Kryetari i PS-së së Tiranës i është rikthyer mesazhit që zgjedhësit në 25 Qershor duhet të mos i shpërdorojnë votat sipas tij, për partitë e vogla.
Saimir Tahiri e ka ashpërsuar gjuhën retorike edhe ndaj aleatëve në 4 vitet e fundit, duke pranuar se këto parti nuk kanë hezituar t’i vendosnin shkopinj nën rrota, pushtetit.
“Të largohemi nga politika e vjetër, të mbyllim kapitullin 25 vjeçar. Këtu ka 18 vjeçarë, që lindën kur Berisha ishte President, e sot e shohin prapë Berishën kandidat për deputet.
Miqtë e mi, ka plot parti që sot dalin dhe u kërkojnë votën njerëzve. Ka parti të vjetra, ka parti të reja. Mos u gënjeni nga askush. Ata duan vetëm një dorë te tepsia e pushtetit, që të rrjepin pushtetin duke rrjepur 4 vjet njerëzit që pastaj të rrjepin prapë zgjedhjet dhe pastaj të pasurohen në kurriz të njerëzve. Mos u gënjeni nga ata. Ka vetëm një alternativë. Kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë.
Ne kemi qeverisur 44 muaj dhe shumë prej jush kanë menduar, pse e bëtë kështu? Pse me shkopinj nën rrota!? Pse me ata që i kishit në krah dhe s’i keni në krah? Shumë nga ju kanë menduar, duhet të kandidoni vetëm.
Partia Socialiste në zgjedhje duhet të shkojë vetëm. Dhe ne kështu e bëmë”, deklaroi Tahiri, i përfshirë në replika në distancë me krerë të LSI-së ditët e fundit.
“Ka plot gjëra që si kemi bërë, ndjesë me përulje për gjërat që si kemi bërë, të cilat do ti bëjmë me mundësinë që do na jepni në 25 Qershor. Nëse edhe një i vetëm mendon që ne jemi njëlloj, kjo është fitorja më e madhe e atyrë nuk na duan. Ne u japim mundësi të gjithëve, ata vetëm fëmijëve të tyre. Ndaj ka vetëm një mundësi, është PS”, apeloi kreu i PS-së së Tiranës, në mitingun e mbajtur në njësinë 5 në kryeqytet ku rikandidon Pandeli Majko.











