Nga Plarent Ndreca
Këtë fjali e publikova mbrëmë shpejt, por jo si figurë retorike dhe as si reagim emocional, por si përshkrim i një realiteti të ri kushtetues që u krijua dje, jo nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, por pikërisht nga mosmarrja e tij.
Me pamundësinë për të arritur shumicën e kërkuar, Gjykata Kushtetuese hapi një precedent që Kushtetuta nuk e ka parashikuar: mundësinë që një gjyqtar i shkallës së parë të pezullojë ushtrimin e një funksioni kushtetues, siç është ai i ministrit.
Kjo çështje nuk ka asnjë lidhje me emër konkret ministri dhe as me mënyrën se si një funksion është ushtruar nga një individ i caktuar. Objekti i saj është ekskluzivisht funksioni kushtetues si institucion. Kush e personalizon këtë debat, ose nuk e kupton natyrën e kontrollit kushtetues, ose e deformon atë për qëllime politike apo personale.
Nëpërmjet kësaj mosvendimmarrjeje, Gjykata Kushtetuese, ka ndryshuar në mënyrë substanciale balancën e pushteteve. Praktikisht, ajo ka vendosur pushtetin ekzekutiv në një varësi funksionale nga pushteti gjyqësor, duke transformuar në heshtje arkitekturën e republikës parlamentare. Precedenti i krijuar është i qartë në implikimet e tij. Nga sot, një gjyqtar i shkallës së parë mund të pezullojë një ministër, të gjithë Këshillin e Ministrave, madje edhe Presidentin e Republikës, pasi as për këtë funksion Kushtetuta nuk parashikon shprehimisht institutin e pezullimit. Nëse mungesa e një parashikimi eksplicit konsiderohet hapësirë për ndërhyrje, atëherë asnjë funksion kushtetues nuk është më realisht i mbrojtur, përfshirë edhe vetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata u nda në dy qëndrime, me nga katër gjyqtarë secili, të cilat, për arsye të ndryshme, janë të dyja të papajtueshme me rendin kushtetues.
Qëndrimi i parë pretendon se pezullimi i ministrit kërkon autorizim paraprak nga Kuvendi, duke mos e njësuar mbrojtjen që neni 242, paragrafi 2, i Kodit të Procedurës Penale i garanton të zgjedhurve edhe për ministrin. Ministri, njësoj si deputeti, nuk është subjekt i pezullimit nga detyra. Mandati i tij ndërpritet ose përfundon vetëm sipas procedurave kushtetuese, por nuk pezullohet. Pranimi i kësaj teze do të cenonte barazinë kushtetuese të imunitetit ndërmjet deputetit dhe ministrit, duke prishur ekuilibrin e njësuar të mbrojtjes që Kushtetuta ka parashikuar ndërmjet këtyre dy funksioneve.
Qëndrimi i dytë mbështetet në tezën se, meqenëse Kushtetuta nuk e rregullon shprehimisht pezullimin e ministrit, ky është një boshllëk që duhet plotësuar nga kushtetutëbërësi. Ky arsyetim është po aq problematik, sepse niset nga një premisë e gabuar: se mungesa e një rregullimi eksplicit do të thotë mungesë mbrojtjeje kushtetuese.
Të dyja qëndrimet anashkalojnë plotësisht nenin 73, pika 1, të Kushtetutës, i cili garanton imunitetin funksional të deputetit. Ky imunitet nuk është privilegj personal, por një garanci institucionale, e domosdoshme për ushtrimin e pashqetësuar të funksionit përfaqësues. Sipas standardeve të konsoliduara të së drejtës kushtetuese, përfshirë interpretimet e Komisionit të Venecias, vota nuk reduktohet në aktin formal të shprehjes pro, kundër apo abstenim, por përfshin të gjithë procesin parlamentar që paraprin dhe shoqëron vendimmarrjen, si pjesë integrale e ushtrimit të funksionit. Çdo masë që pengon, kufizon ose neutralizon këtë proces përbën cenim të drejtpërdrejtë të imunitetit funksional.
Ndërkohë neni 103 i Kushtetutës është i qartë: anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit. Kjo do të thotë se imuniteti funksional i ministrit është identik me atë të deputetit. Për pasojë, çdo ndërhyrje në procesin vendimmarrës të një anëtari të Këshillit të Ministrave përmes një mase gjyqësore pezullimi është, në thelb, e barazvlefshme me ndërhyrjen në procesin vendimmarrës të një anëtari të Kuvendit. Nga kjo rrjedh se as deputeti, as ministri, as Këshilli i Ministrave dhe as Presidenti i Republikës nuk janë të pezullueshëm nga detyra. Ata mund të shkarkohen vetëm sipas procedurave kushtetuese të parashikuara shprehimisht. Pezullimi përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në mënyrën e ushtrimit të funksionit kushtetues dhe si i tillë, është antikushtetues.
Gjykata Kushtetuese nuk e mori fare në shqyrtim këtë dimension themelor të çështjes.
Në këtë kuptim, me vendimin e djeshëm për të mos marrë vendim, Gjykata Kushtetuese nuk ka zbatuar Kushtetutën. Ajo e ka ndryshuar atë nëpërmjet interpretimit kushtetues dhe kur Kushtetuta ndryshohet, ndryshohet vetë Republika.
Ndaj, le ta gëzojmë Republikën e Re!











