Një projekt serioz i mbështetur në infrastrukturën e duhur ishte çelësi i suksesit të punës së stafit teknik të Kombëtares Shqiptare. E pranoi këtë trajneri Sylvinho në një intervistë të gjatë për gazetarin shqiptar Grei Hasa të medias online “Cronache di Spogliatoio”.
“Federata i ka kushtet shumë të mira. Fushat, fizioterapia, palestra, ndërtesa e re ku punojmë, kemi analistë të ndeshjeve, përgatitës atletikë, bashkëpunëtorë… na ka orfuar kushte pune të jashtëzakonshme dhe futbolli zhvillohet shumë mirë. Punohet për futbollin, flitet për futbollin dhe që këtu nis gjithçka.”
Teksa nuk mundet të bëjë një parashikim për finalet e Europianit, Sylvinho thotë se në Gjermani duhet të shkohet me seriozitet.
“Mendoj se ne duhet të shfrytëzojmë momentin me seriozitet dhe me punë siç arritëm kualifikimin. Një skuadër me zemër me djersë e organizuar dhe me vlera individuale. Ne duhet të nisim një proces të mësohemi të luajmë në finalet e një Europiani apo një Botërori. Tani për tani presim shortin. Por duhet të bëjmë një plan të mirë për të shkuar më shpesh në një fazë finale. Flasim për një program disavjeçar.”
I pyetur për vecoritë e Berat Gjimshitit, Sylvinho ka vetëm vlerësime.
“Ai është një zotëri. Ai është një person i qetë, një lojtar i mësuar të luajë kundër futbollistëve të fortë. Unë e di. Ai ka një avantazh sepse luan dhe jeton në itali. Ai është i qetë dhe për këtë është edhe kapiten sepse skuadra ka nëvojë për qetësi në fushë. Futbolli nuk të lejon më të humbën përqëndrimin. Ai është futbollist i madh dhe qetësinë e transmeton në fushë.”
Trajneri i Kombëtares nuk e fsheh se të paktën edhe 2 lojtarë të tjerë të Kombëtares Shqiptare janë të aftë të luajnë në klubet e Serie A.
/a.r