Muho Asllani kundërshton nusen e djalit të Enver Hoxhës, Liliana Hoxha, sipas së cilës shumë vendime merreshin në Byro dhe qeveri pa dijeninë e Enver Hoxhës, siç ishte edhe ajo për tufëzimin e bagëtive.
Sipas tij, Enver Hoxha ka qenë në dijeni të plotë të këtij propozimi. Në vijim të rrëfimit të tij për gazetën “Panorama” tregon përplasjen e Enver Hoxhës me Mehmet Shehun për çështjen e tufëzimit të bagëtive, një masë që çoi në rrënimin e ekonomisë individuale të fshatit.
Sipas tij, Enver Hoxha këtë propozim e mbante në sirtar sepse donte që t’i jepte kohë një diskutimi sa më të gjerë, ndërsa Mehmet Shehu ishte kundër kësaj nisme.
Më pas, pasi është aplikuar në disa zona, kjo nismë u përhap në të gjithë vendin me shpejtësi, ndërsa Enver Hoxha ka ndërhyrë, sipas Muho Asllanit, që bagëtia e imët t’i lihej zonave malore.
Por Muho Asllani tregon dhe pasojat që pësuan familjarët e Mehmet Shehut pas vetëvrasjes së tij dhe shpalljes si armik i Partisë dhe e popullit. Vëllai i Mehmet Shehut, i cili ishte drejtor ndërmarrjeje në Durrës, u dënua sepse në kasafortën e zyrës i gjetën një fjalim të Mehmet Shehut si Kryeministër që fliste për mobilizimin e forcave vullnetare.
Ky fjalim i përmbledhur në një broshurë u cilësua si ulje vigjilence dhe bashkëpunim me armikun e popullit, dikur Kryeministër.
A kanë pasur kundërshti Mehmet Shehu me Enver Hoxhën, që ju e mbani mend gjatë kohës që keni qenë në Byronë Politike?
Po, një herë ka qenë kur shtrohej çështja e tufëzimit të bagëtive. Shoku Enver e ka mbajtur në sirtar rreth 6 muaj pa e bërë publik këtë nismë.
Domethënë, Enver Hoxha ka qenë në dijeni për tufëzimin e bagëtive në të gjithë vendin?! Sepse zonja Liliana Hoxha është shprehur se ai nuk ka pasur dijeni dhe çdo gjë është bërë sipas Nexhmije Hoxhës dhe Ramiz Alisë?
Jo, jo, Enver Hoxha kishte dijeni të plotë. Ka qenë një propozim i kooperativës Grapsh të Gjirokastrës. E kishte sjellë Spiro Lenko, anëtar i Komitetit Qendror, kryetar i kooperativës Grapsh i cili më vonë u bë zv.ministër i Bujqësisë. Madje, për të mësuar më shumë nga jeta e fshatit, Enver Hoxha më ka pyetur edhe mua, si njeri që vija nga baza, se kur ju vjen miku në shtëpi, si e prisni?! Dhe unë i kam thënë që kur na vjen një mik, nëna më thoshte preja kokën një pule ose gjeli dhe e bënim me makarona. Po tani që do tufëzohen të gjitha, më pyeti Enveri si do ia bëjnë fshatarët?!
Tani, i thashë do shkojmë në dyqan të blejmë pulat apo mishin që do shitet aty. Nuk e pashë shumë entuziast nga kjo përgjigje. Gjithashtu, ky propozim erdhi dhe nga Themie Thomai që ishte kryetare e kooperativës Këmishtaj në Lushnje e më vonë u bë ministre e Bujqësisë. Ky propozim i ishte dërguar Mehmet Shehut dhe ai ia dërgon Enver Hoxhës. Ai propozim kishte anët e mira dhe anët e këqija.
Po Mehmet Shehu çfarë qëndrimi mbajti, sepse ai njihej si njeri që e njihte mirë ekonominë?
Fillimisht Mehmet Shehu e kundërshtoi si nismë ekonomike, më pas e pa që kjo po përhapej në të gjithë vendin si nisma revolucionare për të modernizuar fshatin. Këtë iniciativë në fillim e mori Gjirokastra, sepse kishte pak tokë dhe atë pak tokë e përdornin për bagëtinë familjare. Madje, u dha urdhri që të mbylleshin edhe pulat në kotec.
