Që nga dita e djeshme ka hyrë në fuqi udhëzimi “Për masën, kriteret dhe procedurat për tarifat financiare për veprimtarinë e lejuar me armët”, me të cilin njihen gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, si dhe personat e interesuar për veprimtarinë e lejuara me armët. Autorizimet si dhe dhëniet e licencave kanë tarifa të ndryshme dhe afatet të ndryshme. “Tarifë për dhënie licence, për import/eksport dhe tregtimin, për armët e kategorisë “B1”, “B4”, “C” dhe “D”, 300 000 lekë. Tarifë për pajisjen me licencë, për transportin e armëve, pajisjeve dhe municioneve të tyre të kategorisë “B1”, “B4”,“C” dhe “D”, 200 000 lekë.
Tarifë për pajisjen me licencë për poligon civil qitjeje, 300 000 lekë. Tarifë për pajisjen me licencë për aftësimin teorik dhe praktik për armët, 100 000 lekë”, thuhet në udhëzim, ku këto kanë një afat 5-vjeçar. Ndërkohë që tarifa për pajisjen me certifikatë për drejtues tekniko-administrativ për veprimtarinë e lejuar me armët sipas ligjit për armët, shkon 45 000 lekë. Për subjektet e licencuara për aftësimin teorik dhe praktik për komisionin e testimit për veprimtarinë e lejuar me armë, për punonjës të Policisë së Shtetit, pjesëtarë të komisionit (në ditë), tarifa është 1000 lekë, kjo pa një afat.
Ndër të tjera, në këtë udhëzim përcaktohen edhe tarifat e tjera që kanë të bëjnë me tarifat që duhet të paguajnë personat juridikë për pajisjen me autorizimin përkatës. “Tarifë për shërbimin që ofron policia, për pajisjen me autorizim për blerje arme zjarri për personat fizikë, 200 lekë. Tarifë për shërbimin që ofron policia për pajisjen me autorizim për blerje armë zjarri për personat juridikë, 200 lekë”, sqaron udhëzimi, të cilat kanë afat provizor. “Pajisja me autorizim për mbajtje arme për personat juridikë, ka tarifë 2000 lekë. Tarifë për pajisjen me autorizim për mbajtje arme zjarri, për personat fizikë për shkak të detyrës shtetërore apo rrethanave të veçanta personale, 1000 lekë.
Tarifë për pajisjen me autorizim për mbajtje armë gjahu/sportive për individ, 2000 lekë. Tarifë për pajisjen me autorizim për mbajtje armë zjarri, kategoria “B1” për në vendbanim për individ, 10000 lekë”, thuhet në udhëzim, të cilat kanë një afat pesëvjeçar. Pajisja e personave fizikë/juridikë me autorizim provizor për futjen e armëve në territorin e Republikës së Shqipërisë nga shtetasit e huaj për gjueti turistike (për çdo armë) ka një tarifë prej 5 000 lekë, ndërsa pajisja me autorizim për përdorim skenik të armës, të dhëna nga policia, për çdo armë ka një tarifë prej 1 000 lekë, autorizime këto me afat provizor. Afat provizor ka dhe autorizim për rimbushje të municioneve të gjuetisë që është 1000 lekë, ndërsa pajisja me autorizim për mbajtje arme gjahu për shtetasit e huaj ka një tarifë prej 2 000 lekësh dhe ka një afat 5 vjeçar./Gazeta Shqip/









