Në Durrës u mbajt sot takimi i kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky takim u zhvillua nën sfondin e debatit për kufijtë mes Serbisë dhe Kosovës.
Pas takimit, kryeministrat dolën në një konferencë të përbashkët për mediat. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj theksoi edhe njëherë se kufijtë nuk lëvizin, duke konfirmuar qëndrimin kundër presidentit Hashim Thaçi.
“Dua të them diçka për kufijtë se është folur shumë këto kohë. Kosova i ka kufijtë e vetë, i ka me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë… Nuk mendoj se duhet ndonjë kreativitet i ri për dizenjimin e tyre, por duhet ti respektojmë këta kufij”, tha Haradinaj.
Ndërkohë, Komisioneri Johanes Hahn, i pyetur nga gazetarët lidhur me çështjen e kufijve, ka thënë se çdo marrëveshje dypalëshe mes vendeve duhet të jetë e tillë që të mos rrezikojë stabilitetin e rajonit.
“Mendoj që nuk është e përshtatshme në këtë fazë të bëjnë komente lidhur me diskutimet dhe negociatat. Takimi javën e ardhshme në Bruksel do jetë tjetër takim dhe sigurisht do kërkojë kohë që të gjendet një marrëveshje e për rrjedhojë nuk dua të bëj asnjë koment përveç atij që siç është parashtruar në strategjinë tonë për Ballkanin. Ne nuk pranojmë asnjë anëtar të ri nëse nuk kanë zgjidhur marrëveshjet dy palëshe. Ajo që ka vlerë është stabiliteti i rajonit. Çdo lloj marrëveshje dypalëshe nuk duhet të rrezikojë rajonin. Cilido të jetë objektivi përfundimtar, ky duhet të jetë objektivi kyç, sa më shumë stabilitet.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama nuk ka pranuar sërish të komentojë lidhur me këtë çështje. Por, ai u përgjigj shkurtimisht se “opinioni im është ai që tha Komisioneri”.
Diskutimet për çështjet mes vendeve
Në fjalën e tij, shefi i qeverisë shqiptare Edi Rama dha edhe disa detaje nga çështjet e diskutuara. Ai theksoi mes të tjerash se pavarësisht se ka “ngërçe mes vendeve”, “sot janë shumë më mirë gjërat seç ishin 4-5 vite më parë. Por, ne e dimë që krahasimin me katër vite më parë, jo vetëm nuk mjafton, por jemi të sfiduar na fakti që njerëzit krahasojnë gjendjen e tyre sot këtu në rjaon, me Gjermaninë, Francën, e vendet e tjera”.
“Kemi zhvilluar një takim të frytshëm. Duke bërë një bilanc të ecurisë së procesit të krijimit të zonës rajonale ekonomike, duke parë me radhë të gjitha aspektet e një procesi qoftë ato që kanë ecur si duhet qoftë ato që kanë nevojë për një shtysë më të fortë.
Patjetër kemi diskutuar dhe më gjerësisht për marrëdhëniet dhe ecurinë e përbashkët në rrugën e anëtarësimit në BE”, tha Rama.
Rama zbuloi edhe arsyet e mungesës së disa homologëve.
“Kushte objektive kanë pamundësuar praninë e disa miqve të tjerë, i shpreh ngushëllimet tona kryeministrit Borisov për aksidentin tragjik ku humbën jetën shumë persona dhe është bërë shkak për anulimin në minutën e fundit të ardhjes së tij, po ashtu kryeministri i Maqedonisë e ka pasur të pamundur fluturimin për shkak të kohës, kryeministrja e Serbisë na përcolli keqardhjen. Duke bërë një bilanc të ecurisë të procesit të krijimit të zonës ekonomike. Kemi diskutuar më gjerësisht për marrëdhëniet për ecurinë e përbashkët në BE. Objektiv ngritja e qendrës për zhvillimin e qëndrueshëm teknologjik në Malin e Zi, iniciativë që e mbështesim fuqimisht”, tha Rama.
Ndërkorhë Komisioneri Hahn deklaroi se është e nevojshme të hiqen barrierat formale dhe informale mes vendeve.
“Sot kemi diskutuar për zhvillimin ekonomik, atë që është realizuar deri tani. Në vitin e fundit janë hapur 80 mijë vende të reja pune në të gjithë rajonin dhe tregtia është rritur. Kjo demonstron edhe potencialin ende të pranishëm në rajon që pret të shfrytëzohet që të përmirësohen kushtet ekonomike mes vendeve të rajonit, të heqim barrierat informale dhe formale. Të vijoj njohja e diplomave akademike dhe certifikatave. Dëgjova se mund të ketë mundësi që dy vendet që nuk janë pjesë e ‘Roaming’ të merren parasysh që të bëhen pjesë. Ne na është dashur mbi 10 vite për të gjetur një zgjidhje në BE, por ne kemi eksperiencë dhe e dimë cfarë rruge duhet ndjekur. Duhet ta promovojmë rajonin si markë në nivelin global, personalisht do u bëj thirrje ti kushtoni rendësi sektorit të energjisë. Rajoni ka më shumë mundësi për të qenë më shumë i vetëmbështetur për prodhimin e energjisë me kusht që të ketë bashkëpunim më të mirë”, tha Hahn.
Kryeministri i Dusko Markoviç u shpreh se koha është e mbushur me sfida, por Ballkani është i vendosur për të ecur përpara.
“Ne duhet të përmbushim angazhimet në kuadër të procesit të Berlinit, sot bëmë një vlerësim të rezultateve të arritura dhe objektivave që përballemi. Vendosëm dhe ramë dakord që plani i veprimit duhet të jetë axhenda që na mban në lëvizje të gjithëve për të krijuar më shumë vende të reja pune. Sot në emër të Malit të Zi do të falënderoja Ramën për mbështetjen për hapjen e Institutit të Teknologjisë. Besoj që koha është e mbushur me sfida”, tha Markoviç./a.m.