Vendosja e taksës për Rrugën e Kombit nuk është pritur mirë nga politika por edhe biznesi kosovar, që e ka cilësuar tepër të kripur tarifën.
Sot në pikën kufitare të Morinës po protestohet kundër vendosjes së kësaj takse nga qeveria shqiptare e cila do të shkojë për mirëmbajtjen e rrugës.
Bizneset kosovare kanë zgjedhur një mënyrë origjinale proteste. Rreth 150 kamionë kanë hyrë në territorin shqiptar pa mallra.
Po ashtu, ata do të kthehen sërish në Kosovë bosh, si paralajmërim për bllokimin e shkëmbimeve tregtare mes vendeve.
Në protestë janë importues të kripës, hekurit, tullave, mallra ushqimore etj. Ata kanë vendosur edhe pankarta në kamionët e tyre. “Ruaje zot Shqipërinë prej shqiptarëve”, “S’po hjekim kufi, po qesim kufi” janë disa nga pankartat e vendosura në kamion.
Raportohet se në Morinë janë stacionuar forca të shumta policore për të mbikqyrur situatën./a.m.