• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, June 30, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Editorial

Të gjithë armiqtë e Bashës, pa përjashtuar as Lulin

by Lorenc Vangjeli
23/11/2021 13:36
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Lorenc Vangjeli

Nuk është trekëndësh, por është rreth. Gjeometria politike, të cilën e solli në Tiranë kryetari i PD-së Lulzim Basha, nuk ka tre kulme, por është qark i mbyllur. Nuk ka tre personazhe në kënde dhe një të katërt që i vështron, por një prej tyre është në qendër dhe tre të tjerët i vijnë rrotull. Ky është shpjegimi i thjeshtuar për atë që po ndodh në këtë vjeshtë kaotike në Tiranë, ku alkimia e pushtetit dhe pushteti si lojë, i ka shndërruar miqësitë e interesit të çastit në armiqësi të thella dhe armiqësitë e vjetra i ka bërë kasafortë të interesave të pandryshueshme.

Në qendër të këtij rrethi vicioz është Edi Rama: në perimetrin e këtij rrethi, vijnë qark edhe Basha, edhe Berisha, edhe Meta. Në dukje të gjithë kundër të gjithëve. Në thelb, të tre opozitarët bashkohen në bindjen e pandryshueshme: secili nga ta e akuzon tjetrin si peng të kryeministrit. Duke krijuar kështu situatën më absurde të mundshme dhe portretin më të dhembshëm të vetë opozitës në veçanti, por dhe të gjithë shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Duke nisur me Bashën. Kryetari legal i PD-së legale është armiqësor edhe me Berishën, edhe me Metën, edhe me Ramën. Berisha është armiqësor me Bashën dhe Ramën, por hesht për Metën. Meta është armiqësor me Bashën dhe Ramën, por e shmang Berishën. Basha është gjithashtu armik me të gjitha mundësitë fantastike që fati i afroi në vite Lulzimit. Kurse Rama hesht për të tre sepse vetëm ai është përfituesi real i kësaj armiqësie të kryqëzuar. Ky portret i ri i opozitës, kjo sjellje në perimetrin e rrethit me ramën në qendër, e nxjerr qeverisjen e tij nga fokusi si problem thelbësor i një shoqërie normale dhe e bën të ndjekë me duar në gjoks tollovinë opozitare.

Një politikan shpesh vlen sa shumica e armiqve të tij! Nëse një aksiomë e tillë është e verifikuar për kryeministrin, tek Lulzim Basha, kjo aksiomë është përjashtimi që përforcon rregullin. Sepse Basha, duke nisur që nga maja e fuqisë së tij që e arriti në mesnatën e 25 prillit kur u mendua se opozita fitoi zgjedhjet, tani në vjeshtë po tkurret pak nga pak si dunë rëre. Për ta mbyllur këtë cikël në nivelin më të ulët në javët e para të dimrit. Arsyet janë të shumta, por ato kryesisht janë produkt direkt i veprimeve dhe mosveprimeve të tij. I veprimeve të gabuara dhe akteve të kryer në kohën, vendin dhe mënyrën e gabuar. Ato janë rrjedhojë e asaj që minimalisht ka filluar që në pranverën e 2017-ës. Jo thjesht me marrëveshjen e tij me Ramën, por kryesisht nga pavendosmëria e tij për të kuptuar dhe ndarë tek politikani që synon majën, një të vërtetë elementare: ndarjen e plotë të axhendës politike të grupit që përfaqëson me axhendën vetjake ekonomike. Ndryshe nga gjithë të pasurit normalë, që përveç milionit të parë, janë të gatshëm të shpjegojnë qindarkat e çdo milioni tjetër që kanë fituar, Basha ka treguar vetëm milionin e tij të parë dhe ka heshtur për gjithë dhjetra milionët hipotetikë që i numërojnë në xhepa kritikët e tij.

E sotmja në kaos e PD-së është rrjedhojë e dilemës që ka nisur më shumë se katër vjet më parë, kur Basha hezitonte të gjente nëse i leverdiste të ishte kryeministër i Shqipërisë në vend të Ramës apo mik dhe ministër i tij. Në funksion të kësaj pavendosmërie ai shkëmbeu “friendly fire” me Metën dhe mesazhe bashkëpunimi me Ramën, për të këmbyer vendet menjëherë pas zgjedhjeve të humbura. Në mënyrën më të gabuar të mundshme, me Ramën ndau aleancën në fushatë, kurse me Metën u bë aleat në opozitë, ndërsa fotografinë e Berishës e mbante pas çdo veprimi dhe mosveprimi të tij. Kjo mungesë e koherencës, qoftë dhe në raport me tre politikanët e tjerë në vend dhe raportet e mosbesimit të thellë që ai ndërton për çudi me shumicën e bashkëpunëtorëve të tij, janë nga shkaqet thelbësorë të rrugës së tij me zigzage, që cilindo udhëkryeq të ndjekë, si destinacion final mbërrin gjithmonë opozitën. Edhe lobimi fatkeq në SHBA në 2017-ën, ku ai ishte fajtor pa faj, edhe djegia e mandateve, edhe refuzimi i zgjedhjeve lokale, edhe bojkoti i zgjatur i reformës zgjedhore, edhe mungesa e forcës për të imponuar një listë referendare kundër Ramës në zgjedhjet e 2021-shit, janë armiqtë realë të Bashës, shumë më shumë sesa Berisha, Meta dhe Rama të marrë së bashku.

