Ditën e sotme ishte parashikuar që në Gjykatën e Elbasanit të zhvillohej gjyqi për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin.
Tahiri do kërkonte nga gjykata, njohjen e ditëve të paraburgimit, por seanca nuk do të zhvillohet për shkak të zëvendësimit të gjyqtarit Elis Dine me Elton Frashëri.
Përjashtimi i gjyqtarit Dine ishte kërkuar më herët dhe tashmë gjyqtarit Frashëri kërkon kohë të mjaftueshme që të njihet me përmbajtjen e dosjes.
Ish-ministri i Brendshëm, përmes avokatëve të tij mbrojtës, i kërkoi Gjykatës së Elbasanit njohjen e dënimit të dhënë më datë 19 shator 2019 nga Gjykata e Shkallës së Parë. Në atë kohë, ai u dënua për shpërdorim detyre me 3 vite 4 muaj heqje lirie, por Gjykata e pezulloi dënimin dhe e konvertoi në shërbim prove.
Tahiri prej disa muajsh është mbyllur në qeli, ku fillimisht për të u vendos që ta vuajë dënimin në burgun e Fierit, por për shkak të përplasjeve me drejtorin e institucionit dhe largësisë nga Tirana, ish-ministri kërkoi lëvizje. 3 muaj më parë ai u transferua në Kosovë të Lushnjës. Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, shkoi në qeli më 4 shkurt.
GJKKO e dënoi Saimir Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’, por për shkak se ish-ministri kishte kërkuar aplikimin e procedurës së gjykimit të shkurtuar, iu ul 1/3 e dënimit, e tani Tahirit i duhet që të qëndrojë pas hekurave të burgut në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.
/a.r