Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehet optimist për fitoren e forcës politike që ai drejton në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Në emisionin “Studio e Hapur” me gazetaren Eni Vasili, kryedemokrati tha se objektivi është që PD dhe aleatët të marrin 72 mandate.
I pyetur nëse do e pranojë humbjen në zgjedhje, Basha tha se demokratët shkojnë të sigurt drejt fitores, pasi sipas tij republika e vjeter ka marrë fund.
Sakaq, Basha ka shprehur edhe qëndrimin që ai do të mbajë nëse nuk del fitues në 25 qershor.
Do e pranoni humbjen në zgjedhje z.Basha nëse ndodh?
Ne do të shkojmë të sigurtë drejt fitores, republika e vjetër do të marrë fund. Është një vendim që unë u prek kudo. Dhe u bëj thirrje qytetarëve të dalin masivisht në votime.
Do jepni dorëheqjen nëse dilni i humbur nga kjo betejë?
Unë shkoj i bindur dhe ne shkojmë të bindur drejt fitores, që nuk do të jetë thjesht dhe vetëm fitorja ime apo e PD apo e koalicionit, por do të jetë fitorja e çdo shqiptari. Në çdo rast në korrik ka zgjedhje për kryetarin e partisë. Kjo nuk ndryshon, cilido të jetë rezultati.
Do rikandidoni?
Ky është një vendim që do ta marr në përputhje me interesat më të mira të Partisë Demokratike dhe të qytetarëve shqiptarë.
Varet kjo nga rezultati i zgjedhjeve?
Kjo varet tërësisht nga mënyra sesi mund t’i shërbejmë më mirë interesave të PD dhe qytetarëve shqiptarë.
Nuk do jepni dorëheqjen?
Nuk është çështje dorëheqje. Mandati përfundon në krye të 4 viteve.
Nuk po flas për mandatin, por nëse nuk dilni fitues në këto zgjedhje…
Dhe unë po ju them se nuk merrem me nëse po me bindjen time se me planin ekonomik dhe situatën ne do të shkojmë drejt fitores.