Sot, nën këshillën më të keqe të mundshme dhe natyrisht, në ditën e tij më të errët politike, ai dhe partia e tij kanë nisur një tjetër betejë. Kursi i përplasjet së PD-së legale me Presidentin e Republikës, do të ishte kura e fundit për t’u marrë. Nuk ka pikën e interesit politik që të shtojë edhe një seri të kryqëzuar sulmesh që mund ta kishte kursyer. Nuk ka pikën e rëndësisë se kush ka të drejtë mes tyre, por është thelbësor fakti që armiqësia me të gjithë, nuk tregon forcë si në rastin e Edi Ramës, por marrëzi. Lulzim Basha arriti në tetë vjet të bëja partinë e tij më të vogël, në rastin më të mirë, të ndarë në dy pjesë armiqësore me njëra-tjetrën. Më shumë se kaq, ai ka bërë edhe vetë opozitën më të vogël se secila pjesë e ndarë e partisë së tij. Si rezultat, Edi Rama duket gabimisht shumë më i fortë sesa shuma e armiqve të Bashës, pa përjashtuar as vetë Lulin.

Next Post
U deklaruan të vdekur, ky është çifti shqiptar që i shpëtoi aksidentit në Bullgari

U deklaruan të vdekur, ky është çifti shqiptar që i shpëtoi aksidentit në Bullgari

Comments 2

  1. PRoShi says:
    5 years ago

    Kot po ja fut plako. Keni tre muaj dhe vërtiteni tek të njëjtat fraza, të njëjtat ide të njëjta shkrime. Shihni tema të vështira që janë shumë aktuale. Basha, Rama, Berisha Meta nuk janë problemi madhor i Shqipërisë. Por kaq e keni takatin.

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

INSTAT nxjerr shifrat për 2025/ Tirana, qyteti më i preferuar nga të huajt! Ja ku zgjedhin të pushojnë shqiptarët

INSTAT nxjerr shifrat për 2025/ Tirana, qyteti më i preferuar nga të huajt! Ja ku zgjedhin të pushojnë shqiptarët

June 30, 2026
31 ditë tubime/ Vangjeli: Protestë unike, vendos në të njëjtën kryq si kryeministrin ashtu edhe liderin e opozitës

31 ditë tubime/ Vangjeli: Protestë unike, vendos në të njëjtën kryq si kryeministrin ashtu edhe liderin e opozitës

June 30, 2026
Analisti Preç Zogaj: Protestës i mungon një palë përfaqësuese për dialog, por Rama duhet të bëjë pjesën e vet

Analisti Preç Zogaj: Protestës i mungon një palë përfaqësuese për dialog, por Rama duhet të bëjë pjesën e vet

June 30, 2026
“Memorandumi me SHBA-të nuk është plotësuar”/ Negociatori iranian: S’ka bisedime për çështje të tjera derisa të zbatohet

“Memorandumi me SHBA-të nuk është plotësuar”/ Negociatori iranian: S’ka bisedime për çështje të tjera derisa të zbatohet

June 30, 2026
Ministri Vengu: Sazani do të kthehet në një lagje të Vlorës, aty do zhvillohet aktivitet turistik i nivelit të lartë

Ministri Vengu: Sazani do të kthehet në një lagje të Vlorës, aty do zhvillohet aktivitet turistik i nivelit të lartë

June 30, 2026
VIDEO/ Protesta para Kryeministrisë në ditën e 31, ja pjesëmarrja në bulevard në orën 21:15

VIDEO/ Protesta para Kryeministrisë në ditën e 31, ja pjesëmarrja në bulevard në orën 21:15

June 30, 2026
Vuçiç mbron Radoiçiçin: Nuk ndiqet penalisht në Serbi, është në kërkim për shkak të Kosovës

Vuçiç mbron Radoiçiçin: Nuk ndiqet penalisht në Serbi, është në kërkim për shkak të Kosovës

June 30, 2026
Protesta për Zvërnecin/ Vengu: Kemi zbuluar kush i sponsorizon dhe përfituesit e saj! Investojnë që të rritet zemërimi e reagimi

Protesta për Zvërnecin/ Vengu: Kemi zbuluar kush i sponsorizon dhe përfituesit e saj! Investojnë që të rritet zemërimi e reagimi

June 30, 2026
Vala e të nxehtit godet Italinë, pesë viktima në 24 orë. Alarm i kuq në 25 qytete

Vala e të nxehtit godet Italinë, pesë viktima në 24 orë. Alarm i kuq në 25 qytete

June 30, 2026
Liderat i nxjerrin situatat dhe rrethanat e caktuara politike

Realiteti i ri politik shqiptar pas një muaji protestash

June 30, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In