Nga Alfred Peza
Rasti i dorëheqjes së Visho Ajazit, është parë nga shumë këndvështrime në media, opinionin publik, qarqet politike, diplomatike dhe deri tek qytetarët. Përtej informacionit zyrtar, është normale që për një rast si ky, të ketë shumë hamendësime dhe deri tek teoritë e “kompromiseve”, “komplotit” dhe teoritë konspirative. Të cilat u ushqyen edhe më shumë akoma, pas vendimit të fundit të Kryeministrit Edi Rama për ti propozuar Presidentit të Republikës Ilir Meta, emërimin e tij, si ambasadori i Republikës, në NATO.
Por më shumë se nga të gjitha këto, gjykoj se ky rast, është një mundësi e artë për të analizuar diçka krejt tjetër, e cila shërben si një tretësirë, për ta turbulluar si për dreq deri në ekstrem këtë situatë. Visho Ajazi ishte emëruar në atë detyrë pas një karriere të gjatë në SHIK-un e famshëm të Gazidedes (1992- 1997) për tu rikthyer nga meigracioni kur Berisha u rikthye në pushtet më 2005, e për tu emëruar në krye të SHISH, diku nga fundi i mandatit të dytë qeverisës të Berishës, vetëm pasi Bujar Nishani u bë President i Republikës.
Momenti i dorëheqjes së Visho Ajazit ka përkuar me një periudhë kur mazhoranca e PS duket e vendosur për të çmontuar drejtuesit e disa institucioneve të cilët në perceptimin e gjerë publik, nuk konsiderohen si pranë saj. Për të mos thënë që ka institucione që perceptohen publikisht si vazhdim i opozitës me mjete të tjera. Le të numërojmë këtu aktin e dorëheqjes së Kryetarit të Akademisë së Shkencave, fillimin e procesit për shkarkimin e Kryetarit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve nga ana e Grupit Parlamentar të PS. E duke kujtuar shkarkime apo dorëheqje dorejtorësh shumë të rëndësishëm, të emëruar nga LSI gjatë 4 viteve të shkuara të qeverisjes me PS.
Nisur nga kjo pikturë, le të pranojmë se ka një keqkuptim të madh në perceptimin e përgjithshëm publik rreth nocioneve mazhorancë- opozitë dhe qeveri- pushtet. Duket sikur nëse një parti politike është në mazhorancë, automatikisht duhet të jetë njëkohësisht edhe në qeveri edhe në pushtet. Pra, ajo duhet të emërojë vetë kë dëshiron, e të komandojë çdo gjë në një vend. Në fakt, nuk është kështu praktikisht. Sepse mund të jesh në qeveri por nuk është e thënë që të jesh domosdoshmërisht në pushtet. Në atë lloj pushteti, siç perceptohet gjerësisht tek ne. Sikundër mund të jesh në opozitë dhe mund të kesh më shumë pushtet se ai që qeveris, ose ke pushtetët e barabartë me të, ose zotëron minorancën bllokuese që nuk i jep mundësi tjetrit që të ushtrojë të vetën.
Nëse tani gjërat shihen në këtë dritë dhe në këtë optikë, kuptohen, perceptohen dhe preken fare lehtë shumë situata të tilla në përditshmërinë e këtyre 27 viteve, të raporteve mes pushtetit real të PS kur ajo ka qenë në mazhorancë dhe PD në opozitë, apo anasjelltas. Apo edhe kur të dyja kanë qeverisur edhe me parti të tjera aleate të vogla, përfshi forcën e tretë më të madhe politike në vend, LSI.
Një republikë pluraliste e demokratike si Shqipëria, ka tri pushtete të sanksionuara në Kushtetutë: Legjislativin, ekzekutivin dhe atë gjyqësor ose të drejtësisë si një sistem tërësor bashkë me institucione të tjera si Prokuroria, ministria e Drejtësisë, Këshilli I Lartë i Drejtësisë, etj. Por ka edhe një pushtet të katërt që konsiderohet ai i mediave që është një pushtet ndonjëherë edhe i pakontrolluar dhe mund të jetë më i fortë se një apo tri pushtetet e tjera, të mara sëbashku. Ka shumë diskutime dhe teori për dhe rreth shtetit, pushtetit, qeverisjes, sistemeve shoqërore, regjimeve dhe shumë nocione të tjera të cilat ngërthehen me lloj lloj rrymash, shkollash, grupesh, traditash, kulturash, qytetërimesh, e kështu me radhë.