Po përse Enver Hoxha e mbajti në sirtar kaq gjatë këtë propozim?
Shoku Enver donte ta diskutonte sa më gjerë dhe për një kohë më të gjatë, por nisma filloi të përhapej jo vetëm në rrethet fushore, por dhe në malësi e kudo. Filluan të tufëzojnë edhe dhitë në malësi, gjë që ishte një budallallëk. Një iniciativë shabllone që duhej bërë pse e kishin bërë rrethet e tjera. Por nisën të vinin edhe letra shumë nga zonat malore, ku shkruanin se me çfarë do jetojmë ne, nëse na hiqet edhe bagëtia e imët. Kur pa këtë reagim, Enver Hoxha e ndaloi tufëzimin për malësinë, p.sh. Dukagjini, Shllaku, Vermoshi e mbajtën bagëtinë, nuk e tufëzuan.
Ju vazhdimisht e keni vlerësuar Mehmet Shehun si njeri të përgatitur për ekonominë, drejtues të aftë për të drejtuar vendin, por kur dëgjuat raportin sinoptik të lexuar nga Enver Hoxha se ai kishte qenë një poliagjent i shërbimeve të huaja, e besove, si t’u rrëzuan gjithë ato konsiderata që kishit për Mehmet Shehun?
E di pse e besova, sepse duke parë letrën që erdhi nga Argjentina, duke dëgjuar Enver Hoxhën, duke na u servirur të gjitha ato materiale, m’u krijua bindja se ai paska qenë agjent i të huajve, por agjent i fjetur, i paaktivizuar, sepse po të kishte qenë aktiv dhe po të donte të eliminonte Enver Hoxhën e kishte bërë, madje na eliminonte të gjithëve.
Ju keni thënë se ata që janë dënuar, ish-anëtarë të Byrosë Politike, e kanë merituar dhe i kanë pranuar vetë gabimet që kanë bërë dhe prandaj janë dënuar. Edhe në Byronë Politike, Kadri Hazbiu ishte i vetëdijshëm që Partia e kishte bërë hero, Partia e tij po e dënonte. Si ka qenë ai debat?
Kur kam qenë student dhe parakalonim para tribunës së udhëheqjes, unë gjithmonë kam dashur të mbaj në dorë portretin e Kadri Hazbiut, sepse më dukej njeri i gjallë, i shkathët, kishte njerëzillëkun, i futur me njerëzit. Kur u bë debati për dënimin e tij, Kadriu i ka pranuar vetë, që këto që kam bërë kanë qenë në kundërshtim me vijën e Partisë, kështu e gjykova dhe kështu veprova, Partia të më gjykojë. Kur kanë qenë në mbledhjen e 81 partive në Moskë, Gorbaçovi, i cili në atë kohë ishte anëtar Byrosë Politike dhe ministër i Punëve të Brendshme, i kërkoi Kadri Hazbiut listën e oficerëve të zbulimit që ne kishim në ambasadat tona jashtë shtetit.
Ai ia ka dhënë. Pas disa kohësh, filluan të zhdukeshin disa nga oficerët tanë të zbulimit, nga më të mirët. Enver Hoxha e thërret Kadri Hazbiun dhe i thotë çfarë po ndodh me oficerët e zbulimit tanë në botë. Kadriu i thotë po e shoh dhe po të njoftoj. Por Enver Hoxha po të të jepte një porosi, nuk e harronte, e mbante shënim dhe të incizonte dhe kërkonte përgjigje. Kur e shikon se nuk po i kthente përgjigje, shoku Enver e thërret përsëri Kadriun, i cili i thotë se nuk erdha t’ju kthej përgjigje sepse s’doja t’ju shqetësoja. I tregon Kadriu që Gorbaçovi i kishte kërkuar listën e oficerëve tanë të zbulimit dhe ai ia kishte dhënë. Kadriu i kishte thënë se për këtë kishte pyetur Mehmet Shehun, i cili i kishte thënë jepja, sepse ne jemi parti motra dhe vende miq. “Po ti mua më vure në dijeni?”, e kishte pyetur shoku Enver. “Jo”, i kishte thënë Kadriu.
