• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, June 24, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

“Të pres në morg të tërheqim kufomën”

by Andrea Danglli
01/10/2021 16:17
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Andrea Danglli

Një punonjës morgu këto ditë ka pasur mbase punën më të vështirë pasi u gjend plot pikëpyetje përpara trupit të ftohtë të një 21-vjeçari i cili mbylli sytë bash në moshën kur jeta nis të çelë kuptimin e saj.

Edhe pse mund të ketë kaluar me qindra raste të tilla brenda atij institucioni, është e vështirë të gjendesh para një kufome të tillë kur e vetmja gjë që di është fakti se para pak orësh ai ka shkaktuar një tjetër kufomë dhe që është aq i vetëm në botë e pa mundësi, sa askush nuk vjen ta marrë.

Teksa e sheh në atë gjendje, është e vështirë ta besosh se nga ata gishtërinj të ngrirë është shkelur këmbëza që i ka këputur jetën një rojtari të pafajshëm të rendit.

Gjëja më e thjeshtë që mund të bësh para kësaj kufome është të shfaqësh anën çnjerëzore, ta përdhosësh, ta injorosh apo të shfrysh mbi të gjithë dufin si ngushëllim për shoqërinë jashtë mureve të morgut, e cila fatkeqësisht helmin e prodhon më lehtë se ilaçin.

Gjëja më e vështirë, por e duhura, ama, është të kërkosh përgjigjet e munguara që duhet t’i japësh vetes për të kuptuar një realitet që ushqehet vazhdimisht me pikëpyetje.

Pyetja që bën thjesht si punonjës morgu, me gjakftohtësinë e kalitur prej punës, është: Kush do të vijë ta tërheqë trupin e pajetë që të vijojmë procedurën standarde dhe që të mbyllet një ditë tjetër pune 8-orarëshe?

Pyetja që duhet të bëjë në fakt, ai dhe të gjithë ne, është: Kush është pjella e vërtetë e kësaj monstre që i takon ta tërheqë?

Padyshim që secili ka përgjigjet dhe gjysmë-përgjigjet e veta, të cilat disa i gjejnë në 24 orët e fundit, ca i ndajnë në mandate qeverish apo shumë edhe në sistemet politike në përgjithësi.

Së paku në këtë demek pluralizëm që kemi njohur, dëshpërimisht nuk gjetëm kurrë forcën për t’i dëgjuar këto përgjigje, andaj edhe ka pasur kaq shumë kufoma të cilat përveç familjes duhet t’i tërheqë nga morgu shoqëria, ky inkubator famëkeq ku po rrisim anti-njeriun tonë.

Në këtë inkubator, ashtu si pa e kuptuar, kemi krijuar një klimë negative thuajse në të gjitha fushat e jetës ku anti-vlerat kanë sunduar tërë qesëndi mbi vlerat. Këtu kemi qenë të gjithë dhe kemi parë se si i pandershmi e ka mundur të ndershmin, injoranti e ka shtypur të diturin, i pasuri e ka përqeshur të varfrin dhe i dobëti ka shërbyer veç si materie prej mishi për të fortin pa asnjë dritare mundësie.

Kjo është familja shqiptare që ka humbur fillin dhe nuk po e rigjen dot, pasi ka shkatërruar ekuilibrat duke humbur komunikimin e shëndetshëm si bazë vlerash.

Ky është shteti shqiptar që ka shuar perspektivën reale për rininë, ka dështuar me punësimin, ka mbjellë varfëri dhe është bërë shkaktar për 1001 gropa të tjera të zeza ku çdo 21-vjeçari mund t’i shkasin këmbët dhe të rrëzohet.

Kjo është politika malinje që kanë ndërtuar ata të cilët presin të nxjerrën dekoratat nga sirtari për heroin e radhës dhe harrojnë të merren me rrënjët e problemeve që po u vardisen deri pranë mureve të shtëpisë së tyre.

Kjo është drejtësia kandarkëputur që i përshtatet fare mirë oreksit të politikës dhe ryshfeteve, duke e bërë pandëshkueshmërinë model suksesi që duhet ndjekur pas.

Kjo është fytyra e arsimit që është bërë si dërrasë e zezë mbi të cilën më shumë zënë vend njollat e maskarenjve menefregistë sesa germat e edukuesve të vërtetë që po pakësohen gjithnjë e më shumë.

