Arkitekti i njohur Maksi Mitrojorgji e cilëson të domosdoshme ndërtimin e një godine të re për Teatrin Kombëtar, e cila do të ofrojë të gjitha kushtet për aktorët, por njëkohësisht edhe për spektatorin. I ftuar në Ora News, arkitekti Mitrojorgji theksoi se është shumë e vështirë të flitet për vlerat teknike identitare të godinës aktuale të Teatrit, pasi ato janë pothuajse zero.
“Që një vepër të ketë identitetin e vet, në radhë të parë duhet të ketë vlera teknike; në radhë të dytë, mendoj se duhet të ketë vlera hapësinore; në radhë të tretë vijnë ato që janë më të ndjeshme sot vlerat sentimentale, simbolike etj, etj, dhe në fund fare vijnë edhe vlerat ligjore që disponon një objekt në një moment të caktuar për të shërbyer. Për vlera teknike aty nuk mund të flitet, nuk i gëzon. E para nga mënyra e ndërtimit, një ndërtim provizor. E dyta, shumë inxhinierë kanë nxjerrë të gjithë arsyet e tyre se pse ky objekt nuk ka më vlera teknike dhe madje është bërë i rrezikshëm deri diku. Edhe sikur të flasim për vlera teknike të aspektit që teknika shpesh herë gjatë kompozimit arkitektonik krijon formën, edhe aty nuk është se është krijuar ndonjë formë kush e di se çfarë që edhe për kohën e vet nuk ka qenë ndonjë formë që të linte impresion. Për vlerat teknike, identitare të këtij objekti është e vështirë të flitet, janë zero pothuajse, për mendimin tim”, theksoi ai teksa propozon prishjen e godinës aktuale. “Unë them të prishet dhe të ndërtohet një vepër e cila të jetë dinjitoze për kohën njëherë. Sepse qyteti ndërtohet me shtresa. Edhe Roma e Rilindjes u ndërtua nga gurët e Romës së Vjetër. Qyteti ndërtohet me shtresa, qyteti ka të tjera pritshmëri sot”.
Mitrojorgji shprehet kritik edhe sa i takon vlerave hapësinore të godinës aktuale. “Në interior nuk mund të thuhet se ka vlera hapësinore. Është një holl madh, një sallë e asgjë tjetër. Vlerat hapësinore kanë aftësinë që të të thërrasin, të të mbajnë, të të ftojnë të vesh njëherë atje për ta pare, për kuriozitet dhe nëse ajo plotëson pritshmëritë e publikut, ajo të thërret një, dy, tre herë dhe fiton vlera akoma më të mëdha atëherë kur ti qëndron në të, e shijon këtë hapësirë. Edhe brenda edhe jashtë nuk është se ajo është ftuese. Ajo më shumë të largon se sa të thërret për të qenë pjesë e këtij ansambli që janë dy godina me një shesh aty pranë, pra edhe vlerat hapësinore vështirë se janë anë ato që duhet të kishte një vepër e tillë”, u shpreh arkitekti i njohur.
ma.me










