Nga Ilir Yzeiri
Ajo që po ndodh këto ditë me protestat që kulmuan sidomos pas prishjes së godinës së ish-« Teatrit Popullor », që më pas u quajt « Teatri Kombëtar », ka nxjerrë edhe njëherë në reliev gjithë gërmadhat me të cilat është ndërtuar ligjërimi publik në Shqipëri ku askush nuk e merr vesh se çfarë po ndodh, ku të gjithë janë bërë aktorë, teatërdashës, lotërrëshqitës për vlerat që u shkërmoqën nga dhëmbët e fadromës, ulëritës dhe të mllefosur deri në alivonosje kundër një njeriu të vetëm me emrin Edi Rama.
Prishja e godinës së ish-«Teatrit Popullor», që më vonë u quajt «Teatri Kombëtar», thirri nën armët e ligjërimit të gjithë shkruesit dhe folësit e mundshëm, aq sa u krijua një pandehmë që, nëse nuk shpreheshe për këtë argument, ishe një njeri që merrje frymë kot në këtë ajrin e pastër të Albanisë.
Nuk mendoj se është shkruar ndonjëherë më shumë për një argument, për një temë, apo për një problem, shoqëror, politik apo psikologjik sesa romanet dhe novelat që u shkruan për «tragjedinë» e prishjes apo mosprishjes së godinës së ish-«Teatrit Popullor» që më vonë u quajt «Teatër Kombëtar».
Unë e kam të vështirë ta gjej se përse janë përfshirë të gjithë nga afshi për të folur e shkruar mbi këtë argument. Ndërkaq, si të mos mjaftonte kjo, tani, gjithë çfarë u krijua në këta vjet për këtë argument, e mori në dorëzim opozita. Ajo, ashtu siç bëri me « Astirin », me protestat te «Liqeni», me «Bunk’artin» e me ndonjë tjetër, edhe këtë radhë, mori në dorëzim frymëzimin e personazheve që mbajtën gjallë Aleancën për Teatrin dhe tani është angazhuar që jo vetëm do të protestojë fuqishëm, por ka bërë edhe betimin solemn që, nëse ajo vjen në pushtet, do ta rrafshojë godinën e re që do të ngrihet dhe do të rindërtojë të vjetrën.
Tradicionalistët dhe modernët
Në fakt, çfarë po ndodh realisht? Është shumë e vështirë të kuptohet për disa arsye, sipas meje. E para, frymëzuesit e ruajtjes së godinës së vjetër që shfaqen si tradicionalistë, nuk janë koherentë me shpirtin që kanë avanguardistët. Siç e dimë, nga historia jo vetëm e artit, por edhe e lëvizjeve rinore dhe atyre me frymëzim perëndimor modern, të tilla lëvizje, zakonisht, ngrihen kundër traditës, kundër së vjetrës, të asaj që është ngurtësuar me forma tradicionale të shenjave të etnisë apo nacional-romantizmit. Në emër të botës së lirë dhe të njeriut pa atdhe, këto lëvizje bëjnë me faj gjithçka tradicionale sepse, sipas tyre, tradicionalja ka sjellë përplasje, dhunë, luftëra, ndarje. Te ne ndodh ndryshe, gjithë ata që mbrojnë kauzën e ruajtjes së godinës së teatrit, identifikohen si kampionë të ruajtjes së traditës dhe të vlerave të krijuara. Godina e teatrit, në këtë pikë, u bë e shenjuara e vlerave dhe traditës së kulturës shqiptare. Në anën tjetër është vullneti i Edi Ramës, kryeministrit të Shqipërisë, i cili në këtë akt po shfaqet koherent me tipologjinë e artistit që ai përfaqëson. Nëse ndjekim kronologjinë e akteve të tij ndaj kësaj godine, ato janë të gjitha koherente. Ai kështu shfaqet, në fakt, si artist avanguardist, modern dhe pa asnjë kompleks. Ka qenë i bindur që në fillim që kjo lloj godine duhet shembur dhe në vend të saj duhet ngritur një tjetër që të kënaqë pse jo edhe egon e tij ekstravagante dhe pak surealiste.
Në qoftë se do ta ruanim nivelin e debatit në këtë pikë, unë mendoj se ende ka një zgjidhje për të gjetur një kompromis. Por për çfarë duhet kërkuar ky kompromis ? Unë mendoj se diskutimi duhet të përqendrohet pikërisht aty ku nisi problemi. Te raporti i traditës me modernen, i historisë së teatrit shqiptar me atë që do të ndodhë kur të ndërtohet godina e re. Mirëpo këtë dialog dhe këtë debat duhet ta bëjnë shkencëtarët dhe specialistët e traditës dhe ata që shoqëria i paguan për ruajtjen e vlerave të saj. Në këtë debat mund të përfshihen edhe ata që mendojnë se kanë diçka për të ofruar. Mirëpo, për fat të keq, ajo që po ndodh deri tani dhe ajo që ka ndodhur në gjithë këta vjet, nuk është shenjë e një shoqërie normale, por tregon se deri në ç’pikë është shkatërruar ligjërimi publik në Shqipëri dhe deri në çfarë feje është katandisur fjala këtu te ne. Secili i jep gojës si të mundet. « Gjak », « Të ha veshin », « Kriminel » e gjithfarësoj sharejsh e mallkimesh që nuk kursyen as përfaqësitë diplomatike në Tiranë. Një portestuese bëri thirrje të rrethohet ambasada e SHBA-së në Tiranë. Mirëpo, nëse nuk do të përziejmë problemin e teatrit me dramën e opozitës, jemi ende në kohë që të gjejmë një zgjidhje kompromisi për atë që do të ndërtohet mbi atë truall ku dikur ka qenë godina e ish-« Teatrit Popullor » që më pas u quajt « Teatri Kombëtar ». Mirëpo në fillim fare duhet të ndajmë dy gjëra.
