Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i është përgjigjur akuzave të opozitës për përdorimin në mënyrë antiligjore të një paisjeje përgjimi. Referuar edhe deklaratës së presidentit Bujar Nishani, Tahiri tha se nuk ka asnjë paisje përgjimi, por ka një paisje e cila përdoret për trajnim dhe identifikon numrat që përdoren në një zonë të caktuar. Këtë deklaratë ai e dha në studion e Sokol Ballës në “Top Story”. Jo pa ironi, ai kujtoi se paisja e partnerëve italianë të Interforzës, ka ardhur për trajnim në bazë të një marrëveshje të firmosur pikërisht nga Bujar Nishani kur ishte Ministër i Brendshëm në vitin 2007.
“Ministria e Brendshme, policia e shtetit, çdo punonjës, nuk ka pasur kurrë, nuk mund të ketë në përdorim një paisje përgjimi, pra të përgjojë telefonata, biseda të kujtdo lloji të shqiptarëve. Për këtë mbaj përgjegjësi publikisht. Mbaj përgjegjësi për atë që them.
Ka një të vërtetë tjetër, që janë trajnimet e policisë në luftën kundër krimit. Nga përdorimi i armëve, e deri te përdorimi i paisjeve teknologjike, jo përgjim. Në bazë të një marrëveshje të vitit 2007, ironia e do është firmosur nga Bujar Nishani u firmos një marrëveshje bashkëpunimi, që na ndihmon për të bërë punën më mirë. Me Kërkesën e qeverisë dhe timen personalisht, ne kemi kërkuar vazhdimisht që agjencitë më të shquara, veçanërisht FBI dhe DEA të vijnë dhe të kenë prezencë fizike, të punojnë në zyra me oficerët tanë. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, hyn në trajnim edhe përdorimi i një paisjeje, që në një zonë të caktuar, detekton se cilët janë numrat e përdorur në këtë hapësirë. Kjo paisje është si të marësh numratorin e telefonit, pra të marësh librin e abonentëve, vetëm kaq. Duhet që policia të shohi në një moment të caktuar kush ka një telefon në këtë zonë.
Partnerët italianë vijnë sot dhe trajnojnë me këtë paisje efektivët tanë, që kur nesër ta kemi paisjen ata të jenë të trajnuar. Kjo paisje vetëm pasqyron numrat në një zonë të caktuar. Është përdorur edhe para se të bëhesha unë ministër. Sot që flasim policia nuk ka një paisje që mundëson përgjimin, dhe paisja që kanë sjellë misioni italian është për trajnim, dhe largohet kur mbaron trajnimi, kjo paisje nuk ofron mundësi përgjimi”, tha Tahiri.
Më tej Tahiri tha se “Nëse ka një paisje përgjimi unë i bie të iki nga detyra, po presidenti a do të iki nga detyra apo do kërkojë falje se një gjë duhet ta bëjë”.
Tahiri nuk kurseu as kritikat për Prokurorinë për nisjen e hetimit që sipas tij ka bërë një lapsus të rëndë. Tahiri shkoi edhe më tej kur tha se prokuroria është e korruptuar, pavarësisht se Prokuri i Përgjithshëm ka vullnet për ta reformuar këtë institucion.
“Hetimi i Prokurorisë lapsus që cënon bashkëpunimin midis dy institucioneve. Vë re përpjekjen e minsitrit për forcimin e bashkëpunimit, por kjo që ndodhi ishte e panevojshme. Unë gjeta një polici të korruptuar kur erdha në detyrë. Prokuroria sot është siç e gjeta unë policinë dje. Është realisht një çështje për të cilën shqetësohem. Por e ritheksoj marrëdhënia me Prokurorin e Përgjithshëm dhe vullneti i tij për ta reformuar, lë vend që të jemi optimist se bashkëpunimi do të rritet”, tha Tahiri.
Tahiri komentoi edhe akuzat e opozitës për përkrahje për tu arratisur të Klemend balilit i ashtuquajturi “Eskobari i Ballkanit”. Ai tha se nuk ka pasur urdhërarrest për ndalimin e tij.
“Nuk mund të arrestohet një person për sa kohë nuk ka një urdhërarrest. Deri kur erdha këtu në studio nuk ka pasur një uërdhër-arrest. Policia ka bërë më shumë përpjekje për të bërë verifikimet pasi doli lajmi se ky njeri ishte larguar”, vijoi Tahiri.