak raste për vonesat në mbledhje. Për çështjen e kontributeve, besoj se nuk është nevoja që t’jua kërkoj unë, gjithsecili duhet të kryejë funksionin e tij si opozitar.
Sali Berisha: Dua ta sqaroj edhe një herë këtë gjë. Zoti Selami, diskutimi i sotëm për këto çështje ishte pikërisht për të sqaruar negociatat që ne kemi kryer me aleatët tanë. Kryetari i partisë, zoti Basha, ka bërë dhe vazhdon të bëjë përpjekjet maksimale që kërkesat e opozitës të zbatohen. Më lejo të të shpreh edhe një vlerësim që zoti Knut Flenckenstein i ka bërë gjatë takimit të zhvilluar zotit Basha. Eurodeputeti i ka thënë zotit Basha se edhe unë nëse do të isha në vendin tuaj, të njëjtën gjë do të kisha bërë. Po bëni përpjekjet maksimale për të arritur drejt një zgjidhjeje konsensuale dhe që respekton rekomandimet e Venecias.
Lulzim Basha: Qëndrimet tona kanë qenë të hapura dhe koherente me zhvillimet. Së bashku me përfaqësuesit e SHBAve, e kemi konceptuar Byronë si një Task-Forcë permanente, ose më saktë një instrument të përhershëm të Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore që do të hetojë korrupsionin në nivelet e larta. Kjo është e vetmja tezë që ne pranojmë, pasi vetëm kjo u referohet rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Propozimet që miratojnë në mbledhje qeverie, t’i mbajnë për vete. Ne s’pranojmë byro nën drejtimin e Saimir Tahirit. Ndërkohë, në mënyrë më të detajuar për mënyrën e funksionimit të Byrosë së Hetimit, do të jetë Oerdi ai që do ta shpjegojë. Duke ju kërkuar ndjesë, mua më duhet të lëviz pasi jam në një takim me një zyrtar të lartë, mbledhjen do ta drejtojë zoti Spaho.(Largohet)
Oerd Bylykbashi: Pavarësisht se ende nuk e kemi lexuar të zbardhur vendimin e qeverisë, ajo që duhet të kemi të qartë është se një byro hetimi në varësi të Tahirit, nuk është asgjë tjetër veçse një instrument goditës për opozitën në duart e Ramës.
Arben Imami: Unë Oerdin e kam dëgjuar. Nuk e shoh të arsyeshme pse duhet të vazhdojë kjo mbledhje në një kohë që kryetari është larguar. Kryetari i grupit nuk është, ndaj është e kotë që të vazhdojmë diskutimet. (Largohet).
Jozefina Topalli: Nuk ka kuptim të vazhdojmë, mbledhjen duhet ta drejtojë kryetari.
Sali Berisha: Jozefina, qëndro më mirë.