Të synosh 71 (+) në radhë të parë duhet të nisesh nga një bazë e sigurtë e jo në “hava”.
Ç’thotë baza e të dhënave? Të vetmet të dhëna reale, nga ku mund të nisësh analizën, janë rezultatet e arritura ndër vite nga sejcila Parti Politike në garë. Me këto të dhëna nuk mund të manipulosh, por mund të analizosh dhe të parashikosh.
Për të lehtësuar kuptimin e të dhënave të më poshtme po sqaroj treguesit që janë marrë parasysh.
1. Të dhënat janë për çdo qark dhe në shifra absolute, të dhënat në përqindje (që përdorin zakonisht sondazhet) në një sistemin propocional rajonal si i yni, sidomos për subjektet e vogla, nuk thonë asgjë. Sa për shembull, në Qarkun Kukës një parti politike mund të marrë edhe 20% të votave dhe mund të mos marrë asnjë mandat deputeti.
2. Janë marrë parasysh votat e subjekteve (Parti Politike), që kanë arritur të kenë një ose më shumë mandate në qarkun përkatës
3. Rubrika “sa deputet i takonin” është e nevojshme, pasi Partitë Politike në zgjedhjet e 2017 janë subjekte më vetë dhe jo në kualicion, që do të thotë se nuk mund të kalohen votat e një subjekti për të plotësuar një deputet të plotë në subjektin tjetër.
4. Rubrika “Vota – ose +” është për të kuptuar se sa vota do të duhen për të ruajtur ose humbur një mandat deputeti.
5. Duhet të sqaroj se kalim i pragut 3% mund të sjellë deputet vetëm në qarkun e Tiranës, për qarqet e tjerë kalimi i pragut 3% nuk thotë asgjë.
6. Rubrika “Të tjera” janë votat e partive që kanë qënë në kualicion por që nuk kanë marrë mandate deputeti, ato vota në 2013 kanë kaluar për kualicionin.
Ç’thonë të dhënat e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013
Berat: (8) 7 Deputetë (vota për një Deputet: 13200 ose 14.3% )
Në këtë qark, LSI mund të ruajë një mandate por asgjë më shumë, PD, po të kemi parasysh zgjedhjet e fundit lokale, mund të humbasë një mandat dhe këtë mandat mund ta marrë PS, megjithëse duket e vështirë.
Durrës: (13) 14 Deputetë (vota për një Deputet: 11200 ose 7.14%)
Në rubrikën “të tjera” në ishkualicionin e PD në Durrës ka peshë të konsiderueshme vota e PDIU, që sot është subjekt më vete. Në rubrikën “të tjera” në ishkualicionin e PS në Durrës nuk ka ndonjë subjekt me peshë të madhe, mundet që ato vota të shkojnë për PS dhe deputetin që shtohet në këtë qark mund ta marrë PS, kalon nga 6 në 7.
Elbasan: 14 Deputetë (vota për një Deputet: 12500 ose 7.14%)
LSI e ka të vështirë, por jo të pamundur, të mbajë dy mandatet që ka patur. PD e humb mandatin e pestë, PDIU mbron mandatin e 2013, do ishte surprizë nëse merr mandat të dytë.
Fier: 16 Deputetë (vota për një Deputet: 12000 ose 6.25% )
Në rubrikën “të tjera” në ishkualicionin e PS në Fier ka 17488 vota dhe këto janë parti që në shumicë do të rekomandojnë votën e tyre për PS prandaj PS mund të shkojë lehtësisht në 10 mandate. LSI duhet të mbrojë dy mandatet e 2013, në të kundërt mandatin e humbur mund ta marrë PDIU.
Gjirokastër: 5 Deputetë (vota për një Deputet: 12000 ose 20%)
Në Qarkun Gjirokastër është shumë e vështirë për LSI të kalojë në dy mandate kur është më pak se një të tillë, po kështu dhe për PD, i duhet të rikuperojë 0.87 mandate për të marrë dy të tillë. PS nuk i ka tre mandate por është në avantazh.
Korçë: (12) 11 Deputetë (vota për një Deputet: 13200 ose 9.1%)
Në Qarkun Korçë, PD e ka të pamundur të kalojë katër mandate edhe sikur gjith votat e rubrikës “të tjera” të ishkualicionit t’i maksimizojë. LSI i duhet gati të dyfishojë votat e saj që të mund të marrë dy mandate. Më e lehtë është për PS për të ruajtur mandatin e gjashtë, në rubrikën “të tjera” të ishkualicionit ka rezervë të madhe.