Dhuratat nga pushtuesit italo-gjermanë
E para, publiku ka nevojë të sqarohet se çfarë është teatër dhe çfarë është tradita e një teatri. Teatri është vendi, godina, artefakti që mundëson dy hapësira: një skenë dhe një sallë në mënyrë që dy palë, nga njëra anë, aktorët dhe, nga ana tjetër, spektatorët të hyjnë në një marrëdhënie artistike. Pjesa që luhet në atë skenë, natyrisht, nuk është vetëm drama, por muzika, efektet, dekori, veshjet e aktorëve, shkurt, një ansambël mjetesh që mundësojnë shfaqjen e një drame, komedie, apo çfarëdo lloji tjetër që mund të luhet në skenë. Dalngadalë kështu krijohet edhe tradita. Mirëpo tradita nuk është godina, por janë aktorët, pjesët që luhen aty, rekuizita, gjithë ai ansambël që përmenda më lart. Ne, shqiptarët, nuk ngritëm asnjëherë një godinë që ta quanim Teatër Kombëtar. Për ironi të fatit, dy shenjat më të dallura të identitetit tonë, Universitetin dhe Teatrin Kombëtar, ne nuk i konceptuam si artefakte nacionale, por i morëm të gatshme. Godina ku për shumë kohë ka qenë Universiteti i Tiranës dhe sot Universitetit Politeknik, ka qenë Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë pushtuese italiane që u ruajt si e tillë edhe nga pushtuesit gjermanë. Godina e ish-Teatrit Popullor në fillim dhe Kombëtar më pas, u ndërtua nga pushtuesit italianë si një ambient kulturor me emërtimin pas pune-dopolavoro. Ndaj vlera e asaj godine në traditën shqiptare do të duhej të ruhej pikërisht kështu. Për t’u thënë brezave të ardhshëm se shqiptarët deri në vitin 2020, pra, që në ngjizje të tyre, nuk ndërtuan dot një godinë të tyren për Teatër Kombëtar dhe një godinë të tyren për Universitet, por ruajtën godinat që ndërtuan pushtuesit italianë e gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pikërisht në këtë formë do të duhet të ruhej dhe mund të ruhet ende ish-godina që u shkatërrua këto ditë.
Historia e Çarli Çaplin dhe teatri ynë
Kush e ka vizituar vilën dhe muzeun e Çaplinit, njërit prej aktorëve më të mëdhenj të të gjitha kohëve, në Veve të Zvicrës, ka mësuar shumë gjëra, kurse në shqiptarët në këtë kohë pandemie dhe në kohën e ngashërimit mbarëpopullor për teatrin që nuk e kemi më, mund të mësojmë të paktën dy-tri gjëra.
Kinemaja e Çaplinit u krijua në pjesën më të madhe në Amerikë. Atje ishin interierët, vendet e xhirimeve, kamerat, dekori e kështu pa fund. Mirëpo tradita e gjallë e këtij aktori ishte ai vetë dhe loja e tij e magjishme. Në Veve të Zvicrës, pra, në vendin ku ai nuk luajti asnjë prej pjesëve të tij të magjishme gjendet gjithë tradita e kinemasë së tij. Në krah të vilës së tij, zviceranët, por edhe ai vetë, kanë ndërtuar atelietë, vendet e xhirimeve, setet, kanë bërë me dhjetra statueta të tijat në rolet e magjishme, është shkopi i famshëm, kapelja, pra është gjithçka që ka krijuar ky artist i madh. Sepse tradita nuk është statike, ajo bartet.
Unë mendoj se edhe ne e kemi këtë mundësi. Kështu, godina e re që do të ndërtohet, në një anë të saj mund të riprodhojë me besnikëri ish-godinën e vjetër në përmasa më ta vogla, natyrisht, dhe ajo të shërbejë si një muze virtual non stop brenda të cilit ti mund të dëgjosh zërin e Mihal Popit, Kadri Roshit, Prokop Mimës, Sandër Prosit apo Pjetër Gjokës e Ndrekë Lucës e të gjithë me radhë se nuk dua të bëj lista këtu. Brenda saj mund të rindërtohet me besnikëri gjithë tradita e teatrit shqiptar siç ndodh në shtëpinë e Moxartit në Vjenë, në vilën e Çaplinit në Veve të Zvicrës, etj. Kjo godinë e re duhet ta ketë patjetër në hyrje të saj edhe riprodhimin e ish-godinës së vjetër që duhet të shërbejë si muzeum virtual. Jam i sigurt që ai muzeum do të jetë unikal në Europë dhe do të na përfaqësojë të gjithëve. Pastaj, cilido mund të zgjedhë të shkojë të shohë një shfaqje, apo të vizitojë muzeun e teatrit shqiptar që u ngjiz në një godinë të cilën pushtuesit italianë e kishin menduar si vend argëtimi pas pune.
Ndërsa, sa i takon protestës së opozitës dhe lotëve që po derdh ajo për teatrin, kjo është një dramë e njohur që as në këtë rast, publiku shqiptar nuk e zgjidh dot, sepse thjesht nuk e pëlqen atë dramë. Më shumë do që të dijë për teatrin shqiptar.
(TemA)