Nga Ben Andoni
Ndryshe nga përpjekja për të bërë një letërsi të ashtuquajtur ndryshe, plot eksperimente forme dhe ndërthurje tekstesh, ku mungon tematika për hir të kinse modernes, autori i “Hide mbi kalldrëm” është drejtuar kah njërës prej hapësirave më sakrale të shoqërisë shqiptare. Ajo ka të bëjë me jetën e brendshme të fshehtë të shoqërisë shqiptare dhe kjo e parashtruar në një periudhë kohore, ku edhe historia e letërsisë dokumentare nuk është se na ndih shumë. PEGI duhet vlerësuar për përpjekjen e vet të përkorë që ta mbështesë autorin në rrugëtimin e tij.
Periudha kohore e paraluftës së Dytë Botërore, ku e ndërton habitatin e vet romani i autorit Tom Kuka, është interesant për metropolin ende qytezës të shtetit shqiptar, Tiranën që mezi sapo i ka mbushur dy-tre dekada jetë.
Libri ka një kompozicion të ndërthurur në mënyrë të rregullt, ku rrëfimi është në vetën e tretë. Personazhet e romanit janë në kërkim të një ngjarje vrasje, me të cilin autori hap librin, duke shënuar që në fillim pikën e ngjizjes së subjektit. Në formën sesi e ka zgjidhur, autori duket se është tejet pro-klasikes sa i përket kanoneve të letërsisë, teksa në frymën e letërsisë së Agatha Christie e mbars ngjarjen e tij duke të lënë të pezullt deri në fund.
Libri ka diagramën e zhvillimit të romanit klasik. Prezantimi i ngjarjes, që shoqërohet edhe me përshkrimin indirekt të mjedisit dhe personazhet, zhvillimi, pika e ngritjes dhe në fund zgjidhja.
Vrasja e grekut Andon dhe jeta e tij e fshehtë e mban fillin që mundohet të çtjerrë në vepër Di Hima, personazhi kryesor dhe figura e intelektualit shqiptar shumë idealist, por gjithsesi edhe vetë indirekt pjesë përbërëse e kësaj shoqërie të prapambetur që po bën hapat e para në zhvillim. Hima, si një nga personazhet kryesore, jo vetëm zbulon nga momenti në moment shtjellën, por pas çdo ngjarje hetimi na përshfaq faktin se marrëdhëniet e seksit që gufojnë në këto shtëpi të qytetit të tij mbajnë jo vetëm forcë dhe interese, porse nga ana tjetër tregon qejfin e shfrenuar, lapërdhinë, e nëpërkëmbjen që shkon deri në shpërfytyrim në shoqërinë e metropolit shqiptar. Elementi i kohës është fare mirë i përcaktuar.
Megjithatë në atë nivel ku gjendet Shqipëria e varfër e kohës e që na sjell autori, kjo e ka një justifikim. Realisht është një kohë e panjohur që ty të fanepset nga filmat e dikurit që evokonin atë kohë, por në prizme të tjera, e kjo pasqyrë vjen nga figuracioni me prindër që i përcjellin me dëshirën e tyre vajzat në dyert e pasunarëve, familjarë që dinë mirë se ku përfundojnë nipërit e tyre, apo tutorët alla-shqiptarë dhe deri te inçesti.
Ashtu si e thamë më sipër duhet vlerësuar se autori di të ruajë dinamikën e veprës së tij që ka një kadencë të përcaktuar dhe që nuk e cenon asfare pjesën tjetër të veprës. Nuk rëndohet me mbiemra dhe sqarime, që ta ulin pezullin e veprës, por ato t’i lë ti zbulosh nga ndihma e vet e kursyer. Pse Hide mbi kalldrëm? Këtë mund ta shpjegoj më mirë autori, por ndoshta ndikimi që ka formimi ka bërë që metafora e titullit të sjellë këtë lloj ëmbëlsie të dënuar në një mjedis të ashpër. Mbase kjo të përcjell te një prekje e lehtë në disa cekje të letërsisë së realizmit magjik në Shqipëri, sa i përket ritmit dhe disa motiveve por aspak mbi kanonet e këtij sistemi. Tek e fundit realizmi magjik, me dukuritë e veta specifike, mund ta shijosh në çdo vend dhe nga kudo mund të zbulosh dukuritë specifike. Në fakt, në këtë roman kemi më shumë një neo- realizëm, shfrytëzuar në një kohë tjetër.
Interesant përdorimi i pseudonimit Tom Kuka, si autor i veprës, por edhe si personazh skajor, që gjithsesi përbën një vëzhgues të qetë të situatës, që përcjell e mbramja. Ndërkohë ngjizja e fabulës të përball me një formë shumë të këndshme sa i përket linjës të romanit që ndjek vrasjen, por më shumë operacionin që bën ndër një nga fenomenet më të dhimbshme të kohëve për shqiptarët: seksualitetin e fshehur. Ndoshta operacioni mund të shkonte për më shumë kah ideve të Jungut, por autorit me sa duket nuk i intereson kjo.
Ajo që e bën fare të afërt me kohën tonë është se libri përcjell frustrimin tonë para të vërtetës dhe vesit, që nuk mund ta frenojmë. Në një farë mënyre, ti shikon një lloj stepje para së të vërtetës por edhe individin shqiptar që do drejtësinë, e që nga ana tjetër e ka të pamundur në një shoqëri ku janë të gjithë të frustruar. Shqipëria e Tom Kukës është Shqipëria që e kemi para syve e frustruar dhe gjithnjë askurrë vetvetja.
Nëse do t’i referoheshim librit nga stili atëherë ai duhet konsideruar si i kujdesshëm, i rrjedhshëm që e ruan sensin e masës përmes përdorimit në tekst. Megjithë kontributin e leksikut, duhet thënë se duhet të kishte pak më shumë fjalë arkaike dhe figuracione të Shqipërisë së Mesme që i shkonin më shumë asaj kohe. E kjo e mirëkuptojmë se përbën një detyrë të vështirë, kur mungojnë fjalorë leksikorë të dialektologjisë. Gjithsesi këto janë më të paktat, për një roman që e shijon dhe e lexon menjëherë.
Ky është vështrimi ynë për këtë histori të përfshirë në një cepëz të Ballkanit, që dikur ka qenë pjesë e një perandorie të madhe, e cila la të plazmuar shenjën e vet në lëkurën e banorëve, që janë ende krenarë për një origjinë që e ndjejnë por nuk dinë ta shpjegojë.