Pak orë para protestës së thirrur nga opozita më 18:00 para Kryeministrisë, kreu i PD Sali Berisha ka dhënë një mesazh përmes një postimi në rrjetet sociale. Berisha thekson rëndësinë e datës 22 mars, duke bërë thirrje që të gjithë të bashkohen kundër Ramës.
“22 Mars 1992 – dita kur lindi demokracia. 22 Mars sot – dita për ta mbrojtur demokracinë! Ora 18:00, të gjithë para Kryeministrisë kundër Edi Ramës që e përdor ligjin si mburojë për vjedhjet e tij”, shkruan Berisha në një postim në “Facebook’, të shoqëruar me një foto nga viti 1992.
Demokratët kanë zgjedhur që protestën ta zhvillojnë pikërisht sot për simbolikën e 22 marsit të vitit 1992, ditë që shënon fitoren e PD-së në zgjedhjet pluraliste pas rënies së komunizmit.
A2CNN ka mësuar se në protestë nuk pritet të mbahen fjalime nga eksponentët politikë, sikurse ndodh zakonisht.
Ditën e sotme pritet të ketë lëvizje të turmës dhe protesta nuk do të përqendrohet vetëm para godinës së Kryeministrisë. Po ashtu intenerari është ende në diskutim nga organizatorët. Po ashtu protesta nuk do të ketë një regji qendrore.











