Në tre mujorin e tretë të këtij viti, investimet e huaja direkte kanë shënuar rritje krahasuar me periudhat e tjera, duke ia tejkaluar edhe pjesës së parë të vitit, ku në dy muajt e parë epidemia e Covid-19 nuk kishte nisur ende.
Sipas bilancit të pagesave, investimet e huaja direkte arritën në 237 milionë euro në tre mujorin e tretë të vitit, nga 222 dhe 232 milionë euro që ishin në tre mujorët e tjerë. Pavarësisht rigjallërimit të investimeve të huaja, shifrat mbeten më të ulëta se një vit më parë.
Në këtë periudhë, krahasuar me 2019-n, investimet e kompanive me kapital nga jashtë janë 18 milionë euro më pak, ndërsa si 9 mujor, tkurrja rezulton me minus 110 milionë euro.
Përfundimi i disa veprave madhore në infrastrukturë dhe energji si gazsjellësi Trans Adriatik dhe hidrocentrali i Devollit kanë ulur ritmin e investimeve nga jashtë, ndërsa situata e pandemisë së Covid-19 ka shtyrë planet e investimeve në shumicën e kompanive ndërkombëtare.
Në dy vitet e fundit, investimet e huaja kapën nivele rekorde në mbi 1 miliard euro.
/a.r