Kukës: (4) 3 Deputetë (vota për një Deputet: 15500 ose 33.3%)
Në Kukës nuk ka dilema, LSI nuk e arrin një mandat, PS e ka tepër të vështirë të rikuperojë aq vota sa të “rrëmbejë” mandatin e dytë.
Lezhë: 7 Deputetë (vota për një Deputet: 11500 ose 14.29%)
Në Qarkun Lezhë, LSI është pranë një mandati, por edhe mund ta humbasë. PS mund të rikuperojë vota për të marrë mandatin e tretë. PD i duhen shumë vota për mandatin e katër.
Shkodër: 11 Deputetë (vota për një Deputet: 11200 ose 9.1%)
Në Shkodër, LSI dhe PD e kanë gati të pamundur të shtojnë mandate, PS mund të përfitojë mandatin e pestë nëse PKDSH (PSD) nuk arrijnë të rikuperojnë disa vota.
Tiranë: (32) 34 Deputetë (vota për një Deputet: 13400 ose 3% )
Në qarkun Tiranë, LSI e ka të vështirë të shtojë një mandat pasi i duhet të mbrojë të tretin. PS ka rezervë për një mandat nga rubrika “të tjera” pra shkon lehtësisht në shtatëmbëdhjetë. PD ka rezervë për një mandat nga rubrika “të tjera” pra shkon në trembëdhjetë. PDIU i duhet të rikuperojë shumë vota që të kalojë pragun. Partitë e tjera: FRD, SFIDA, LIBRA do përbënin surpriz nëse do të merrnin nga një mandat, pasi u duhet të kalojnë pragun 3%, që do të thotë mbi 13000 vota.
Vlorë 12 Deputetë (vota për një Deputet: 10100 ose 8.33%)
Në Vlorë, LSI e ka të vështirë, për mos thënë të pamundur, të marrë mandate të dytë. PD duhet të “djersitet” për mandatin e tretë. PDIU gjithashtu duhet luftojë shumë për të mbrojtur një mandate. PS, për rrethanat e krijuara, favorizohet për mandatin e shtatë.
Parashikimet për zgjedhjet e 25 Qershorit 2017 janë bërë mbi bazën e rezultateve të vitit 2013 për secilin subjekt si dhe disa faktorë, që duhen marrë në konsideratë.
1. Nuk është e vërtetë që qeverisja të “konsumon”, përkundrazi, në kushtet e një qeverisje jo problematike, në mandatin e dytë të “favorizon”. Kështu ka ndodhur me PS në mandatin e dytë 2001, me PD në mandatin e dytë 2009, mund të ndodhte edhe në 1996 nëse PD nuk do të kishte qënë “arrogante” në qeverisjen e parë. Elektorati ka reaguar për mandatin e tretë, pasi qeverisjet në mandatin e dytë kanë qënë me probleme.
2. Reforma Territoriale e realizuar në vitin 2015 ka ndikim të madh në zgjedhjet e 2017. Partitë e vogla kanë humbur mbështetjen në terren nga mijra Këshilltarë Komunash e Bashkish dhe disa dhjetra e qindra Kryetarë Komunash. Partia Demokratike, duke mos marrë pjesë në Reformën Territoriale, ka drejtimin e shumë pak Bashkive në vend, për pasojë i mungon kjo forcë mbështetëse. Përkundrazi, Partia Socialiste ka drejtimin e më shumë se gjysmën e bashkive, sidomos bashkitë e mëdha, ku edhe është “hambari” i votave. Sa për shembull, askush nuk mund të mohojë ndikimin që do të ketë puna e Erion Velija në Tiranë,
3. Pavarësisht nga mos realizimi i disa premtimeve, perceptimi në masën e votuesëve për qeverisjen e këtyre katër viteve nuk është negative. Mjaft reforma janë përfunduar, disa janë në vazhdim. Thënë ndryshe: masa e votuesëve të PS mund të jetë e pakënaqur, për një apo disa arsye, por jo e zhgënjyer deri në atë masë sa të bojkotojë Partinë Socialiste.
Partitë e tjera të kualicionit qeverisës do të vlerësohen për aq sa kanë bërë por, mendoj, jo më shumë se Partia udhëheqëse e kualicionit, pasi nuk kanë bërë diferencën në këto katër vite.
Nga ana tjetër, nuk ka një opozitë frymëzuese që të përmbysë situatën.
* Pedagog, me eksperiencë në proceset zgjedhore /ma.me