Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga gjykata bllokimin dhe konfiskimin e shumës prej 3.5 milionë lekësh të reja, të investuara në bono thesari pranë Bankës së Shqipërisë nga ana e shtetases Zenepe Cenaj, banuese në Shkodër. Sipas Prokurorisw kwrkesa vjen pasi është provuar se këto para ajo i ka përfituar nga aktiviteti i paligjshëm i djalit të saj, Ylber Cenaj, i arrestuar në Francë për “trafik lëndësh narkotike”.
Nga ana e saj Prokuroria ka regjistruar procedimin penal për hetim pasuror, pas informacionit të mbërritur nga autoritetet franceze mbi arrestimin e Ylber Cenaj. Sipas të dhënave nga Franca, ky shtetas, së bashku me 25 shtetas të tjerë, janë arrestuar në kuadër të një operacioni të zhvilluar në qytetin e Perige (pranë Bordos), Francë, në të cilin policia franceze ka zbuluar një rrjet që trafikonte dhe shpërndante lëndë narkotike në lokalet e natës së zonës.
Sipas autoriteteve franceze, aktiviteti i këtij grupi shtrihet të paktën që prej vitit 2011. Pikërisht, në këtë kohë, shtetasi Ylber Cenaj ka dërguar në Shqipëri një sasi parash, të cilat janë investuar nga e ëma e tij në bono thesari pranë Bankës së Shqipërisë. Nga hetimi i kryer prej Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton se Zenepe Cenaj nuk ka pasur asnjë mundësi reale që të krijojë të ardhura.
Për këtë arsye, Prokuroria ka krijuar bindjen e plotë se paratë e investuara prej saj kanë prejardhje nga veprimtaria kriminale e të birit.









