Nga Denis Dyrnjaja
Fundshekulli i shkuar dhe fillim shekulli i ri kanë theksuar gjithnjë e më shumë pikëpyetjet si është, si duhet të jetë dhe si mund të jetë familja e së ardhmes? Nuk është tabu debati mbi përkatësinë dhe orientimin seksual dhe a duhet lejuar martesat brenda së njëjtës gjini dhe e drejta për të patur fëmijë. Thënë ndryshe dy burra gay ose dy femra lesbike të krijojnë familjen e tyre me pasardhës. Evolucioni darvinian na ka sjellë deri më sot në ekzistencën tonë mbi tokë mbi raportet riprodhuese mashkull fe Im ër. Por në këtë shekull të ri pema e Darvinit ka pësuar një shartim sociobilogjik të befasishëm.
Në politikat veçanërisht majtiste në botë u fut propozimi i mbështetur nga tezat e palimituara të të drejtave të njëriut se tani nuk kemi pse qëndrojmë brenda suazës burrë-grua, lidhje, bashkëjetesë, familje trashëgimi njerëzore, por është futur versioni alternativ prindi 1 – prindi 2. Ky opsion i kushtëzuar nga nocioni i lirisë së pakufizuar dhe pakushtëzuar personale se njeriu bën zgjedhjen e tij me jetën dhe veten e tij ka prodhuar fillimisht marrëdhëniet brenda së njëjtës gjini e më pas pretendimet nisën të shtohen. Tani çiftet homoseksualë kërkojnë të kenë status shoqëror të njëjtë me atë të një burri dhe një gruaje. Kërkojnë të drejtën për t’u martuar madje edhe për t’u trashëguar. Kjo duket se është edhe thyerja më e fortë në pemën e evolucionit darvinian. Dy burra, ose dy gra në martesë ose bashkëjetesë mes tyre pretendojnë të trashëgohen edhe me fëmijë biologjikë. Këtu nis edhe diskutimi dhe debati i madh sesi do njihen nga konteksti ligjor për fëmijën këta prindër të së njëjtës gjini. Dhe shpikja nuk ishte e vështirë. Nuk ka më mami dhe babi por prindi 1 dhe prindi 2.
Një fëmijë që rritet mes prindërish numëra të cilët vetë janë rritur nga prindër që iu kanë thënë mama e baba. Përtej kulturave të ndryshme në vende të ndryshme, përtej forcës së brendshme të natyrshme të tërheqjes së një mashkulli ndaj një femre dhe anasjelltas, duhet theksuar se çdo qasje e ndryshme pse prirje dhe orientim seksual nuk duhet paragjykuar. Por ama as nuk duhet të na bëjë të ndihemi keq fakti që nuk jemi dhe nuk dëshirojmë të pranojmë si normalitet mëmësinë dhe atësinë prej numrash. Revolucioni për të drejtën e dëshiruar nuk mund dhe nuk duhet të kthehet në një ekspansion si e drejtë e detyruar. Tanimë me këtë sfidë nuk po përballen vetëm ligjvënësit në shtete të ndryshme, por në dilemë po ndjehet edhe religjoni që predikon me forcë dhe ka në substancën e vet të trashëgimit njerëzor marrëdhënien e një burri dhe një gruaje nga ngjizja e së cilës krijohet trashëgimtari/ja e tyre natyrale prej ADN-ja origjinale.
Por pse tani dhe pse me kaq revansh po shfaqet ky revolucion që po transformon jo vetëm familjet por edhe shoqërinë në tërësi. Stisja gjendet në politikat majtiste në botë. Të etura për kauza duket se kanë gjetur një të tillë rrishtare me lëvizjen LGBDI duke e proklamuar mbi “parzmoren” e hekurt të të drejtave të njeriut se gjithkush mund të zgjedhë e vendosë për prirjen e tij seksuale. Deri këtu asnjë problem. Se kush bën ç’të doje me jetën dhe trupin e vet. Por jo me imponimin se e drejta e gjithkujt prej tyre, duhet shndërruar në detyrim dhe standard për pjesën tjetër në komunitet. Vihet re një tendencë e fortë dhe protagoniste nga përfaqësuesit e komunitetit LGBTI që kundërshtarët e tyre në publik ose pjesën tjetër që nuk i mbështet t’i paraqesin, etiketojnë madje edhe t’i sulmojnë si arkaikë dhe demode. Kundërekspansioni për të ruajtur veten, për të krijuar më shumë hapësirë për mundësinë e kufizuar,, apo për të fituar më shumë liri brenda shumicës dërrmuese, po na vë në pozitat e të fajshmit, pse fjala vjen nuk jemi homoseksualë.
