Në fund nuk u shënua asgjë. Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të “Grupit të punës për migracionin” u shpërndanë sërish mbas 4 orë konsultimesh jozyrtare në Bruksel, pa patur ndonjë afrim të pozicioneve të tyre. “Pati shumë vullnet të mirë|, tha kancelarja gjermane Angela Merkel mbas takimit. Më parë ajo pati pranuar se edhe gjatë takimit të nivelit të lartë të BE, zhvilluar të enjten dhe të premten nuk do të ketë ndonjë “zgjidhje të përgjithshme të problemit të migracionit”. Prandaj edhe në bisedimet bi- ose triraterale bëhet fjalë për përfitime reciproke. “Ne mund të ndihmojmë njëri tjetrin, që të mos na duhet të presim të 28 (vendet anëtare të BE), por të mendojmë për ato vende për të cilët ështëe rëndësishme”, tha Merkel.
Por për këto marrëveshje bilaterale për shembull me Italinë ose Austrinë për dëbimin e azilkërkuesve direkt në kufi, të kërkuar nga partia Socialkristiane, nuk është folur fare. 90 përqind të kohës është folur për mbrojtjen më të mire të kufijve dhe bllokimin e rrugëve detare nga Libia në Itali, thotënjë pjesëmarrës i takimit. Po ashtu është folur për forcimin e policisë evropiane “Frontex”, i cili aktualisht nuk mund të kontrollojë vetë kufinjtë. Mandati i tij mund të ndryshojë, tha kancelarja. Duhet të ketë “ndryshime operacionale” në kufinj, tha kryeministri maltez Joseph Muscat pa shpjeguar detajet. Ai konfirmoi indirekt se nuk ka pasur afrime në pozicionet e ndryshme të vendeve. “Ne thamë qartë çfarë mendojmë “, tha maltezi për bisedimet. Në gjuhën diplomatike kështu thuhet për të treguar që ka pasur zënka
Italia kërkon ndarjen e refugjatëve sipas kuotave
Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, pati ka prezantuar planin e tij dhjetëpikësh. Italia nuk do të lejojë më të futen në vend refugjatë që nuk është seleksionuar një herë në anijet e marinës italiane. “Ky është një propozim që ka si synim, të zëvendësojë rregullat aktuale të Dublinit.
Nuk funksionon nëse ne vazhdojmë me llogjikën e e rasteve emergjente”, tha Conte në Bruksel. Rregullat e Dublinit, janë ato që janë përgjegjëse për futjen e azilkërkuesve. Conte kërkon ta ndryshojë këtë në mënyrë radikale. Nga portat italiane azilkërkuesit dhe migrantët mund të shpërndahen sipas kuotave në vende të tjera evropiane. Nuk është vetëm Italia përgjegjëse, por e gjithë Evropa. Por vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, por edhe Austria e refuzojnë me forcë. Përveç kësaj propozimi italian nuk është i ri, thotë kryeministri grek Alexis Tsipras,
vendi i të cilit është po ashtu vend përgjegjës për migrantët sipas rregullave të Dublinit. Një rregull për vendosjen e kuotave për lehtësimin e Italisë dhe Greqisë vendet e BE e patën vendosur që më 2015. Por ai nuk u vu krejtësisht në zbatim, megjithëse Gjykata Evropiane e konfirmoi si të drejtë. Grupi i refuzuesve të kuotave me Poloninë dhe Hungarinë në krye, nuk morrën pjesë në takimin e grupit të punës ditën e diel.
Merkel vazhdon bisedimet
Kancelarja Merkel bëri të ditur se do të vazhdojë bisedimet bilaterale dhe trialaterale deri në takimin e nivelit të lartë të BE. Me kë do të flas dhe për çfarë nuk e sqaroi. Kryeministri i Luksemburgut la përshtypjen sikur i gjithë takimi i Brukselit ishte organizuar për të shuar grindjet midis Merkelit dhe ministrit të Brendshëm, Horst Seehofer (CSU). Me pak ironi, Xavier Bettel tha para takimit: “Këtu nuk kemi të bëjmë me mbajtjen në post të një kancelareje. Këtu kemi të bëjmë mr gjetjen e një zgjidhjeje për të ardhmen, për migracionin e përbashkët dhe çështjen e azilit në Evropë”. Ne shohim se sapo vjen një valë e madhe refugjatësh, ne nuk jemi në gjendje ta përballojmë. Puna nuk është a është Merkeli kancelari javës tjetër apo jo.”
Presidenti francez Emmanuel Macron është sipas vlerësimeve të shumë diplomatëve të BE-së, një nga aleatët më të ngushtë të kancelares. Ai kërkon që rrugët detare midis Libisë dhe Italisë të mbyllen krejt për migracionin ilegal. Duhet bashkëpunuar më fort me Libinë. Macron foli po ashtu si kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, për kampe internimi për azilkërkuesit dhe migrantët, në të cilat të vendoset kush ka shance azili dhe kush jo. A do ndërtohen këto kampe në Afrikën e Veriut apo në tokë evropiane, nuk është rënë ende dakord.
E sigurt është se këto kampe nuk janë zgjidhje për dëbimin e azilkërkuesve në kufirin gjermano- austriak, siç kërkon CSU. DW/ma.me