Ministri i Financave i është përgjigjur publikisht kallëzimit penal që magjistratët e Shqipërisë kanë depozituar në SPAK kundër tij pas bllokimit në Thesarin e Shtetit të pagave për muajin gusht.
Së bashku me Malajn, në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion është kallëzuar dhe Sekretari i Përgjithshëm Gentian Keri dhe 14 drejtues të Thesarit në rrethe. Ky kallëzim është një tjetër akt i përshkallëzimit të konfliktit mes ekzekutivit dhe gjyqësorit për shkak të kërkesës për rritje të pagës referuese nga prokurorët dhe gjyqtarët.
“Të kallëzohesh se po zbaton ligjin”, e nis Malaj reagimin e tij. Ministri ka publikuar dhe pagat aktuale krahasuar me rritjen e kërkuar duke konkluduar me efektin që diferenca do të ketë në buxhetin e shtetit.
“Efekti total në buxhetin e shtetit me këto kërkesa është 40 milionë euro shtesë, çdo vit. Por nuk mbyllet këtu. Magjistratët kërkojnë rishikim të pagave për periudhën 2023-2026 me një efekt në buxhetin e shtetit 125 milionë euro”, thotë Malaj.
Ministri sqaron se askush nuk është bërë pengesë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese (rrëzoi formulën e vjetër të përllogaritjes së pagave për magjistratët), ndërsa ky debat do të marrë zgjidhje më 17 shtator me miratimin e ligjit të ri për pagat në Kuvendin e Shqipërisë.
“Nuk dua të bëj asnjë polemikë me askënd dhe as të risqaroj pozicionin e Ministrisë së Financave, ndërkohë që është thënë publikisht nga qeveria shqiptare dhe përfaqësuesit e Parlamentit, se askush nuk do të pengojë adresimin e çështjes së pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të ndodhë më 17 shtator, kur të miratohet ligji që i jep Ministrisë së Financave të drejtën administrative të veprimit”, tha Malaj.
Reagimin e tij, Ministri Malaj e ka përmbyllur duke iu drejtuar drejtorëve të Thesarit të Shtetit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë së Financave, për të mos u intimiduar dhe të vijojnë të kryejnë detyrën po njësoj me mbështetjen në ligj.
“Ndërkohë u them drejtorëve të Thesarit në të gjithë Shqipërinë dhe Sekretarit të Përgjithshëm, që sot u kallëzuan së bashku me mua, se duhet të vazhdojnë ta kryejnë detyrën e tyre me qetësi dhe pa u intimiduar, duke ruajtur gjithmonë me rigorozitet financat e shtetit, të udhëhequr nga ligji”, tha Malaj.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, reagoi dhe kryeministri Edi Rama, i cili me ironi tha se në kallëzim duhet të jetë dhe vetë ai së bashku me ministrin e Drejtësisë Toni Gogu, dy personat me të cilët Malaj ka shkëmbyer konsulta për çështjen në fjalë.
Magjistratët kërkojnë që Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion të nisë procedim penal për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe “Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës”.
Gjatë paradites së kësaj të enjteje, kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, e cilësoi situatën e krijuar nga bllokimi i pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore si një çështje që shkon përtej një mosmarrëveshjeje financiare, duke prekur drejtpërdrejt pavarësinë e gjyqësorit dhe rendin kushtetues.
Pezullimi i kalimit të pagave për muajin gusht ka prekur dhe administratën. Gjykatat dhe Prokuroritë në vend kanë bojkotuar punën ndërsa kanë paralajmëruar dhe përshkallëzim.
Kujtojmë se më 17 shkurt të këtij viti, Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, që kundërshtonte ligjin për pagat e magjistratëve dhe ka shpallur antikushtetuese disa dispozita të këtij ligji të miratuar në vitin 2023, i cili ndryshonte formulën e përllogaritjes së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Me ndryshimet ligjore të vitit 2023 paga e gjyqtarëve llogaritej sa 0.36 e pagës së presidentit të Republikës. Kushtetuesja tha se kjo ishte një ulje e fshehtë dhe antiligjore ndërsa i la detyrë Parlamentit të ndërhynte për të rregulluar hapësirën ligjore. I vetmi veprim që u ndërmor ishte depozitimi në Kuvend i propozimit të një formule të re që e rriste pagën nga 0.36% sa ajo e presidentit në 0.38%.
Në mungesë të ndërhyrjes së Kuvendit, KLGJ dhe KLP vendosën të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke rritur pagën referuese të magjistratëve nga 156 mijë e 800 në 222 mijë e 425 lekë, si dhe duke ruajtur shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.