Shpesh ka nota diskriminimi, dhune e bullizmi ndaj njerëzve LGBTI. Po është e vërtetë, ndoshta edhe e theksuar, por kjo nuk duhet shndërruar në kundërofensivë intimidimi, shpesh edhe fyerjeje ndaj shumicës që nuk ndan të njëjtën preferencë dhe tendencë seksuale si pakica ndryshe. Pra në llojin e vet pavarësisht formës, të dy palët nuk është se kanë sensin e tolerancës dhe pranimit dhe është krejt normale, se janë të kundërt e se nuk është thjeshtë çështje ngjyrash mozaiku a ylberi. Kjo është dhe do të jetë gjithmonë një “betejë” e përjetshme mospranimi, derisa palët janë në pole krejtësisht të kundërta dhe do të mbeten në këto pozita pasi ndasia është aq madhe sa në debatin publik dhe atë arsyetues palët tentojnë të përjashtojnë njëra tjetrën, pavarësisht tentativës sipërfaqësore për tolerancë. Parimisht një gay do të dëshironte dhe ndjehej më mirë që bota të ishte e gjitha homoseksuale, ashtu sikurse një heteroseksual dëshiron vetëm habitatin e tij.
Kjo as fshihet as mund të mohohet tanimë. Ndërkohë pavarësisht përpjekjeve titanike është shumë e vështirë të zvogëlohet hendeku, sepse kjo ka të bëjë me egon njerëzore, me vetndjerjen, me traditën dhe me kodin klasik të fizikës (të kundërtat tërhiqen një mashkull dhe një femër) dhe të njëjtat shtyhen (një mashkull me një mashkull ose një femër me një femër) përveç devijancave sikurse janë homoseksualët, etj që në këtë rast thyejnë edhe bazikën shkencore fizike e kimike të ndjesisë dhe tërheqjee molekulare. Tani jetojmë në kohën dhe epokën kur të ndryshmit duhen lejuar e pranuar dhe me ta duhet bashkëjetuar në shoqëri e komunitet, por respekti i shumicës nuk duhet keqkuptuar dhe aq më tepër keqpërdorur me lobime në lozhat politike ku homoseksualët janë prezent dhe shpesh në mënyra okulte e shpesh të hapura përpiqen të imponohen.
Nuk e dimë si do silleshin homoseksualët nëse do të ishin shumicë dhe jo të gjithë me nivel arsimor dhe shoqëror të mesëm ose të lartë ndaj palës tjetër që mund të ishte minorancë. Kjo është një pyetje hipotetike që nuk i japim dot përgjigje, por shpesh arsyetimi se bota ka qenë homoseksuale që mijëra vjet përpara nuk të lejon të mendosh se në zotërimin e pushtetit të shumicës së hipotetizuar të tyre ne te tjerët do ishim komod në zgjedhjen tonë ku mbetemi klasikë të tërheqjes dhe kryqëzimit të një mashkulli me një femër. Por kjo pak rëndësi ka se është në rrafshin hipotetik. Ne sot jetojmë këtë realitet.
Mirë është të jemi sa më pak përjashtues për tjetrin, por kujdes, sepse jo gjithmonë respekti duhet marrë si dobësi. Çdo kush mund të zgjedhë të bëjë ç’të dojë me jetën e tij, por pa hyrë dhe imponuar apo manipuluar përmes politikave e nismave ekstraligjore ndryshime substanciale shoqërore. Njerëzimi ndodhet vërtetë përballë një sfide të cilën Darvini nuk kishte arritur ta përfytyronte në kohën e tij. Tani duhet hakeruar edhe pema e famshme e evolucionit për hir të deviacionit!