Ky është dengu i OJF-ve që denden me para për t’u marrë me plagët sociale dhe në fund si specialistë të hershëm hartojnë fabula me njerëz të cilëve pasi ua shtrydhin dhimbjen, i lenë në mjerimin e tyre të pështyjnë gjak.

Kjo është media, ah med(et)ia! Shumë nga ne në kuzhinat tona gatuajmë ushqim për të rritur monstra. Drogë në mëngjes, seks në drekë dhe armë në darkë qysh në hapat e para të jetës si alternim çmendurish duke modifikuar edhe ëndrrat e fëmijëve, që në vend të rriten me dëshirë për t’u bërë astronautë a eksploratorë, mbyten me dëshirën për famë në TikTok me makina të shtrenjta a pistoleta në tavolinën e lokalit.

Kjo është, pra, shoqëria busull-humbur, këta jemi ne hipokritët e ndershëm që nxitojmë të mprehim fjalët pas tragjedive dhe harrojmë të reagojmë drejt pas çdo të keqeje që na ka imunizuar, duke na dënuar me një heshtje vrastare dhe me një mpirje të frikshme të empatisë njerëzore.

Nëse secili do të bënte pjesën e tij, mbase në këto rreshta do të shkruanim se si një 21-vjeçar u hodh përpara mbi horizontet e jetës dhe jo sesi u hodh në varr pasi u mori babanë dy fëmijëve.

Ai i ri me kobure mund të ishim unë e ti, apo qoftë edhe miqtë tanë; e dy ditë pasi të vdisnin do gjendeshim ende në muret e morgut në pritje se mbase dikush do të vinte të tërhiqte arkëmortin.

Dhe sigurisht, askush nga këta që përmenda më lart nuk do të paraqitet në dyert e institucionit pasi do jenë të zënë duke sharë, mallkuar dhe dënuar… Atëherë, e kujt është kjo pjellë që kutërbon menefregizëm dhe vdekje vlerash?!

Next Post
Ramush Haradinaj: Nëse s’na duan në NATO, të bashkohemi me Shqipërinë

Haradinaj kërkon dorëheqjen e Kurtit: Je mashtrues i rrezikshëm për Kosovën

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Zogaj: Protestat humbasin forcën nëse personalizohen

Zogaj: Protestat humbasin forcën nëse personalizohen

June 24, 2026
Kryetari i BDI-së për protestat: Po godasin turizmin dhe investimet në Shqipëri

Kryetari i BDI-së për protestat: Po godasin turizmin dhe investimet në Shqipëri

June 24, 2026
Parashikimet e basteve: Franca favorite për fitimin e Botërorit 2026, Messi kryeson garën për “Këpucën e Artë”

Parashikimet e basteve: Franca favorite për fitimin e Botërorit 2026, Messi kryeson garën për “Këpucën e Artë”

June 24, 2026
“Qeveri teknike me mandat 1 vjeçar dhe kontratë me…”, zbardhen kërkesat e protestës

Psikologia : Protesta duhet të kthehet në dialog dhe jo vetëm në emocion qytetar

June 24, 2026
Tronditet Kavaja! 76-vjeçari vret vëllanë gjatë punës në arë (EMRAT)

Tronditet Kavaja! 76-vjeçari vret vëllanë gjatë punës në arë (EMRAT)

June 24, 2026
Tension para sfidës me Egjiptin, SHBA ndalon kapitenin e Iranit në aeroport

Tension para sfidës me Egjiptin, SHBA ndalon kapitenin e Iranit në aeroport

June 24, 2026
Gazetari: Protestat kanë kosto të madhe ekonomike, 5.4 miliardë dollarë ndikim

Gazetari: Protestat kanë kosto të madhe ekonomike, 5.4 miliardë dollarë ndikim

June 24, 2026
Protesta, qytetarët nisin marshimin në rrugët e Tiranës

Protesta, qytetarët nisin marshimin në rrugët e Tiranës

June 24, 2026
Gonxhja publikon bilancin e pagave: Mesatarja u trefishua që nga 2013, objektivi 1,200 euro deri në 2030

Gonxhja publikon bilancin e pagave: Mesatarja u trefishua që nga 2013, objektivi 1,200 euro deri në 2030

June 24, 2026
REL: Mes bastisjeve dhe falënderimeve për Rusinë, Serbia heton “topin zanor”

REL: Mes bastisjeve dhe falënderimeve për Rusinë, Serbia heton “topin zanor”

June 24, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In