Nga Sokol Balla
Javën e kaluar u përfol rëndshëm se Shkëlqim Cani, një personalitet historik i tranzicionit shqiptar, i rilindur ministër pas fitores të së majtës thuajse dy vjet më parë, po i drejtohej derës së daljes nga qeveria. Hamendësitë ishin të shumta. Por as përrallat për largim në heshtje para ligjit të dosjeve (për shkak se ai ka qënë funksionar aktiv edhe para vitit 1990), as llafet se vendin do ja merrte mtonjësi i përhershëm Ben Ahmetaj, as hamendjet se ai do rikthehet ne parlamnt, si i vetmi ministër që nuk ka dorëzuar mandatin, nuk u vërtetuan. Cani mbetet një ministër i domosdoshëm i kësaj qeverie, që në mungesë të vizionit për të gjeneruar vende pune, të paktën është një gardian konservator i parave publike.
E vërteta në fakt ishte diku në mes. Mes kryeministrit dhe shefit të financave, është rizhvilluar i njëjti dialog, si thuajse [do mbledhje qeverie. Shkëlqim Cani i cili zemëron kryeministrin, pasi ende nuk ka paguar të gjithë borxhet e prapambetura që ka qeveria. Dhe në atë mbledhje të famshme qeverie, kryeministri i njohur për cinizmin e tij, e qerasi Çimin me këtë batutë: “Zoti ministër, unë kam dhënë një premtim si kryeministër. Të kam thënë disa herë, por ti s’po më degjon. Pagesat e prapambetura duhen kryer. Si kryeministër po i kërkoj ministrit, që të bëjë detyrën. Ose na thuaj nëse nuk e bën, na thuaj. Në fund të fundit, ti je edhe i vetmi ministër me mandat deputeti”.
E zbardhur kështu ngjan kërcënuese, por “gjithçka u tha në kuadër të humorit dhe nuk kishte tension në fjalët e Kryeministrit”, më pohonte një ministër që kishte asistuar në këtë replikë miqësore, në tavolinën qëndrore të pushtetit më Shqipëri. Ku asgjë nuk mund të jetë miqësore, por vetëm politike. Dhe ku është politike, shakaja është më shumë se gjysma e të vërtetës. Dhe e vërteta e fshehur në fjalët e kryeministrit, është shqetesimi i tij, se hipoteza se borxhet e prapambetura do të zhvillonin ekonominë me ritme të larta, në fakt po rezulton, në mos e gabuar, e pasaktë. Po ku ka gabuar qeveria me borxhet e prapambetura, te cilat në përgjithësi janë kthyer e po kthehen, pavarësisht Çimit dhe ritmeve të tij konservatore?
Po të flisje me biznesin para zgjedhjeve të 23 qershorit, kur Rama premtoi kthimin e pagesave të prapambetura, jo pak prej tyre, nuk ishin aspak entuziastë. Sipas tyre kthimi i borxheve dhe pagesave të prapambetura biznesit nga qeveria, ishte një zgjidhje e pamjaftueshme e problemit. Sipas biznesmenëve, që deri atëherë ishin vetëm shokët e “Çimit”, personazhit të fortë të një reklame celularësh, që po përgatitej të vinte në pushtet, edhe me ndihmat e tyre bujare, nuk ishte borxhi i dukshëm, por ai i padukshëm që po shkatërronte ekonominë. Ekonomi që në mandatit e dytë të Krokodilit, kishte marrë tipare piramidale. Firmat punonin me clearing të brendshëm, duke qarkulluar shumë pak likuiditete financiare. Pra me një fjalë jepnin beton e merrnin makina, jepnin pllaka dhe merrnin apartamente, jepnin domate e merrnin plehra kimike. Por në mungesë të parave, këto asete në një moment mbarojnë. Sic mbaruan edhe paratë për të larë kreditë, që filluan të bëhen jo vetëm të këqija, por edhe të shumta në numër. Por me një gjyqësor të korruptuar, që punon në shkëmbim të rryshfetit në shërbim të bizneseve gjatë procesit të ngrirjes dhe sekuestros së aseteve, i ka kthyer bankat në kompani të real estate, që po zotërojnë mure dhe tulla, në shkëmbim të miliona eurove, që nuk i shohin më kurrë.
Por pse shokët e Çimit prisnin më shumë prej tij dhe shefit të tij? Kjo sepse, sic më thoshte një prej tyre “kthimi i pagesave të prapambetura, u bë në shuma gjigande ndaj disa bizneseve të mëdha, të cilat, për shkak të krizës dhe frikës së thellimit të saj, jo vetëm nuk i investuan, por as nuk lanë thuajse asgjë nga borxhet e brendshme që i kishin dhe i kanë bizneseve të tjera, me të cilat kanë nënkontraktuar punë, apo u kanë blerë lëndë te para dhe shërbime.
Qeveria pa dashje dhe nisur nga vullneti i mirë, bëri një gafë të madhe të cilën tashmë nuk mund ta korrigjojë dot. Ajo kishte një rrugë tjetër shumë më efikase sesi këto 700 milion dollarë t’i përdorte jo thjesht për të rigjeneruar ekonominë, por edhe për të luftuar evazionin fiskal. Të gjente rrugën ligjore, sesi bizneset që kërkonin borxhet, të paraqisnin para një bordi a komisioni të posacëm ministror, të gjitha faturat e papaguara që u kishin borxh bizneseve të tjera poshtë. Edhe atyre bizneseve t’u kërkonin të njëjtën gjë, duke bërë kështu një shpërndarje kapilare të borxheve të papaguara, si dhe duke arritur të formalizojnë faturat e borxheve në këtë piramidë dhe shtuar kështu deklarimin e faturave, dhe me gjasë rritjen e të ardhurave nga tatim-taksat, si efektin e parë të procesit të kthimit të borxheve të papaguara.
Në një fare mënyre, të bënin atë që socialistët dështuan të bëjnë pasi premtuan të rikthejnë paratë e piramidave në vitin 1997. Megjithëse premtimi i Nanos ishte elektoral dhe ai i Ramës 16 vjet më vonë, shumë më realist, edhe një herë socialistët tregojnë joefikasitetin e përdorimit të financave të shtetit, për t’i marrë maksimumin çdo leku të nxjerrë nga arka e tij. Duke mërzitur shefin e Çimit. Dhe gjithë “shokët” e tij.
Redaksia Online
(Javanews.al)