SPECIALE JAVANEWS/ Ndërsa ka nisur zyrtarisht puna për zbatimin e fazës së parë të ndërtimit të projektit të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) në territorin shqiptar, kanë nisur të bëhen edhe llogaritë se cilat do të jenë përfitimet që do të ketë vendi ynë nga ky projekt. Deri pak muaj më parë të gjitha llogaritë ishin në letër në formën e projekteve. Praktikisht gjurma e TAP-it përmes Shqipërisë është rreth 211 kilometra në pjesën tokësore dhe 37 kilometra në pjesën detare, në ujërat territoriale shqiptare të detit Adriatik. Seksioni fillon në Bilisht Qendër në Qarkun e Korçës dhe mbërrin në detin Adriatik, 17 kilometra në veriperëndim të Fierit. Në afërsi të Fierit do të ndërtohet një stacion kompresor, si dhe është planifikuar një stacion tjetër në afërsi të Bilishtit, për të përballuar edhe një zgjerim të kapacitetit të gazsjellësit në 20 miliardë metra kub. Përgjatë kësaj gjurme do të ndërtohen nëntë stacione valvulash bllokimi. Faza e parë parashikon ndërtimin e rrugëve të aksesit dhe urave. Në zonat malore do të ndërtohen 51 kilometra rrugë të reja dytësore, ndërsa 41 kilometra ekzistuese do të përmirësohen. Do të rehabilitohen edhe 42 ura dhe do të ndërtohen 3 të reja. Ndërsa përgjatë vitit 2016 nis faza e dytë, që ka të bëjë me ndërtimin e tubacionit të gazit nëpër territorin shqiptar. Në vitin 2019 parashikohet përfundimi i plotë i punimeve. TAP parashikohet të fillojë operacionet dhe të kalojë gazin e parë në fillimin e vitit 2020.
Ecuria e projektit
Që prej muajit Shtator të vitit të kaluar zyra e TAP-it në Tiranë ka nisur procesin e shërbimeve dhe blerjen e tokës (LEA) në Greqi dhe Shqipëri, ku ekipet e punës kanë punuar për identifikimin e pronarëve të ligjshëm në zonat nga ku do të kalojë tubacioni. Në Shqipëri, TAP do të shtrijë 211 km tubacion gazi, duke hyrë nga Greqia në fshatin Miras (Devoll), deri në bregdet, në veri-perëndim të Fierit dhe në det të hapur 60 km gjatësi në Adriatik për të hyrë në Italinë e jugut, në San Foka. Në Shqipëri gazsjellësi TAP parashikon zhvillim të depozitave të gazit natyror, ku do të përdoren depot e mëdha natyrore që vendi ka për depozitimin e gazit me një investim të llogaritur prej rreth 1 miliardë dollarë dhe punësim direkt dhe indirekt për 20 mijë vende të reja pune në zbatim dhe për gazifikimin e vendit.
Aksionerët
Konsorciumi Shah Deniz ka miratuar planin e investimeve për zhvillimin e Fazës II në fushën e gazit Shah Deniz në Detin Kaspik (Azerbajxhan), me vlerë 28 miliardë USD. Tek konsorciumi Shah Deniz aksionerë janë: BP me 28.8%, SOCAR 16.7%, Statoil me 15.5%, Total me 10%, Lukoil me 10%, Nico me 10% dhe TPAO me 9% aksione. Me shitjet e para të gazit për Gjeorgjinë dhe Turqinë, që parashikohet të realizohen në fund të vitit 2018, pritet që në Europë ato të nisin përafërsisht një vit më pas, pra në vitin 2019. Ky investim parashikon zgjerimin e tubacionit Jugor të Kaukazit përmes Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë me ndërtimin e gazsjellësit Anatolian ( TANAP ) nëpër Turqi dhe ndërtimin e Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), që kalon nga Turqia në Greqi, Shqipëri dhe Itali. Të dy projektet, bashkë me infrastrukturën e transmetimit të gazit në Bullgari, krijojnë Korridorin Jugor të Gazit në Evropë. TAP-i nga Italia ofron mundësi transporti të mëtejshëm të gazit natyror nga Kaspiku në tregjet më të mëdha evropiane si Gjermani, Francë, Britani e Madhe , Zvicër dhe Austri.
Përfitimet e Shqipërisë
Ndërtimi i gazsjellësit TAP parashikohet se do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë gjurmës së tubacionit, ndërsa do të jetë burim i madh i investimeve të huaja direkte. Përveç diversifikimit në furnizimin me gaz për Europën, tubacioni i TAP-it do të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike për Europën Jugore. Për Shqipërinë, sipas studimit të pavarur të “Oxford Economics”, zbatimi i TAP do të kushtojë përafërsisht 1 miliard USD, çka do të nxisë aktivitetin ekonomik në tërësi dhe në zonat ku do të kalojë. Përfitimet lidhen edhe me punësimin, mbajtjen dhe krijimin e infrastrukturës, zhvillimin e potencialeve lokale dhe aftësitë. Sipas studimit, ndikimi i drejtpërdrejtë i projektit do të arrijë kulmin në vitin 2017, pasi pritet që aktiviteti nga TAP të gjenerojë 57 milionë euro për PBB-në shqiptare, të krijojë 4.200 vende pune në vit, me kohë të plotë e të pjesshme. Aktualisht Shqipëria ende nuk është e lidhur me rrjetin ndërkombëtar të gazit. Ajo ka prodhim minimal të gazit natyror, rreth 4-5 milionë m³, sasi gati e parëndësishme dhe që shërben vetëm për të furnizuar rafinerinë dhe industrisë së naftës.
Projektet e tjera
Shqipëria, përveç projektit TAP, synon dhe projektin e gazsjellësit Jon Adriatik, (IAP), që lidhet me planet e zhvillimit të rrjetit të gazit natyror në Ballkanin Perëndimor, nga Kroacia në Bosnjë & Hercegovinë, Mal të Zi dhe Shqipëri. Ky projekt shpresohet të funksionojë në një sistem qarku të mbyllur, ku furnizimi do të realizohet në dy drejtime, veri dhe jug nga sistemi kroat i transportit të gazit dhe TAP. Projekti IAP do të jetë gjithashtu pjesë e Unazës së gazit të Komunitetit të Energjisë, si një projekt rajonal, i aprovuar nga Komuniteti i Energjisë dhe BE. Projekti i gazsjellësit IAP është aktualisht në fazën e kryerjes së studimit të fizibilitetit me fondin 3 milionë euro nga BE. (javanews.al / Me.Ar)









