Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ishte të martën i pranishëm në një seancën dëgjimore në Komisionin Sigurisë.
Gjatë seancës, Tahiri u pyet lidhur me ngjarjen e fundit të ndodhura në Lazarat, ku mbeti i vrarë efektivi i forcave RENEA, Ibrahim Basha, si dhe shpjegoi strategjinë e Ministrisë që ai drejton për të zhdukur këtë fenomen në fshatin e vogël të Gjirokastrës, por dhe në të gjithë territorin shqiptar.
Po ashtu, gjatë seancës dëgjimore pati dhe debate të shumta mes Deputetëve të Partisë Demokratikë dhe vetë Ministrit të Brendshëm. Ai bëri të ditur edhe dy propozime, krijimin e Burgjeve të Përforcuara dhe mekanizimin e veprave penale, për të forcuar sistemin e drejtësisë dhe për t’i dhënë një hov tjetër luftës ndaj krimit të organizuar, trafiqeve dhe fenomeneve kriminale, siç ishte dhe rasti i dy turistëve çek të vrarë në Prekal të Dukagjinit, në qarkun e Shkodrës.
Vrasja e efektivit të RENEA-s, Tahiri: Në Lazarat kriminaliteti me përmasa të mëdha
Ministri i Punëve të Brendshme, Sajmir Tahiri në çelje të punimeve në Komision trajtoi sërish dinamikën e ngjarjes ku mbeti i vrarë efektivi i Forcave RENEA, Ibrahm Basha dhe ku mbetën të plagosur dy punonjës të tjerë të Policisë.
Po ashtu ai shpjegoi se Lazarati ishte kthyer në një vatër kriminaliteti masiv, por që falë ndërhyrjes së Policisë, fshati i vogël i Gjirokastrës nuk është më një “republikë e kanabisit”, i cili funksiononte jashtë ligjeve të shtetit, por një fshat si gjithë të tjerët brenda rendit ligjor.
“Në Lazarat ishte krijuar një kriminalitet masiv. Vitin e kaluar policia i dha fund kultivimit masiv të drogës, vlera e të cilës arrinte në disa miliardë euro. Me paratë e drogës korruptohej Policia e Shtetit, drejtësia dhe vendimmarrja politike”, theksoi Tahiri. “Kur qeveria aktuale erdhi në pushtet gjeti një Shqipëri të zhytur në kultivimin e narkotikëve, ç’ka nxiste dhe akte të shëmtuara kriminale, dhe pasoja të të rënda në sigurinë publike, drejtësinë dhe politikën. Ky fluks kriminal nuk mund të gjente zgjidhje pa operacionin e vitit që kaloi dhe pasojë e atij sulmi ishte dhe kundërvënia që ndodhi pak ditë më parë ndaj policisë”, vijoi Tahiri.
“Humbja e një efektivi të RENEA-s është goditje e rëndë për sigurinë por gjeti rrugzgjidhjen e duhur duke arrestuar autorët. Ishte pabesi, shtoi Tahiri, e organizuar për të cilën policia nuk kishte informacion, as nga SHISH, por që u morën masat për ta zgjidhur në mënyrën më të shpejtë të mundshme. Policia e Shtetit është në detyrë, dallimi është rrënjësor. Dje Lazarati ishte zonë ku nuk mund të futej policia, sot nuk është kështu, policia lufton me të gjithë ata që i bëjnë bisht ligjit në kurriz të qytetarëve të ndershëm të vendit”, garantoi ministri Brendshëm.
“Unë, vijoi Tahiri, do kërkojë mbështetjen edhe në vijim të komisionit të Sigurisë për ta vazhduar bashkë këtë përpjekje. Ndonëse qeveritë e kaluara nuk kanë bërë atë që duhej me Lazaratin nuk na pengon ta shohim këtë si një përpjekje të përbashkët. Nuk është aset i mazhorancës është një arritje e përbashkët”, shtoi ai.