“Po listën ma çove mua? Folëm ndonjëherë bashkë për këtë gjë?” “Jo”- i tha Kadriu- se nuk doja t’ju shqetësoja, se boll telashe kishit me Hrushovin, Mikojanin etj.”. “Të paktën, shoqërisht të më kishe informuar, se ne jemi bashkë që gjatë Luftës”, i kishte thënë shoku Enver. “Po mirë”- i thotë shoku Enver,- studioji pak studentët tanë që ishin në Moskë dhe në vendet komuniste, apo ata që janë martuar me gra ruse apo bullgare, me çfarë janë marrë?” Rezultoi se pjesa më e madhe ishin rekrutuar nga KGB-ja sovjetike dhe Kadri Hazbiu nuk kishte asnjë dijeni për këtë.
Si u zhvillua debati në atë mbledhje kundër Kadri Hazbiut?
Kadriu pranoi gabimet e rënda që kishte bërë, veçanërisht me listën e oficerëve të zbulimit që i kishte dhënë sovjetikëve. Por të mos harrojmë se Kadriu ka meritë të veçantë në zhdukjen e bandave me Mark Dodanin, Hekuran Pobratin dhe Asim Alikon. Kadriu i pranoi vetë gabimet dhe i kërkoi Partisë të marrë ato masa që mendon kundër tij.
Pas 1979-s kur ju keni qenë në udhëheqje, keni pasur ndonjë porosi nga Nexhmije Hoxha që të ruani Enver Hoxhën që të mos shqetësohet, mos ia thoni lajmet e këqija për vendin, ekonominë?
Jo, jo, nuk kishim porosi të tilla. E takoje për çdo problem, ai mbante shënime dhe të pyeste për t’u sqaruar ai vetë dhe jepte porosi. Jua thashë dhe më lart, që ai ishte aktiv, çdo ditë në zyra. Madje, kur i thoshte sekretari i tij që ka ardhur shoku Muho, ai më thërriste që brenda, “hajde Muho!”. Kishte komunikim, ishte aktiv dhe interesohej në çdo takim se si ecnin gjërat dhe detyrat që kishim marrë.
Pas dënimit të Mehmet Shehut si armik i popullit dhe Partisë, ju në Durrës kishit dhe djalin e tij që ishte kryeinxhinier në Uzinën e Televizorëve. Çfarë qëndrimi mbajtët ndaj tij?
Unë kisha në Durrës vëllain e Mehmet Shehut, që e kishin shkarkuar nga puna. Nuk kam dhënë porosi që të merrej ndonjë masë ndaj tyre. Ai kishte qenë drejtor i Parkut të Mallrave. Kur e hoqën nga puna, i kishin gjetur në kasafortë fjalimin e Mehmet Shehut në Shkollën e Partisë për forcat vullnetare, ka qenë një broshurë e vogël. Organizata e Partisë vendosi ta përjashtojë nga Partia si bashkëpunëtor me Mehmet Shehun. Një absurditet, kishte bashkëpunuar me vëllanë, Kryeministër të vendit, për 20 e kusur vjet. Por kjo ishte koha dhe kështu zhvilloheshin gjërat.
Erdhi në Byronë e Partisë. I thashë- si more e bëre këtë, e di që e ke humbur vigjilencën?! E di- tha,- Byroja le të vendosi për mua! Ne në Byro i dhamë një vërejtje. Që atëherë nuk e pashë më që kur dola nga burgu. Kur dola nga burgu, erdhi dhe më takoi që të më jepte kafe. Për djalin e Mehmet Shehut nuk pata asnjë informacion. Një kushëri i Mehmet Shehut më ka ardhur dhe më ka takuar para 2-3 vjetësh. Më tha që kishte bërë dhe një libër për të.
Si u prit sinoptika për Mehmet Shehun e Byrosë Politike në komitetet e partive?
Sinoptika u diskutua në Plenumet e Komiteteve të Partisë dhe më pas u punua dhe në organizatat e Partisë. Edhe atje dolën shumë probleme nga më të ndryshmet. Kishte ankesa dhe kritika nga të gjitha anët, p.sh. në Kukës u tha se Mehmet Shehu kishte urdhëruar që të mos vendoseshin qendra zjarri në këtë zonë apo në atë zonë duke e cilësuar këtë me prapavijë armiqësore. Çfarë gabimesh kishte pasur në punën e të gjithëve, ia faturuan Mehmet Shehut. Ashtu siç u dënuan edhe njerëz dhe farefis i tij. Mehmet Shehu nuk i kishte takuar për 20 vjet, edhe ata u dënuan. Kaloi në një histeri masive kjo punë pastaj.
