Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për shpalljen e tij non-grata nga Greqia.
Hoxha i është përgjigjur Belerit, i cili kishte deklaruar në një studio televizive, se ai nuk ka lidhje me shpalljen non-grata të gazetarit, madje shtoi se Hoxha po u fshihet procesve gjyqësore ku ai e ka paditur për shpifje.
Hoxha hodhi poshtë këtë argument, duke deklaruar se ai shkonte në gjyq por Beleri ishte në burg. Gazetari e cilësoi qesharake arsyen që pretendojnë mediat greke për shpalljen e tij non-grata, një foto ku shfaqet duke bërë shqiponjën, duke e lidhur vendimin e shtetit grek me qëndrimet që ka mbajtur, përfshirë edhe qëndrimet ndaj Belerit.
“Për çështjen e proceseve gjyqësore, kam patur dy procese, por nuk kam patur nevojë të fshihem, sepse ishte Beleri në burg. Ato çështje ishin lehtë të fitueshme nga ne pasi unë kisha dosjen e plotë.
Beleri sot është përfaqësues i një grupi interesash ultranacionaliste, politike madje edhe ekonomike. Situata u agravua, kur kam filluar të publikoj materiale që e implikonin zotin Beleri edhe në mediat greke, për ndihmën që i kishte dhënë kriminelit, që kur ka vajtur në gjykatën e lartë, me dëshminë e Belerit është liruar, pasi e ka paraqitur Beleri si pjesëtar të minoritetit.
Ndërkohë justifikimi që jep zoti Beleri, si eurodeputet… Ai tani është eurodeputet, përfaqësues i partisë në pushtet, mik i kryeministrit grek.
Çfarë ndodh? Foto që është shpërndarë në mediat greke, është thënë gazetari u shpall non grata për shkak të kësaj fotoje. Jam në urën e Konicës, ku ndodhet flamuri grek dhe kam bërë shqiponjën. Unë kam vulat, që kam hyrë në 6 janar të vitit të kaluar dhe kam vajtur në Konicë. Jam kthyer po atë ditë.
Kam edhe vulat, që kam hyrë sërish në 23 shkurt, dy muaj më mbrapa, nëse do më kishin shpallur non-grata për shqiponjën, si kam hyrë unë sërish në Greqi? Kam qenë në mes të Athinës, kam vajtur në Akropoli, kam bërë foto me shqiponja e me rradhë.
I them zotit Beleri mos gënje më se të ka dalë boja edhe si eurodeputet.
Kam hyrë dhe kam dalë si zotëri në Greqi. Vendimi është marrë pas fushatës.
Gjithë kjo histori, nuk është histori që ka të bëjë me mua si qytetar, është mesazh i qartë”, deklaroi ndër të tjera Hoxha.