Debati me Ish-Ministrin e Brendshëm, Flamur Noka
Ish-Ministri i Brendshëm, aktualisht Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka kërkoi nga Ministri aktual i Brendshëm, Saimir Tahiri të mos bëjë show me punën e policisë, por të jap fakte. Në pyetjet që Noka i bëri Tahirit vihej në dukje përgjegjësia e Policisë lidhur me mungesën e informacionit që në 6-muaj një grup personash furnizoheshin me armë. Po ashtu Deputeti Noka pyeti lidhur me të dyshuarit, nëse ishin pjesë e hetimeve të mëparshme apo jo dhe nëse këta persona mbaheshin në mbikqyrje. Ministri Tahiri u përgjigj se Policia ka bërë maksimumin për kapjen e personave të dyshuar edhe më parë, duke prangosur rreth 36 persona të shpallur në kërkim në harkun kohor të 1 viti. Po ashtu Tahiri, sqaroi se Policia ndryshe nga më parë lufton krimin, nuk bashkëpunon me të dhe për këtë flasin shifrat.
“Nga Lazarati kemi hequr tonelata drogë, që përkthehen me miliarda lekë, që shërbenin për të ushqyer deri në obezitet krimin. Kishin tonelata para që shërbenin për të verbuar zyrtarët e Policat ndaj këtij fenomeni, por ky krim po luftohet dhe sot Lazarati është një fshat si gjithë të tjerët dhe jo më një republikë mbi republikë ku prodhohej kanabisi dhe Europa kishte vënë njollën e zezë”, nënvizoi Tahiri.
Deputeti Asllan Dogjani tha se prania e tepërt e Policisë ka terrorizuar banorët e fshatit dhe reagimin mund të ketë lidhje edhe me këtë.
Por, ministri Tahiri refuzoi kategorikisht këtë tezë. “Policia është atje për të kryer detyrën dhe për të mbrojtur qytetarët. Policia është atje për të siguruar rendin dhe qetësinë dhe të gjithë lazaratasit sot ndihen më të sigurtë se dje”, tha Tahiri.
Strategjia e Ministrisë së Brendshme dhe propozimet e Ministrit Tahiri:
-Gjatë fjalës së tij, Ministri Tahiri bëri të ditur se dikasteri që ai drejton ka një strategji për të luftuar fenomenin e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
“Fillimisht është luftuar mbjellja dhe shkulja, apo asgjësimi i çdo rrënje kanabisi në territorin shqiptar. Së dyti është punuar për të rritur bashkëpunimin me aktorët lokal lidhur me informacionin që kanë për prodhimin apo trafikimin dhe së treti, tha Tahiri unë kam propozuar dy ndryshime. Së pari, krijimi i Burgjeve të Përforcuara, ku persona të caktuar me rekorde të rrezikshme kriminale të izolohen totalisht nga komunikimi me jashtë. Kjo, shtoi Tahiri është një praktikë e suksesshme në shumë vende të botës dhe së dyti, tha ai, është mekanizimi i rekordeve kriminale të të dënuarve apo të dyshuarve. Kjo e dyta ka të bëjë me krijimin e një dosje apo database të plotë me të gjitha faktet dhe dyshimet kriminale për të dënuar apo dyshuar, çka do të bënte më të lehtë punën e gjykatës dhe organeve të drejtësisë dhe vetë Policisë”, përfundoi Ministri i Punëve të Brendshme.
Braho: Policisë së Shtetit dhe institucionet e tjera shtetërore do të luftojnë krimin në Lazarat dhe në të gjithë Shqipërinë
Pas përfundimit të seancës dëgjimore me Ministrin e Brendshëm, lidhur me ngjarjen dhe angazhimin e strukturave përkatëse të Policisë së Shtetit mbi zhvillimet e fundit të ndodhura në Lazarat, Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, z. Spartak Braho dha një prononcim për mediat.
Në fjalën e tij, Spartak Braho shprehu besimin se strukturat e Policisë së Shtetit dhe i institucioneve të tjera shtetërore do të arrijnë që të luftojnë krimin në Lazarat dhe në të gjithë Shqipërinë.
“Komisioni i Sigurisë Kombëtare sipas procedurave organizoi këtë llogaridhënie të ministrit dhe të përfaqësuesve të tjerë të Policisë së Shtetit me qëllim jo vetëm informimin, por dhe solidarizimin me aksionin e suksesshëm të Policisë së Shtetit dhe për përcaktimin e masave për të ardhmen. Policia e Shtetit, Qeveria, tërë strukturat e qeverisë të kësaj mazhoranca do ta çmontojnë nga rrënjët inkubatorin kriminal të Lazaratit dhe tërë Lazaratët e tjerë të Shqipërisë”, theksoi Braho. *ATA