Disa të shtëna me armë zjarri pranë burgut të sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës kanë vënë në alarm strukturat e Policisë së Shtetit dhe gardianët e burgut.
Sipas raportimeve të drejtuesve të burgut janë dëgjuar të paktën 6 të shtëna në një distancë prej rreth 500 metrash nga institucioni i vuajtjes së dënimit.
Menjëherë është njoftuar policia e Korçës e cila ka dërguar dhjetëra efektivë në ambjentet e jashtme të burgut ku po ushtrohen kontrolle.
Po ashtu, kontrolle po ushtrohen edhe në ambjentet e brendshme të IEVP Drenovë si dhe është përforcuar perimetri i sigurisë, pasi nuk përjashtohet ndonjë tentativë për arratisje.
Në burgun e Drenovës janë të izoluar shumë persona me rrezikshmëri të lartë të akuzuar për vepra penale nga më të rëndat.
Ky burg mbahet mend për arratisjen spektakolare dy vite më parë të disa të burgosurve të akuzuar për vrasje.









