Projekti TAP në Shqipëri merr jetë pas mbërritjes së tubave të parë, shoqëruar me ceremoninë e zhvilluar në Spitallë të Durrësit, ku është sheshi kryesor i magazinimit të tubave dhe pajisjeve.
“Përmes gazsjellësit TAP, Shqipëria vendoset në një nga arteriet më kryesore energjetike në Europë. Avantazhet e vendosjes së tij në vendin tonë janë të panumërta, që nga investimi i konsiderueshëm, tek rrugët e reja të dijes në këtë drejtim dhe deri tek punësimi indirekt”.
Sipas kryeministrit, “TAP është një prej motorëve kryesorë të zhvillimit të vendit, brenda vitit parashihet të përfundojë ndërtimi i mbi 100 km rrugë dhe 43 ura në një investim që i tejkalon 60 mijë euro. Këto rrugë aksesi dhe këto ura, kanë ndikuar në një rritje të nivelit të jetesës, fermerët e qarkut të Korçës kanë akses direkt dhe janë shumë të lehtësuar për në tregjet e vendit. Vetëm në Çorovodë përfitojnë qindra familje nga qiraja për tokën ku kalon gazsjellësi. Në këto zona shteti në 20 vjet nuk ka bërë asnjë investim”.
Më tej Rama foli edhe për përmasën sociale të këtij angazhimi. “Në 2015 TAP ka kontribuar në rehabilitim shkollash, fushata për sigurinë dhe shëndetësinë, ka marrë përsipër për 234 familje kompensimet. Po ashtu janë në finalizim edhe projekte të tjera për rehabilitime shkollash, zgjerimin e urës kryesore në Çorovodë. Meritë e ministrit të Energjisë është që ngrit një skuadër speciale të posaçme për të trajtuar të gjitha aspektet e problematikës që duhet të zgjidhë shteti për TAP për të lehtësuar rrugët e burokracisë”.
Rama shtoi se qeveria ashtu si vendet e tjera ku kalon ky projekt po riinegocion kontratën me TAP për përfitime simetrike, ashtu si vendet e tjera.
“Kontrata e nënshkruar nuk parashikonte asnjë lloj përfitimi simetrik, nuk ka asnjë arsye që Greqia apo të tjera vende të përfitojnë për shtetin shërbim dhe Shqipëria të mos përfitojë asgjë. Gjetëm gatishmëri nga TAP që na dëgjuan dhe të kemi një përfitim simetrik. Për ne është e domosdoshme për tu vënë në të njëjtin nivel si vendet e tjera. Të përfitojnë njerëzit në vendin tonë..Jam shpresëplotë që do përmbyllet ky negocim”.
Ministri i Enegjetikës, Damian Gjiknuri, tha se projekti nuk është më në letër, por ka nisur të zbatohet në terren.
“Gjërat në terren po ecin në bazë të një projeksioni të duhur. Lajm i mirë është që po ndërtohet një projekt shekulli. Kjo është një rrugë alternative e furnizimit me gaz të vendeve të BE. Shumë vende të rajonit do lidhen me rrjetin ndërkombëtar të gazit, do krijojmë një burim të ri energjie. Me ardhjen e gazit do vihet në punë edhe termocentrali i Vlorës”, tha Gjiknuri.
Për ndërtimin e tubacionit të Gazsjellësit Trans Adriatik në Shqipëri, do përdoren rreth 13.000 tuba. Tubat janë prodhuar nga Kompania gjermane Salzgitter Mannesmann International GmbH dhe kanë udhëtuar për 11 ditë nga porti gjerman i Brake deri në Portin e Durrësit. Tubat e parë kanë arritur në tokën shqiptare më 5 prill, ora 08:15. Anija e parë transportoi 1.390 tuba si dhe 73 bërryla, ndërsa shkarkimi nga secila anije zgjat rreth 6 ditë.
Sheshi kryesor i magazinimit është rreth 90.000 m2. 90% e numrit të përgjithshëm të tubave që do të përdoren në seksionin shqiptar të Tubacionit do të jenë me gjatësi 18 metra, ndërsa 10% e tyre me gjatësi 12 metra. Diametri i brendshëm i secilit tub është 1,22 metra. Pesha e një tubi të vetëm prej 18 metrash është rreth 16.900 kg.