Me qëllim festimin e fundvitit në një atmosferë të gëzueshme edhe për personat e privuar nga liria, në IEVP Fier u organizua ditën e sotme një aktivitet artistik, ku morën pjesë personalitete nga bota e artit dhe politikës. Bashkia Fier organizoi një koncert në institucionin e ri të burgut Fier me të ftuar nderi aktorët e mirënjohur, Artistë të Popullit, Reshat Arbana dhe Luftar Paja, si dhe historianin Moikom Zeqo. Gjithashtu, të pranishëm ishin drejtues të qeverisjes vendore, deputetë zonalë dhe artistë të qytetit të Fierit.
Mori pjesë në këtë aktivitet edhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, i cili në fjalën e tij tha se ky aktivitet ka një simbolikë shumë të madhe, sepse aktivitete të tilla kanë lidhje edhe me misionin që ka Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, që është rehabilitimi dhe riintegrimi i këtyre personave në shoqëri.
“Ka një lidhje shumë të madhe midis procesit të riintegrimit dhe artit, sepse edhe vetë ky proces është art. Prandaj ne kemi këtu sot ikonat e artit, të cilët njohin më mirë jo vetëm ndjeshmërinë njerëzore, por edhe nevojën apo shpresën tuaj për të dalë sa më shpejt nga ky institucion. Në emër të DPB falenderoj stafin e këtij institucioni, i cili është i ri dhe në një kohë shumë të shpejtë u bë funksional, çka ju e shihni edhe vetë, që infrastruktura është në nivelet më të kënaqshme e standardet më të mira në vendin tonë dhe pse jo, edhe më gjerë. Do të doja që kjo infrastrukturë të ishte në të njëjtin nivel me profesionalizmin dhe angazhimin e stafit, qoftë atij me uniformë e social. Ju tashmë jeni njohur me iniciativën e Ministrit të Drejtësisë për miratimin e ligjit të amnistisë, që është dhurata më e mirë që mund t’ju bëjmë juve dhe të afërmve tuaj në këtë fundvit, pasi disa nga ju do të kenë fatin të lirohen menjëherë pasi ligji të hyjë në fuqi. Me këtë iniciativë ne kemi patur parasysh respektimin e dinjitetit tuaj, sepse në vetvete amnistia nuk është thjesht një politikë penale apo heqje dorë e shtetit nga ndjekja penale, por lidhet me respektimin e dinjitetit tuaj. Duke patur parasysh legjislacionin ndërkombëtar dhe atë vendas në fuqi, ku primare janë të drejtat e njeriut, u ndërmor kjo iniciativë. Ju uroj gëzuar festat, pavarësisht se ju këto festa po i bëni larg familjeve tuaja, por me bindjen që ju të dilni sa më shpejt nga ky institucion”, tha në fjalën e tij Drejtori Zoto.
Gjatë aktivitetit i përshëndetën të pranishmit dy Artistët e Popullit, aktorët Reshat Arbana dhe Luftar Paja, të cilët uruan të burgosurit për festat dhe për liri të shpejtë. Aktori Arbana recitoi poezinë e mirënjohur “Në mundsh” të Rudyard Kipling, e cila ishte një mesazh i fortë për të burgosurit, pasi vetë poezia evokon për një njeri që qëndron i fortë në çdo situatë dhe triumfon ana e tij më njerëzore, kundrejt të gjitha vështirësive në jetë. Ndërsa aktori Paja solli humor me disa rrëfenja satirike. I ftuari tjetër i veçantë ië këtij eventi, historiani Moikom Zeqo, tha në fjalën e tij se jeta është një e drejtë natyrore e thelbit të ekzistencës së njeriut.

“Jeta e njeriut është gjëja më misterioze dhe kjo jetë mund të shpërdorohet, mund të bëhet me gabime, por edhe mund të përmirësohet. Njeriu duhet të ndiejë shijen e jetës, sepse nëse nuk e ndjen atë atëherë nuk ka kuptim as dënimi, as shoqëria dhe asgjë tjetër. Juve nuk jeni të vetëm. Jeni njerëz që keni bërë gabime dhe jeni dënuar për to. Por gabime bëjnë të gjithë dhe kjo nuk do të thotë të mos ndjeni thelbin e së drejtës së jetës.” tha mes të tjerash historiani Zeqo.
Edhe drejtori i institucionit pritës të IEVP Fier, Arjan Hasani, në fjalën e tij përshëndetëse u uroi festat banorëve të këtij institucioni, apo siç i quajti ai ‘bashkëudhëtarët e tij’, të cilët nuk i ka konsideruar asnjëherë si vuajtës dënimi, por si pjesë e një misioni të përbashkët që ka në fokus bashkëjetesën, harmoninë dhe tolerancën.
“Së bashku kemi menduar të krijojmë një ambjent të ngrohtë dhe miqësor, që jam i sigurtë se do të nxisë miqësinë tonë edhe jashtë dyerve të këtij institucioni, atje ku jemi të gjithë të barabartë, si qytetarë të lirë e të përgjegjshëm përpara ligjit.”- tha ai.
Atmosfera festive vijoi përreth dy orë, me këngë popullore të trevës dhe interpretime nga këngëtarë të muzikës së lehtë.