Por praktikisht tek ne, çfarë ka ndodhur deri më sot, dhe si duhet ta kuptojmë atë se çfarë po ndodh e pritet të ndodhi në të ardhmen. Le të marim si model të raportit qeveri- pushtet për këtë, 8 vitet e shkuara të qeverisjes së Kryeministrit Berisha dhe këto afër 5 vite të Edi Ramës.
Sali Berisha është nga ata lloj udheheqësish politikë që klasifikohen si lideri “ose, ose”. Pra ose je me të, ose nuk je. Ose të pranon si të tijin ose do të të pozicionojë kundër tij. Pra, sipas teorisë së vjetër e të njohur: O me ne, o kundra nesh, rrugë të mesme nuk ka. Në këtë mënyrë e bën edhe debatin politik publik edhe çdo veprim tjetër. Pas kësaj, ti je i lirë të ndjekësh rrugën tënde, por vetëm pasi ke zgjidhur më parë dilemën e përkatësisë. Ndaj, në 8 vitet e mazhorancës ai kërkoi me çdo kusht e çmim, pa u ndalur e pa u lodhur, që të ishte jo vetëm në qeveri, por edhe në pushtet.
Donte ti komantonte të gjitha insititucionet, jo vetëm të ekzekutivit, por edhe çdo hallkë të legjislativit, të prokurorisë, të gjyqësorit e mundësisht çdo insititucion tjetër të pavarur Kushtetues duke filluar nga Avokati i Popullit, ILDKPI, KLSH, RTSH, AMA, KQZ, etj. Për të përfunduar më pas, deri tek shërbimi sekret. Harxhoi plot 8 vjet energji për t’ia arritur kësaj. Dhe nuk është se nuk ia doli. E fundit që ra në duart e tij, ishte SHISH. E atëherë kur i mori të gjitha dhe u duk më i fortë se kurrë, edhe i la. Duke humbur aq thellë në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 sa nuk po i besohej edhe kur kishte dalë në konferencë shtypi për të dhënë dorëhqjen nga kreu i PD.
Ndërsa Edi Rama as që e ka këte merakun e Sali Berishës. Sepse e ka treguar këtë. Hyri në zgjedhjet e 2013 që ishin për jetë a vdekje për fatin e tij politik, pa patur asnjë lloj kontrolli mbi KQZ, përkundrazi. Madje kulmin e arriti gjatë zgjedhjeve të fundit, ku edhe ministrat e qeverisë së tij, nuk ishin të tijët, madje ato më të rëndësishmet ia la opozitës. Përsëri fitoi. Nuk e kishte as këtë here kontrollin mbi KQZ dhe përsëri fitoi. Kishte kundër Shërbimin Sekret, Kontrollin e Shtetit, Prokurorinë, Avokatin e Popullit, etj dhe përsëri fitoi. Aq pak rëndësi i kushton të gjithën kësaj, sa i bën shumë shpesh socialistët nga më të thjeshtët e deri tek deputetët e vet, nervozë e të pakënaqur për këtë.
Megjithatë, edhe pasi Visho Ajazi dha dorëheqjen ai propozoi jo një të tijin siç do të bënte përshembull Sali Berisha, por zëvendësin që ndodhej në detyrë. Edhe Ambasadori në NATO që ka qenë deri më sot përpara Visho Ajazit, ka qenë një ish ministër e deputet i Sali Berishës e i PD. Rama përsëri e propozon për të drejtuar zyrën e shërbimit më të rëndësishëm diplomatik që Shqipëria ka në Europë.
Sali Berishën ajo mënyrë qeverisje e rrëzoi nga pushteti. Ndërkohë që Edi Rama nuk duket se e ka jetike për të qeverisur duke zaptuar me çdo kusht e çmim çdo post, qoshe e karrike pushteti të mundshëm në Shqipëri. A do ta ndihmojë kjo filozofi që të mos ketë fundin e Sali Berishës pas këtij mandati? Kjo mbetet për tu parë. E sigurtë është që po e kërkon pushtetin, nëpërmjet qeverisjes. Dhe jo e kundërta. Nëse ia del, bashkë me të dhe PS, le të fitojë sadopak edhe sistemi.