Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka vizituar ditën e sotme në spitalin e Traumës një efektiv policie, i cili është dëmtuar gjatë protestës.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Balla u ka uruar shërim të shpejtë të gjithë efektivëve të lënduar, ndërsa ka bërë apel për ndalim dhune.
Balla ka sjellë në kujtesë edhe ata efektivë që kanë derdhur gjak për misionin dhe betimin e tyre. Numri i të rënëve në krye të detyrës ka shkuar në 232 punonjës policie.
Postimi i Ballës:
“Isha sot në Spitalin e Traumës për të parë nga afër një nga oficerët më të mirë të Policisë së Shtetit me të cilin kam pasur nderin të punoj gjatë kohës si Ministër i Brendshëm.
Mirënjohje çdo punonjësi të Policisë së Shtetit dhe shërim të shpejtë çdo të plagosuri/lënduari. Ajo që po bëni ju sot në mbrojtje të demokracisë, historia e Shqipërisë anëtare e Bashkimit Europian, do ta vlerësojë e kujtojë me krenari Uroj shërim të shpejtë edhe çdo të lënduari qytetar në protestë
Motra dhe vëllezër, rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë së Shtetit, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë në marrëdhënien, sjelljen dhe respektin ndaj punonjësve të policisë, sidomos në këto ditë. Mos e harroni asnjëherë Policia i ka shërbyer dhe i shërben me devotshmëri atdheut dhe qytetarëve. Mos e harroni se ajo përplaset çdo ditë me kriminelë e keqbërës për sigurinë tuaj. Pa Policinë e Shtetit, nuk ka siguri!
PRANDAJ DUHET TË NDALET DHUNA! Dhe kujtohuni pak se Policia ka derdhur gjak, janë 232 punonjës policie të rënë dëshmorë të atdheut, në emër të misionit dhe betimit të saj. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit”.