Ju si ndihmës i Mehmet Shehut, pas dënimit të tij, ju panë shtrembër, me dyshime, pati ndonjë luftë ndaj jush?
Jo, jo, nuk pati gjë. Në Durrës pati disa arratisje dhe mua nga Kryeministria më çuan në Durrës, Sekretar i Parë dhe nuk u mor më njeri gjatë me të.
***
Liliana Hoxha akuzon Nexhmije Hoxhën për izolim të kreut të PPSH: Shumë vendime merreshin pa dijeninë e Enverit
Në atë kohë është folur se kanë qenë reforma të ndërmarra nga qeveria dhe Kryeministri i asaj kohe, Mehmet Shehu?! Nuk e di cilën reformë ka ndërmarrë Mehmeti, por asnjëherë pa aprovimin drejtpërsëdrejti të Enverit, që në planifikimin e reformës. Më duken më shumë thashetheme abuzive ndaj Kryeministrit, kur vullneti, gjoja i Enverit, shprehej nëpërmjet Nexhmije Hoxhës e Ramiz Alisë, ndërsa pushtetin nuk mund ta arrinin kurrë pa vrasjen e Mehmet Shehut, edhe për interes të UDB-së.
E vranë në momentin kritik, kur me urdhër të Enver Hoxhës ishte përgatitur mësymja ushtarake në mbrojtje të Kosovës me strateg Mehmet Shehun. Kështu i hapën rrugën drejt pushtetit Ramizit e Nexhmijes, me pengesë vetëm Enver Hoxhën, edhe ky në trajtim mjekësor vdekjeprurës. Me siguri them që, tufëzimi është ideuar nga Instituti MarksistLeninist i Nexhmije Hoxhës, nga studiuesi Harrilla Papajorgji, sipas modelit sovjetik, ndërkaq punonjës i Institutit dhe anëtar i Komitetit Qendror. Kush mund ta ketë bindur Enverin për këtë reformë, kjo është pyetja e duhur, kur ai, i shqetësuar, më ka thënë: “Si moj Lilianë, a mund të jetojë fshatari pa një pulë?!”
Di shumë shembuj që ajo e mashtronte hapur Enverin edhe në sy tonë, e sigurt prej presionit që na bënte, që nuk mund t’i tregonim Enverit. Por rasti më i rëndësishëm i sabotimit dhe ndrydhjes së Shqipërisë përfundimisht në izolim, ishte çështja Shtraus. I ndodhur krejtësisht i vetëm në ’82, Enver Hoxha vendos të mbështetet te Perëndimi, konkretisht me Landin e Bavarisë me Kryeministër Shtrausin. Pala gjermane ishte e gatshme dhe përshëndeti iniciativën e Enverit për hapjen e Shqipërisë me çdo kusht, pra, me lëshime edhe politike. Ramiz Alia ndiqte negociatat. Personalisht, unë nxisja bisedën me Enverin duke u mbështetur në lajmet që vinin për këtë temë të bujshme në Agjencinë Telegrafike ku unë punoja.
Enveri, në prani të Nexhmijes, që nuk i ndahej kurrë, fliste me entuziazëm, por shprehte çudinë që, megjithatë, çështja po vonohej dhe pse vonohej?! Kur Shtrausi ishte krejtësisht i gatshëm. Kjo çështje u sabotua nga Ramizi e Nexhmija, teksa Enveri iku nga jeta me këtë plagë në zemër. Qëndrimi zyrtar shqiptar, shumë i vonuar pas vdekjes së E.Hoxhës, ishte: Gjermania jep çikërrima dhe na kërkon të lejojmë fenë. Shtrausi dhe djemtë e tij reaguan duke akuzuar palën shqiptare, drejtuar nga Alia, që ishin bërë pengesë me lloj-lloj sanksionesh ndaj Gjermanisë deri edhe për reparacionet e luftës, kur sa ishte E.Hoxha gjallë, qëndrimi zyrtar ishte hapje me çdo kusht. /b.d