Nga Alba Malltezi
Dy të moshuar ecin për 1 orë në këmbë për t’u kthyer në shtëpi nga Librazhdi në Përrenjas, sepse rruga e re e dëmtuar është e bllokuar nga trafiku! Një e moshuar humbet ndjenjat përballë policit e dëshpëruar se është bllokuar prej orësh në trafik në rrugën Maliq-Gramsh! Në disa ditë të javës për të dalë nga Tirana drejt Rinasit duhet më shumë se 1 orë dhe për të hyrë në Tiranë, akoma dhe më shumë.
Dhe nuk mbaron me kaq: Elbasani, Lezha, Laçi, vuajnë nga bllokimet e gjata në akse të ndryshme, dalja nga unaza e madhe në Tiranë është e tmerrshme pasi kanë harruar të realizojnë daljet anësore. Ngërçet dhe trafiku i çmendur bllokojnë në disa orë të ditës dhe rrugicat e Tiranës dhe unazën e vogël. Për të mos folur pastaj nëse dikujt i shkon në mendje të bëjë një shëtitje dhe një vizitë natyrore e shplodhëse në Dajt.
Trafiku po i merr dalëngadalë frymën shqiptarëve dhe Shqipërisë dhe jemi ende larg sezonit të stinës së bukur kur turistë dhe bashkëatdhetarë po planifikojnë të kalojnë pushimet dhe prezenca e makinave do të dhjetëfishohet.
Zgjidhja e problemit të trafikut duhet konsideruar një emergjencë kombëtare. Një prioritet që duhet marrë me shumë seriozitet. Së pari duhen shënuar dhe identifikuar të gjithë rrugët e reja e të vjetra që po pësojnë shembje dhe më pas nyjet problematike që krijojnë hinka njerëzore të padurueshme dhe të papërballueshme për individë dhe familje.
Është e kotë të bëjmë Korçën të bukur, Vlorën, Thethin, Peshkopinë, Beratin, Sarandën, Tiranën, Durrësin, nëse për të arritur në destinacion qytetarët duhet të kalojnë torturat e ferrit që mesa duket ata që i kanë ndërtuar dhe realizuar i kalojnë me shpejtësi me eskorta të policisë me sirena.
Pas kohëve kur shqiptarët kishin frikë të shëtisnin nëpër Shqipëri nga pasiguria, po jetojmë në kohët kur shqiptarët po kyçen në shtëpi nga tmerri dhe grackat e trafikut të krijuar në rrugë të pandërtuara mirë dhe të paideuara mirë. Të dyja janë situata që bllokojnë mundësinë e të jetuarit në liri, bllokojnë mundësinë e shijimit të natyrës dhe të diversitetit të mrekullueshëm që natyra na ka dhuruar nga Jugu në Veri.











