Ministri Demo ka reaguar sot më 19 tetor lidhur me protestat, duke theksuar se e drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë dhe duhet të respektohet.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, ai nënvizoi se Policia e Shtetit ka për detyrë të garantojë zhvillimin paqësor të protestave dhe sigurinë e qytetarëve. Demo u shpreh se çdo ndërhyrje policore do të jetë e nevojshme, e ligjshme dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit.
Ministri bëri të ditur se qeveria mbetet e hapur për dialog me protestuesit, për të dëgjuar shqetësimet dhe kërkesat e tyre. Demo nënvizoi se dialogu dhe komunikimi i drejtpërdrejtë janë rruga e duhur për gjetjen e zgjidhjeve, ndërsa përgjegjësia për veprimet e kundërligjshme është individuale.
E drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë dhe Policia e Shtetit ka detyrimin ta respektojë dhe ta mbrojë atë.
Policia e Shtetit nuk do të jetë asnjëherë nxitëse e përplasjes me protestuesit. Detyra e saj është të garantojë zhvillimin paqësor të protestës, rendin dhe sigurinë e çdo qytetari.
Ndërhyrja e Policisë do të bëhet vetëm kur është e nevojshme dhe e ligjshme për të parandaluar apo ndaluar aktet e dhunës, për të mbrojtur jetën, punonjësit e Policisë, qytetarët dhe pronën publike e private, gjithmonë në respektim të parimit të proporcionalitetit.
Protesta është një e drejtë demokratike. Dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e saj.
Qeveria mbetet e hapur dhe e gatshme për dialog me protestuesit, në çdo kohë dhe për çdo shqetësim apo kërkesë që ata dëshirojnë të ngrenë. Ne besojmë se dialogu, dëgjimi dhe komunikimi i drejtpërdrejtë janë rruga për të adresuar shqetësimet dhe për të gjetur zgjidhje. Asnjë derë nuk është e mbyllur për dialogun dhe asnjë akt dhune nuk mund ta zëvendësojë atë.
Përgjegjësia për aktet e dhunës është individuale. Askush nuk mund të fshihet pas të drejtës për të protestuar për të justifikuar shkeljen e ligjit. Çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të përgjigjet përpara ligjit, pa përjashtim.
Ne do të mbrojmë njësoj të drejtën për të protestuar, sigurinë e qytetarëve dhe autoritetin e ligjit.











